Në Shqipëri nisin të kapen “PESHQIT E MËDHENJ”…prej vërteti! (VIDEO+FOTO)

0
311

Togfjalëshi “peshqit e mëdhenj” na e ka vrarë shumë veshin muajt e fundit, pasi atë nisi ta artikulojë ambasadori amerikan Donald Lu, i cili kërkon nga organet e drejtësisë dhe Prokuroria ndalimin e eksponentëve të botës së krimit si dhe politikanëve apo zyrtarëve të korruptuar.

Por peshqit e mëdhenj (ato prej vërteti, jo ato të artikuluar në mënyrë figurative nga politika shqiptare) janë kapur këto ditë nga peshkatarët e Durrësit.

Ervis Llaftiu, administrator i njërës prej magazinave të peshkut, rrëfen për DurrësLajm se peshkaqeni i kapur një ditë më parë, ka rënë në rrjetat e anijes së peshkimit në thellësinë 400-500 metra.

Peshkatarët janë surprizuar vërtet kur kanë parë në rrjetë peshkaqenin rreth 120 kg, një specie mjaft e preferuar nga kuzhinierët e restoranteve të Durrësit. Dhe sapo mbërriti në magazinë, peshkaqeni u ble menjëherë nga pronarët e lokaleve.

Megjithëse peshkaqeni është një specie e rrallë për brigjet tona, vitet e fundit kanë ardhur në rritje rastet kur peshkatarët durrsakë kanë kapur lloje të ndryshme të këtij grabitqari, madje të përmasave 2 apo 3 herë më të mëdhenj sesa këta të kapur 3 ditët e fundit në Durrës.

Po ndërsa peshkaqeni i kapur dje është një specie pak a shumë e zakontë në ujërat e detit Adriatik, Llaftiu tregon se surprizë e vërtetë për njerëzit e detit ishte kur, pak kohë më parë, në rrjetat e tyre përfundoi peshkaqeni tigër, që shihni në foto.

Peshkaqeni tigër njihet si një grabitqar mjaft agresiv dhe është i rrallë në brigjet tona.

Duket se përmirësimi i kushteve të motit, ka sjellë një periudhë mjaft të mirë për flotën e peshkimit të Durrësit. Larmia e llojeve të ndryshme të peshqve, që vihet re në vitrinat e dyqaneve dhe magazinave të peshkut në qytetin bregdetar ofron edhe për konsumatorët mundësi më të madhe zgjedhjeje dhe njëkohësisht provimin e shijeve të ndryshme për të apasionuarit pas prodhimeve të detit.

/portali DurresLajm/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here