Monedha e përbashkët ka shënuar sërish një tjetër rënie në tregun e brendshëm, duke u këmbyer ditën e sotme me 128,86 lekë, 0,2 lekë më pak se një ditë më parë dhe duke zbritur në nivelin më të ulët të 10 viteve, që u arrit edhe në fillim të muajit prill.
Rënia e euros në tregun e brendshëm është ndihmuar dhe nga dobësia e saj në tregjet ndërkombëtare. Në bursa, një euro u këmbye sot me 1,2 dollarë, që është niveli më i ulët që nga mesi i muajit janar, si rrjedhojë e deklaratave të kreut të Bankës Qendrore Europian, Mario Draghi, që nënvizoi se rritja e eurozonës është e qëndrueshme, por megjithatë i mbajti normat e interesit të pandryshuara.
Pavarësisht ndikimit nga bursat ndërkombëtare, në trendin afatgjatë, euro ka qenë e dobët në tregun e brendshëm. Në krahasim me një vit më parë, euro ka rënë me 6,4 lekë, ose 4,7% (në 27 prill 2017 një euro u këmbye me 135,24 lekë sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që në bursa për të njëjtën periudhë monedha e përbashkët është mbiçmuar me 11% në raport me dollarin.
Edhe në krahasim me fillimin e këtij viti, kur euro arriti deri në 133,4 lekë, ajo ka rënë aktualisht me 3,4%. Arsyet, sipas aktorëve të tregut lidhen me ofertën e lartë të euros në tregun e brendshëm dhe kërkesën relativisht të dobët për lekë. Arsyet janë të njohura tashmë, si burimet informale, që po kanalizohen në tregun e pasurive të palujtshme, hyrjet nga parapagimet nga turizmi, konvertimet e bizneseve që kanë të ardhura në valutë në datat e pagimit të taksave, politika e deuroizimit të Bankës së Shqipërisë që po nxit daljen e valutës nga bankat, duke rritur ofertën në treg të lirë etj.
Ekspertët e tregut presin që euro të vijojë të jetë ë dobët në tregun e brendshëm me afrimin e sezoinit të verës, ku rritet fluksi hyrës i valutës nga remitancat dhe turistët./Monitor