Drejtuesi i departamentit të mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi së bashku me dy ekspertët e shkencave pyjore, Hasan Cani dhe Genti Spahiu, ka denoncuar sot në një deklaratë të drejtëpërdrejt nga selia e Partisë Demokratike, një skandal mjedisor në pyjet e Fushë Arrëzit.
Sipas denoncimit dhe fotove të Malltezit, të gjithë drurët e pyllit janë prerë për llogari të kryetarit dhe nënkryetarit të Bashkisë së Fushë Arrëzit – të dy nga Partia Socialiste. Në fotot e denoncimit shihet sesi pirgjet e mbeturinave kanë mbushur hapësirën e pyllit të zhveshur nga prerja e drurëve.
Këto veprime sipas Malltezit, janë në shkelje të hapur të moratoriumit të pyjeve.
“Dita e Tokës në Tiranë u festua me shtëllungat vdekjeprurëse të tymit kancerogjen që ishin sot dëshmia më tronditëse se mjedisi në Shqipëri nuk është prioritet.
Prioritetet e Edi Ramës janë inceneratorët, kullat, betonizimi, prerja e pyjeve, gjithçka që shkon kundër shëndetit të qytetarëve.
Reja gjigande kancerogjene që zgjati për disa orë në Tiranë, nuk është e vetmja katastrofë mjedisore. Se bashku me Dr. Shkencave Pyjore Hasan Cani dhe ekspertin Genti Spahiu sapo jemi kthyer nga Fushë Arrëzi, të cilin e zgjodhëm me qëllim zbulimin e një masakre tjetër mjedisore në Ditën e Tokës
Në shkelje të plotë të çdo ligji që mbron mjedisin dhe pyjet, mbetjet në Fushë Arrëz hidhen në pyll, i cili, edhe pa këto mbetje është në gjendje të mjeruar. Pylli është i prerë, deri edhe tek filizat e rinj. Banorët e zonës e dinë që përfituesit kryesorë të masakrës mjedisore janë Kryetari dhe nën-kryetari i Bashkisë së Fushë Arrëzit. Inxhinier Lulashi u pushua nga puna pak kohë më parë, sepse respektoi ligjin e moratoriumit të pyjeve dhe gjobiti vëllain e nenkryetarit socialist.
Moratoriumi i pyjeve është një copë letër pa vlerë edhe në Librazhd. Banorët e zonës atje denoncojnë Taulantin si protektorin e masakrimit të pyjeve dhe shitjes prej miliona lekësh të lëndës drusore.
Sipas informacioneve zyrtare kontrollet në pyje nuk funksionojnë fare qoftë nga strukturat menaxhuese të qeverisjes vendore, qoftë edhe nga Inspektoriati Shtetëror i Mbrojtjes së Mjedisit dhe Pyjeve. Megjithatë, ne jemi të bindur se nuk ka moratorium që i ndal Taulantët të shkatërrojnë pasurinë kombëtare për pasurimin e vet.
Nëse do të zhvishnim realitetin nga propaganda qeveritare, ajo që mbetet nga tabloja mjedisore janë pyje që priten, toka që shemben, mbetje që mbulojnë tokën dhe ajër kancerogjen.
Qeveria pretendon se ka mbjellë miliona pemë, por, në të vërtetë, miliona jane pemët e prera, ndërsa qindra miliona euro po vidhen për disa inceneratorë që djegin mbetjet dhe pasurojnë bandën në pushtet.