Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar presidentin e Malit të Zi, Filip Ðukanoviç për fitoren në zgjedhjet e ditës së djeshme.
Me një mesazh drejtuar homologut të tij, presidenti Meta shprehet se ‘fitorja Juaj ishte një mbështetje e qartë për konsolidimin e orientimit euroatlantik dhe evropian të vendit, si dhe garanci për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe bashkëpunimit rajonal’.
Urimi i plotë, i Presidentit Ilir Meta:
I Nderuar Zoti Ðukanoviç,
Urime për fitoren bindëse që në raundin e parë të zgjedhjeve të djeshme presidenciale në Mal të Zi. Ju uroj nga zemra shumë suksese në drejtimin e mëtejshëm e të suksesshëm të Malit të Zi.
Fitorja Juaj ishte një mbështetje e qartë për konsolidimin e orientimit euroatlantik dhe evropian të vendit, si dhe garanci për forcimin e mëtejshëm të paqes dhe bashkëpunimit rajonal.
Jam i bindur se, gjatë mandatit Tuaj në drejtimin e Malit të Zi, marrëdhëniet e shkëlqyera e të fqinjësisë së mirë midis dy vendeve tona do të forcohen dhe zgjerohen edhe më tej. Ju siguroj për vullnetin dhe dëshirën time për të punuar ngushtë me Ju në të ardhmen, në dobi të forcimit të këtij bashkëpunimi, por edhe për forcimin e paqes, stabilitetit dhe zhvillimit të rajonit tonë të përbashkët, ku dy vendet tona po japin një shembull të shkëlqyer.
Me dëshirën për t’Ju takuar në një rast sa më të parë, ju lutem pranoni, Zoti President i Zgjedhur, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.