Themeluesi i Partisë Demokratike, Arben Imami, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka bërë një përcaktim për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Imami ka thënë me ironi se Basha, nuk është kryetari i PD-së, por kryetari i Republikës së Re, që nuk do të vijë kurrë në Shqipëri.
Imami: Z. Basha është kryetar i Republikës së Re që nuk do të vijë asnjeherë në pushtet në këtë vend. Ky është fat i keq për PD, por fati i madh që nuk vjen një Republikë e Re. Ai është vetëshpallur kryetar i Republikës së Re, nuk është kryetar i Partisë Demokratike.
Më tej, Imami foli edhe për mbledhjen e Kongresit të Partisë Demokratike, që sipas tij do të jetë një shoë ku do të flasin vetëm disa fshatarë dhe më pas vetë kryetari Basha.
Imami: Jam aksidentalisht ende në PD. Plani për asgjesimin e fribrës ka egzistuar që në vitin 2014, ndërsa unë kam mbetur atje aksidentalisht pasi kam drejtimin e një fondacioni në PD. Ky kongres është thjesht një gjë për të hequr vemendjen nga lobimi në SHBA. Unë kam bindjen që nuk e lejuan z.Basha ta bënte këtë lëvizje. Thjesht është një kuvend për të tërhequr vëmendjen dhe nuk ekziston asnjë kuvend vetëm për statutin . Nuk kemi pasur deri më tani kuvend për statutin, është hera e parë dhe plus nuk ka asnjë ndryshim, është kot. Në kongres nuk ka diskutime, do flasin ca punonjës dhe pastaj do flasi në fund vetë Basha, si ato kongresët e ish Bashkimit Sovjektik, do flasë një fshatar që ka prodhuar grurë. Do flasin 3-4 njerëz nga fusha të ndryshme, dhe në fund kryetari i partisë, kaq. Kisha në plan të shkoja, që të mbaja fjalimin tim, as në Këshillin Kombëtar nuk u lejuam të flasim . U vendos më shumë votash që mos të flasim.