Banorët e Ishmit kanë reaguar pas vendosjes së traut në zonën turistike të Kepit të Rodonit nga ana e Kishës Françeskane e cila pretendon pronësinë e zonës.
Banorët kryesisht të fshatit Shetaj protestuan, duke kundërshtuar tarifimin e rrugës nëpërmjet të cilës ata shkojnë në punë, në tokat e tyre apo në plazh.
Ata thonë se krahas tarifës hyrëse prej 100 lekë të reja, kisha i detyron ata të paguajnë edhe 200 lekëshin e parkimit, Banorët thanë se i janë drejtuar prokurorisë me një kërkesë, ndërsa kanë dërguar peticione të vazhdueshme institucioneve për heqjen e traut dhe tarifave për banorët.
Të penalizuar janë edhe turistët, apo besimtarët të cilët shkojnë në Kishën e Shën Ndout, që ndodhet tek Kepi i Rodonit, për të kryer ritet fetare.