Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati ka bërë me dije se javën tjetër do të takohen ekspertët grekë dhe ato shqiptarë, lidhur me bisedimet mes dy vendeve.
Duke folur për Zërin e Amerikës, Bushati tha se vonesat janë shkaktuar për shkak të debateve të brendshme në Shqipëri, ndërsa ka shtuar se është e rëndësishme që të kemi një marrëveshje sa më të mirë, sa më të drejtë dhe sa më të zbatueshme.
“Ka pasur vonesa për shkak të situatës së brendshme, por edhe për shkak të nevojës për një akordim më të mirë nga ana jonë. Javës tjetër do ketë një takim në nivel ekspertësh për përcaktimin e vijës kufitare”, u shpreh Bushati.
Duket se çështje e njohur si “Çame” është ende ngërç për dy vendet edhe pse Bushati thotë se ajo është e përfshirë në programin politik të PS-së që prej vitit 2013.
Ai shprehet se mes dy vendeve ka qasje të ndryshme për këtë problem, duke shtuar se Greqia dhe Shqipëri nuk duhet që të mbesin peng të historisë por të zbusin plagët e të kaluarës.
“Çështja çame është e përfshirë në programin politik të qeverisë nga 2013. Mënyra si konceptohet kjo çështje është e ndryshme. Kjo është një çështje e lirive dhe e të drejtave themelore të njeriut. Është një çështje që ka të bëjë me përgjegjësinë individuale, e të drejtave pronësore. Është një çështje që ka të bëjë edhe me të drejtën e kujtesës me atë që ka ndodhur. Ne nuk duhet të mbetemi peng të historisë, por të gjejmë rrugë që zbusin plagët e të kaluarës”, tha Bushati.