Intervista/ Vasili: Rekomandimi, gezim,por dhe skaner ku shfaqen hije të errëta politike dhe sociale

0
151

 

Si e patë seancën e sotme parlamentare?

Ishte një seancë që, në mendimin tim, në hapjen e saj demonstroi qartazi një përgjegjshmëri të lartë politike të opozitës shqiptare. Kontrasti shumë i dhimbshëm, që u zhvillua gjithë debati i dakordësuar në Konferencën e Kryetarëve që të gjitha forcat, grupet parlamentare do të mbanin qëndrimin politik ndaj integrimit, dhe në sallën e kuvendit mungonte Kryeministri. Është tragjikomike që një Kryeministër, i cili mëton dhe predikon mirëkuptim, role të reja dhe të opozitës që ka përballë, ka një papërgjegjshmëri të padëgjuar, që një ditë pasi Mogherini vjen nga Brukseli në Tiranë, ky njeri nuk vjen dot nga zyra e tij në Kuvendin e Shqipërisë, ku do të lexoheshin opinionet e grupit parlamentar jo vetëm të opozitës, por dhe të PS. Kemi të bëjmë me një standard shumë të thjeshtë, për Kryeministrin rekomandimi është një lëndë e parë mediatike për pak propagandë disa-orësh, pak ditësh, nuk është një moment i fortë reflektimi. Kemi një deja vu në këtë çështje, pasi ne kemi marrë një rekomandim historik në vitin 2016 i pari në mënyrë absolute që Shqipëria merrte, dhe ne rikthehemi sërish për të marrë një rekomandim të ri ndërkohë që duhet të kishim një moment normal të hapjes së negociatave. Jemi pas, ndërkohë që duhet të ishim përpara. Nuk kemi ndonjë ngjarje të re. Sot duhet të ishim patjetër me negociata të hapura.

Përmendët mungesën e Kryeministrit Rama, më pas u rikthye

I sigurt që nuk do të kishte opozitë në Parlament. Pasi ka një problem shumë të madh me debatin, nuk bashkëjeton dot me dimensionin e debatit. Debati është i vlefshëm për Kryeministrin kur ai ka qenë në opozitë, në momentin që është në pushtet nuk mund ta dëgjojë. Pasi momenti i debatit ishte kur ne do debatonim me dakordësi politike, nuk ishte një imponim apo kapriço e opozitës. Pra të gjitha forcat politike ranë dakord që të mbahej një pozicion publik, për të nderuar procesin e integrimit, dhe momentin historik, thashë Mogherini është një përfaqësuese e lartë dhe erdhi në Tiranë, ndërsa ky nuk shkon dot nga zyra e tij në sallën e Parlamentit për të respektuar të tijtë të paktën, jo të opozitës.

Dua të ndalem pak tek ish-ministri i Brendshëm, Tahiri. Nëse nuk do të ishte sot në seancë do të digjej mandati i tij. Z. Tahiri foli për gazetarët me gjuhën e Kryeministrit Rama. Si e patë reagimin e Tahirit?

Mesazhin dhe metaforën e mesazhit ju e zbërthyet, duke vënë përballë përdoruesin e parë të një vulgariteti, sot rikthimi me të njëjtën metaforë, me të njëjtin vulgaritet, është një çështje për ditën e sotme midis tyre, por fatkeqësisht dënon shqiptarët. Pasi rezervat e forta të evropianëve, skepticizmi evropian, një minus i madh në procesin që lë dyshime të mëdha për vendimin e qershorit, për hapjen e vërtetë të negociatave sepse sot kemi vetëm rekomandim. Vendimi i madh është 29 qershori që siç dihet kemi dështuar edhe pas 2016-ës kur e morëm herën e parë. Ka qenë e lidhur pikërisht me këtë çështje, është cituar nga politikanë të ndryshëm evropianë, veçanërisht ata gjermanë ku vendimi i tyre është përcaktues mbi vendimin e ardhshëm. I gjithë ky shkëmbim mesazhesh prej cubave me njëri-tjetrin do të thotë që këtu është halli se si ata merren vesh. Dje, ju përcollët me shumë kujdes konferencën me zonja Mogherinin, ku siç e pate z. Rama u përpoq që të bënte shumë mirë rolin e kryeprokurorit dhe siguroi që s`ka asnjë provë për z. Tahiri. Për kuksianët tha që nuk ndërhynte, ndërsa për çështjen e ish-ministrit foli. Pra është një raport i komprometuar rëndë dhe thellë, por për fat të keq pasojat e këtij raporti që kanë rënduar imazhin e Shqipërisë dhe qytetarëve, do sjellë vuajtje te këta të fundit. Mosmarrja e vendimeve të mëdha që kanë të bëjmë me çështjet e integrimit evropian, siç është hapja e negociatave, është një faturë që paguajmë ne për shkak të hesapeve që kanë cubat me njëri-tjetrin.

Sa në unitet është Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim?

Për sa i përket seancës së fundit, kishte qëndrimin që meritonte pasi ne respektuam në radhë të parë shqiptarët, ku kryetarët e dy partive dhanë opinione shumë të qarta sa i takon rekomandimit. Sallën e përbuzi kryeministri dhe ne nuk mund të qëndronim aty duke i bërë `fresk` kolegëve të tjerë të mazhorancë, të cilët i poshtëron Kryeministri i tyre. Kanë durim ata dhe e përballojnë, por ne nuk mundemi. Për më tepër që në këtë seancë të fundit, ishim një ditë pas këtyre çështjeve të mëdha që kishin të bënin me rekomandimin, por ishte vetë Kryeministri që e bojkotoi sallën. Besoj se komentet janë të tepërta për këtë pikë. Besoj se qëndrimi i opozitës është i unifikuar me atë të qytetarëve, sidomos për këtë çështje. Qytetarët kërkojnë drejtësi, por Kryeministri vetëm kërkon falje dhe ndërkohë i lë në burg kuksianët, ku as nuk bën gjë fare për këtë çështje. Kemi një drejtësi e cila përfundimisht ka humbur integritetin. Sot Shqipëria, në këtë kohë që kemi një Kryeministër aventurier flet për drejtësi, për shkak të mazhorancës vendi është pa sistem drejtësie. Nuk kemi Këshillë të Lartë Gjyqësor, as të Prokurorisë, funksionet e tjera janë inekzistente, nuk ka Gjykatë Kushtetuese. Pra, sistemi gjyqësor është i asfiksuar. Asnjë deputet apo gazetar nuk mund të thotë dot të kundërtën për këto fakte që janë publike.

Si LSI, çfarë do bëni për 11 kuksianët, që mbahen në burg?

Do protestojmë dhe çdo gjë do kushtëzohet në qëndrimin politik, derisa drejtësia të vendoset në vend. Këta burra janë atje për faj të Kryeministrit dhe jo prej tyre, ku janë rrëmbyer në mes të natës. Ky është një kërcënim për ju, mua dhe çdokush tjetër. Të gjithë duhet të shqetësohemi. Përse ambasadori amerikan nënvizon arrestimet natën si një veprim të paligjshëm dhe shumë të rëndë? Pra, ka një klimë shumë të shëmtuar, ku ne tashmë i kemi lënë pas vitet `90, por ky po bën të mundur që shqiptarët të jetojnë me frikë. Këtij standardi duhet t`i jepet një përgjigje shumë e rreptë që ky fenomen mos të ekzistojë më për shqiptarët. Drejtësia është e barabartë për të tërë, pavarësisht që ministri i Brendshëm nuk u arrestua. Pra, ky nuk arrestohej pavarësisht se informacionet nuk vinin nga Shqipëria, së paku nuk ishin vende të kapura se vinin nga Evropa, ndërsa kuksianët rrinë në burg. Nuk i duan shqiptarët këto dy standarde në drejtësi. Për këtë jemi ne të papajtueshëm dhe mbrojta e çështjes së të arrestuarve për protestën e Kukësit është çështje parimore, thelbësore për mënyrën e funksionimit të shoqërisë dhe të politikës në Shqipëri.

  1. Vasili, një deputet i LSI-së është larguar nga forca juaj politike. Ju si do ta komentoni këtë gjë? E kam fjalën këtu për z. Robert Bitri…

Nuk kam një deklarim të tillë për këtë gjë. Z. Bitri ka qenë live në mediat tuaja ku ka pohuar qartë që s’ka pasur asnjë vendim të kësaj natyre. Pjesëmarrja e tij në Parlament ka qenë, sepse ai ka menduar që do të votohej një rezolutë për integrimin sot. Në fakt, s’ka pasur një të tillë, ishin vetëm deklaratat e fillimit.

Sa shqetësuese do të ishte për ju si forcë politike largimi i tij, duke kaluar nga nivel këshilltarësh në rang deputetësh, gjithnjë duke e marrë të mirëqenë largimin e z. Bitri nga LSI-a?

S’kam asnjë shqetësim për asnjeri, i cili nuk ka më motive të militojë në një forcë politike me një ritëm të tillë siç është LSI-a. Sepse ku ka ritëm të lartë, ka edhe njerëz që i lë pas. Kështu që, ata që kanë ritme të tilla dhe janë pre e meskiniteteve të vogla, janë sigurisht një lajm i mirë që të mos jenë në një forcë politike, e cila ka një tjetër standard politik, tjetër qasje politike dhe që, pse jo, i ka dhënë dhe një ritëm tjetër gjithë opozitarizmit shqiptar, gjë që është evidente edhe në sytë tuaj.

Si ndihet LSI sot përballë qytetarëve, përballë elektoratit dhe nga ana tjetër si shkon koordinimi me Partinë Demokratike? Si paraqitet situata?

Besoj që koordinimi politik brenda opozitës është në sytë tuaj, sepse nuk mund të jetë okult. Veprimet ju i keni parë. Qoftë veprimet më të ngushta parlamentare, qoftë në qëndrimet apo reagimin e fortë në mbështetje të reagimeve qytetare, qoftë në protesta të dimensioneve shumë të mëdha siç ishte ajo e 27 janarit, krahas një fronti shumë të mirë opozitar, i cili është i motivuar, ka kauzën e duhur përballë një qeverisje, e cila është një fatkeqësi e madhe për vendin dhe për gjithë qytetarët shqiptarë, jo vetëm për opozitarët. Janë qytetarët që e kanë prirë këtë situatë, pasi mijërat e bizneseve që mbyllen, nuk janë biznese politike. Edhe gjithë ata njerëz që ikin nga Shqipëria në emigracion nuk janë anëtarë të LSI-së apo të Partisë Demokratike, janë sigurisht mijëra shqiptarë të dëshpëruar. Jemi vendi i parë në Evropë për emigracionin e paligjshëm të moshës 7 deri në 17 vjeç. Është tragjike edhe që ikin forcat aktive të punës, por që fëmijë ikin në Evropë dhe ndodhen rrugëve të saj nën prenë e krimit të organizuar atje, nën prenë e trafikut të organeve, të kthimit në spaçatorë, të kthimit në vrasës gjakftohtë, pre e pedofilisë, besoj që është një nga gjërat më të dhimbshme, një fakt i bërë publik nga institucionet evropiane. Dhe kjo ka ardhur thjesht dhe vetëm pasi institucioni i votës së lirë u rrënua në vitin 2007. Ju sot keni, përveç deklaratave të OSBE/ODIHR-it, edhe një deklaratë shumë të fortë të ambasadorit të OSBE-së, Borchard, i cili vë në plan të parë, atë që ne kemi thënë shpesh, shitblerjen e votës, pra shitblerjen e shoqërisë shqiptare.

 

Intervista për News 24/ balkanweb

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here