Shkrimi i keq i mjekëve është një nga çështjet më të diskutuara për pacientët, kur këta të fundit duhet të “deshifrojnë” një recetë.
Sipas një raporti të Akademisë së Shkencave të Institutit Kombëtar të Mjekësisë në SHBA, fakti që infermierët apo farmacistët nuk mund të dallojnë qartë emërtimin e barnave nga shkrimi i keq i mjekëve, shkakton vdekjen e paqëllimshme të rreth 7 mijë personave çdo vit në SHBA.
Sigurisht që jo të gjitha rastet rezultojnë fatale, pasi më të shumtë janë pacientët që thjesht pësojnë komplikacione të lehta shëndetësore.
Për ta minimizuar këtë problem, kompanitë e teknologjisë në bashkëpunim me institucionet parashikojnë që të fusin në përdorim sistemin e përshkrimit të barnave përmes teknologjisë, e cila do të përdoret nga mjekët dhe do bënte që të evitoheshin gabime të tilla, që shumë njerëzve u kushtojnë edhe jetën.
Google, Aetna, Dell e shumë spitale në Amerikë tashmë kanë prezentuar këtë sistem që mjekëve do t’u ofrohet pa pagesë.
Shkrimi i keq i mjekëve është fenomen sa i njohur edhe i komentuar me humor, por pakkush e di se sa jetë njerëzish kushton, përveç vetë mjekëve, ata duhet ta dinë mirë por e marrin përsipër rrezikun çdo ditë, sepse mesa duket për ta ngelet thjesht statistikë. Dhe kur vjen puna tek statistikat, në SHBA çdo vit vdesin 7000 njerëz dhe dëmtohen rreth 1,5 milionë vetëm prej recetave me shkrim të keq të mjekëve, shkurtimeve dhe ngatërrimit të dozave nga farmacisti që e lexon, ose më mirë të themi mezi e lexon.
NEPSI (National e-prescribing Patient Safety Initiative) në SHBA u ka ofruar akses dhe përdorim falas mjekëve për të shkruar receta elektronike falas, ku njëkohësisht programi kontrollon për kombinime të rrezikshme të ilaçeve dhe kontrollon që farmacia të sigurojë dozat e duhura.
Gabimet e mjekëve mbajnë vendin e tretë në botë për vdekjet e pacientëve, shto këtu edhe gabimet e farmacistëve në deshifrimin e recetave, do ta kuptoni pse njihni personalisht aq shumë raste njerëzish që kanë gjetur vdekjen ose janë përkeqësuar për shkak të gabimeve të mjekëve.
Sipas disa analistëve shkrimi i keq i mjekëve vjen për shkak të punës së ngarkuar, ata janë shumë të zënë për shkak të numrit të lartë të pacientëve gjatë një dite. Në Kinë ky problem është zgjidhur duke e printuar recetën nga kompjuteri dhe problemi është i zgjidhur.
“Kur shkruajnë mjekët janë të fokusuar tek diagnoza dhe llojet e ilaçeve, më shumë se tek mënyra e të shkruarit,” thotë Keya Shivadey, specialist gjinekolog në një qendër mjekësore në Dubai.
Si pacientë, gjithmonë kemi parë që është shumë e vështirë të kuptojmë ndonjë fjalë apo dhe gërmë nga receta.
Por, nga ana tjetër kemi besim të plotë tek aftësitë e farmacistëve se ata do të jenë në gjendje të deshifrojnë shkrimin e mjekut. Në fakt farmacisti ka pasur një punë të vështirë gjatë viteve akademike në mbajtjen mend të termave dhe medikamenteve, por sipas disave puna më e vështirë në planet, që u ka rënë për pjesë farmacistëve, është pikërisht deshifrimi i shkrimit të mjekut.
Receta elektronike? Pse jo
Për të zgjidhur këtë problem shumë sugjerojnë që të përdoret receta elektronike.Të shpresojmë se ashtu si në Kinë, receta elektronike do bëhet praktikë edhe në Shqipëri për të zgjidhur të gjitha problemet që vijnë nga shkrimi i mjekut dhe për të lehtësuar punën e farmacistit.