Lufta ndaj drogës dhe Kryeministrit: Një fakt që nuk e di zonja Vlahutin…

0
531

Zëvendës Kryetar i LSI-së Luan Rama ka reaguar në facebook pasi Vlahutin dorëzoi raportin e rekomandimit për çeljen e negociatave. Rama shkruan se Vlahutini duket se ka harruar problemin e madh të Shqipërisë, luftën ndaj trafikut të drogës.

Postimi i plotë:

Duke qenë i një mendjeje me vlerësimin që bëri zonja Vlahutin, në cilësinë e shefes së misionit të BE-së në Tiranë në mbledhjen e Komitetit të Integrimit, ku teksa dorëzoi raportin e Komisionit Europian me rekomandimin për çeljen e negociatave, ndër të tjera theksoi edhe rëndësinë e luftës ndaj trafikut të drogës, e çmoj me vend dhe e vlerësoj të rëndësishme ta rrëmoj edhe ca më thellë këtë problem të madh të shoqërisë shqiptare e veçmas qasjen e qeverisë, për të ndarë publikisht me zonjën Vlahutin edhe një fakt që me sa duket ajo nuk e di. Në vitin 2001, më konkretisht më 26 mars të atij viti, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin nr. 8750 “Për parandalimin dhe luftën ndaj trafikut të substancave narkotike ose psikotrope”, i ndryshuar me ligjin nr. 10375, datë 10.2.2011 dhe nr. 88/2016 datë 15.9.2016, i cili në nenin 3 thotë shprehimisht: “Krijohet Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës, nën drejtimin e Kryeministrit”. E në vijim, i njejti nen sanksionon: “ Komiteti mblidhet të paktën 2 herë në vit dhe ka për detyrë të përcaktojë drejtimet e politikës së përgjithshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar të parandalimit të dhe të luftës kundër prodhimit e përhapjes së paligjshme të substancave të sipërpërmendura, të promovojë fushata për të bërë të njohura efektet negative të drogës, masat e parandalimit, asistencën shëndetësore dhe të dhënat epidemiologjike dhe statistikore, rehabilitimin dhe integrimin e toksikodipendentëve. Komiteti administron sistemin e mbledhjes së të dhënave kombëtare që lidhen me aspekte të luftës ndaj drogës që jepen çdo vit nga secila ministri!” Ky Komitet nuk është krijuar zonja Vlahutin, e për rrjedhojë, gjendemi përpara faktit që qeveria shqiptare e më drejtpërdrejtë Kryeministri, nuk ka përmbushur detyrimet e ligjit! Sipas nenit 5 të të njejtit ligj, “Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit, nëpërmjet Kryeministrit, brenda datës 30 mars të çdo viti i paraqet Kuvendit një relacion me të dhënat që kanë të bëjnë me paraqitjen e dukurisë së drogës në Shqipëri, me strategjitë e përshtatura, me objektivat e arritura dhe orientimet e ardhshme të Qeverisë për detyrimet ndërkombëtare! Edhe ky detyrim ligjor i drejtpërdrejtë apo taksativ nuk është përmbushur nga ana e Kryeministrit zonja Vlahutin! Sepse asnjëherë më parë dhe as këtë vit deri me datën 30 mars siç e parashikon ligji, ky raport nuk i është paraqitur Kuvendit të Republikës së Shqipërisë! Mosnjohje e detyrimit logjor apo neglizhencë? Mungesë respekti e mosvlerësim për Kuvendin apo çfarë mund të jetë kjo qasje në moszbatim të ligjit nga ana e Kryeministrit?! Mund të jetë secila prej arsyeve të mësipërme, por unë mendoj se mbi te gjitha ato qëndron mungesa e përgjegjësisë dhe e seriozitetit në ushtrimin e detyrimeve qeverisëse! Analiza është e thjeshtë: Komiteti Kombëtar i Bashkërendimit të Luftës Kundër Drogës të cilin duhet ta drejtojë Kryeministri, nuk krijohet, për rrjedhojë nuk funksionon. Duke mos qenë, duke mos ekzistuar, nuk ka as relacion që po nëpërmjet Kryeministrit duhej t’i paraqitej Kuvendit! Atëherë lindin një mori pyetjesh: nga merren të dhënat? Kush i përpunon? Kush i analizon? Cilat janë strategjitë? Kush çmon se cili institucion e ka kryer detyrën dhe kush jo? Kush përcakton përgjegjësitë?Po detyrimet ndërkombëtare?… Sepse të gjitha këto janë detyrë e Komitetit dhe Kryeministri duhet t’ja paraqesë Kuvendit! Arroganca dhe mospërfillja e institucioneve, mungesa e respektit dhe e edukatës së zbatimit të ligjit, nuk kanë asgjë të përbashkë me shtetin e së drejtës dhe as me Europën e vlerave, në udhën drejt së cilës presim të na çelen negociatat. Në përfundim, lufta kundër drogës dhe të gjitha implikacioneve kriminale ose jo të saj, eshtë detyrim, është sfidë e të gjithë shoqërisë shqiptare, por mbi çdo gjë, është përgjegjësi e qeverisë dhe e kryeministrit! Kështu thotë ligji, edhe pse Kryeministri nuk e ka zbatuar atë! Lufta ndaj drogës nuk bëhet me retorikë, por me forcën e ligjit dhe institucione që e zbatojnë ligjin!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here