“Totalistët e rinj” dhe “Revolucioni Individualist”…

0
193

“Totalistët e rinj” dhe “Revolucioni Individualist”…

Gëzim  Tushi

 

Ndoshta për shkak të një lloj tranzicioni pak sui generis që ka kaluar shoqëria shqiptare në këto 28 vjet, ndihet një lloj konfuzioni social dhe kakofoni sociologtjike në vlerësimin e ndryshimeve që kanë ndodhur dhe sidomos në shfaq    jen e dukurive dhe fenomeneve të reja sociale. Kjo është arsyeja pse akoma në shoqërinë shqiptare sot, ka një ngatërresë konceptualo-filozofike të shoqëruar me një interpretim të sforcuar për të bërë të mundur dallimin e ri bashkëkohor të statusit të “përzierë” të qytetarit, si individ i përveçëm dhe si njeri social.

Personalisht mendoj se nuk na ndihmon shumë trashëgimia sociale dhe koncepti i së kaluarës tonë, për të zgjidhur problemet e sotme shqetësuese në ndërtimin e raporteve të reja midis shoqërisë dhe individit. Kjo do të thotë që duhet më shumë kujdes për të vlerësuar mënyrën se si shfaqen lidhjet e reja midis shoqërisë dhe individit. Ne si shoqëri e kemi provuar në kurrizin tonë shijen e hidhur të fuqisë deformuese të totalitetit social dhe ndikimet degraduese të supersocialitetit mbi njeriun si qënie individuale. Kjo është një e vërtetë e padyshimtë që besoj se na ndihmon dhe e lehtëson mendimin qytetar dhe intelektual, për të kuptuar fare qartë rreziqet e mundshme që vijnë nga mbeturinat e mbivlerësimit mekanik të socialitetit, idolatrizimit të kolektivitetit dhe dominancës së mendimit kolektiv. Sepse erdhëm në kohën e sotme në të cilën nuk ka dhe nuk do të ketë më homogjenizim të hapësirës shoqërore, sepse përfundimisht jetojmë në kushtet e mundësive të diversitetit të mënyrave të jetesës.

Megjithatë akoma ka problem që ngatërrojnë raportet e reja individ-shoqëri. Kjo ndoshta edhe për shkak të reminishencave që vijnë nga shoqëria e dikurshme totalitare, e cila e shoqërizuar deri në ekstrem, pa hapësira për privatësi dhe jetë me interesa të personalizuara, e katandisi njeriun në një qënie me total;itet të imponuar social, duke e kthyer atë në një qelizë të thjeshtë të “turmës sociale”, pa patur asnjë shans për identitet individual dhe individualitet personal, duke i kthyer njerëzit tanë me dhunë në “qënie të përbashkëta” të ngjyrosura në “gri”, të detrminuar cep më cep vetëm si qënie për qëllime e objektiva sociale.

Gjërat, faktet dhe realitetet e kohës sonë kanë ndryshuar katërcipërisht. Dhe në fakt për të qënë koherent me të vërtetat e kohës që jetojmë, duhet pranuar fakti se ndryshe nga e kaluara supersociale që ishte ideologjia sunduese e shoqërisë totalitare e të totalizuar shqiptare, sot jetojmë në epokën kur edhe tek ne në mënyrë fare të dukshme, mënyra personaliste e të jetuarit dhe mënyra individualiste e të menduarit dhe vepruarit, është bërë “algjebra mendore” sunduese e njeriut dhe qytetarit shqiptare të kohës postmoderne. Ne duhet të bëhemi të ndërgjegjshëm dhe analogë me të vërtetat e jetës së sotme, sepse është universalisht e vërtetuar se nuk ka dhe nuk mund të ketë shoqëri postmoderne në se ajo është e ndërtuar vetëm me “gardhe sociale”. Kjo sepse koha po vërteton se njeriu i kohës postmoderne e ka në thelbin e vet dhe së pari do dhe kërkon me çdo kusht të jetojë lirshëm.

Unë jam i bindur që është pa shans që të ketë sukses, tendenca e atyre njerëzve që kanë frikë nga liria dhe individualizmi, që përdorin stratagjema të vjetra për të bërë të mundur bashkimin e njerëzve konservatorë, të cilët për të patur pushtet social dhe për të diktuar norma të ngurta morale e sociale përpiqen të krijojnë një atmosferë mbytëse që synon të krijimin e kushteve të vjetra, që bëjnë të mundur të cënohen liritë individuale.

Personalisht ndjej neveri për ata njerëz që mendojnë se kjo shoqëri që të bëhet e mire, duhet të vendos gardhe e të rindërtojë “mure” të larta sociale për të disiplinuar me çdo kusht dhe mjet, vazhdimin e “revolucionit të lirisë” dhe marrshimin e jetës së personalizuar. Kjo është arsyeja që të bën të mendosh pa hezitim se pse janë kaq shumë të dëmshëm “totalistët e rinj” të kohës postmoderne në Shqipëri. Ata janë kundër realitetit të ri social, i cili megjithë të metat dhe paqartësitë po  rregullon raportet e vjetra dhe tejet të deformuara që kanë ekzistuar në lidhjet midis shoqërisë, individit dhe organizimit anonim të jetës sociale.

Sepse në fund të fundit në jetën e shoqërisë shqiptare ka ndodhur një “revolucion individualist” rezultati i të cilit është kalimi nga shoqëria me dimension total në shoqërinë me dimension individual. Kjo është esenca e këtij revolucioni që bërë të mundur kalimin nga shoqëria totale dhe hierarkike në shoqërinë moderne pa dimensione deterministe, individualiste, pa strukturime klasore.

Individualizmi dhe “metastazat e unit”…

Natyrisht ajo që shqetëson sot shoqërinë shqiptare në tërësi por dhe njerëzit në përditshmërinë e tyre është pyetja ekzistenciale: në këtë shoqëri që ka prioritet lirinë individuale dhe jetën e personalizuar a ka dhe a mund të ketë dimension social që mund të ketë ndikim në dëshirat dhe kënaqësitë individuale të njeriut postmodern? Nuk ka dyshim që shoqëria shqiptare tashmë është në fazën kur ka ndoshur një transformim radikal i raporteve dhe marrëdhënieve sociale dhe që ka bërë të mundur kapërximin e “robërimit social” të shoqërisë që nuk pranontë të drejtën e unit të njeriut, drejt një shoqërie të lirë në të cilën njeriu ka mundësi të shfaqë egoizmin si trajtë qëndrore e bërthamore e individit

Thelbi i kësaj dileme që është kthyer në një debat të gjërë e të përditshëm në shoqërinë tonë është në se ka mundësi dhe a është e mundur që në kushtet e shoqërisë me natyrë të qartë liberale e individualiste të mund të ekzistojë apo të gjëndet një një konstante e re në lidhjet dhe marrëdhëniet midis individualitetit empirik dhe nevojës së një mase normale e funksionuese të kohezionit social? Një nga problemet shqetësuese me natyrë sociale por edhe thelbësor për trajtesat që bëhen prej filozofisë politike.

Në thelb problem është fare konkret. Njeriu individualist, me jetë private e mendime të personalizuara është në të njëjtën kohë edhe qytetar i përfshirë në strukturat e shoqërisë shqiptare. Kjo nënkupton qartë dhe do të thotë që bashkë me tendencën e fortë të liberalizimit dhe individualizimit të jetës së personalizuar, që është bërë tipar esencial i shoqërisë së sotme shqiptare, duhet pranuar dhe ekzistenca e pamohueshme e nevojës sociale të integrimit të pjesëve të jetës qytetare të njeriut individualist.

Në kushtet e shoqërisë që prevalon mënyrën individualist të të jetuarit mbi paradigmat e dikurshme supersociale të saj është e vështirë t’i japësh përgjigjen e duhur pyetjes: po mirë po a duhet të ketë “normë sociale” për të përcaktuar dimensioned e individualizmit në kohën postmoderne? Sepse pavarësisht prevalencës që ka marrë individualizmi, vetja, uni mbi tjetrin dhe të tjerët përfshirë edhe shoqërinë si tërësi sociale, duhet pranuar se kjo anë e mirë e mënyrës postmoderne të jetës ka edhe anën e saj të keq.

Sepse si shoqëri gjithnjë e më shumë po përballemi me situatën kur postmoderniteti dhe ultraindividualizmi po zgjerojnë rrezikun e shndërrimit të shoqërisë tonë në “shoqëri të segmentuar”. E gjithë kjo dilemë e madhe sociale ka të bëjë me faktin se si është e mundur të rindërtohet një ekuacion në mënyrë që postmoderniteti dhe liria individuale të kenë të brendësuar edhe një masë të domosdoshme e të dobishme të synimeve sociale që duhet të ketë njeriu.

Sepse nuk duhet mohuar e vërteta që kohët e fundit në emër të liberalizimit të jetës dhe mënyrës së personalizuar të të jetuarit, në shoqërinë tonë po po shfaqen dukuri sociale anormale dhe eksentrike që tregojnë qartë se po ngatërrohet pa dashje apo me qëllim koncepti i drejtë i njeriut të lirë nga koncepti i deformuar i njeriut të shthurur. Prandaj ndihet nevoja që të kemi koncept të ekuilibruar, sipas të cilit, të jetosh lirshëm nuk do të thotë që nuk duhet të respektosh “rregullat e përbashkëta sociale”. Është e vërtetë që disiplinë sociale nuk do të thotë “shtypje e njeriut” nga shoqëria dhe hierarkitë. Por nga ana tjetër liria e individit nuk duhet të nëpërkëmbë rregullat sociale dhe hierarkitë sociale e autoritetet morale e shtetërore. (Raportet me babain, nënën, mësuesin, policin, gjyqtarin, eprorin).

Ndryshe, në se nuk e përfillim këtë realitet social të ridimensionuar do të thotë se pa kuptuar jemi duke u rrokullisur në kënetën e “lirive të kota” të jetës postmoderne, të një jetë që duket sikur është individuale por që në të vërtetë është pa kuptim social. Raportet midis unit, lirisë time dhe realitetit social sidoqoftë përbëjnë një trinitet që nuk mund të zhbëhet krejtësisht. Vetëm kështu ka mundësi që njeriu mund të bëhet qënie me vlerë sociale dhe individuale, pikërisht kur në veprimtarinë e vet të qëllimshme ai bashkon në një të vetme esencën me ekzistencën. Ndryshe ka rrezik që individualizmi të vdesë nga fuqia e tepërt e “metastazave të unit”. Individualizmi ka tendencë të bëhet “kokëfortë” dhe asocial. Port ë mos harrojmë që gjërat kanë një kufi normal dhe të arsyeshëm, ndryshe liria individuale mund të bëhet një faktor që do të sjellë më shumë çrregullime sociale në jetën e shoqërisë tonë…

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here