Merita Bucit: Erdhën me armë në dorë, bërtisnin, qëlluan Agimin dhe më pas …

0
176

Policia e Tiranës dhe efektivë të krimeve në komisariatin numër 5 kanë marrë në pyetje 42 vjeçaren Merita Buci e cila mbeti e plagosur me arme në Kamëz gjatë një tentativë grabitje në marketin e saj.

Në këtë ngjarje të rëndë mbeti i vrarë bashkëshorti i Meritës, Agim Buci i cili dje është përcjellë për në banesën e fundit.

Në dëshminë e saj 42-vjeçarja Buci ka treguar të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë ku mbeti i vrarë burri i saj.

“Nuk kishte shkuar ende ora 9 kur unë dhe bashkëshorti im Agimi do fillonim të bënim mbylljen e llogarive të dyqanit. Për një moment Agimi largohet për të marrë diçka te dhoma ngjitur.

Në dyqan kishim edhe djalin 6 vjeç, Gertin. Në një moment futen në dyqan dy persona. I pari që hyri pash që kishte një pistoletë.

Filluan të bërtisnin duke kërkuar lekët. Për të mbrojtur djalin kapa çfarë gjeja aty përreth dhe po filloja t’i gjuaja që të largoheshin. Gerti filloi të bërtiste dhe në atë moment shoh që nga mbrapa vjen Agimi.

Kap njërin prej autorëve i cili kishte një thikë në dorë ndërsa personi që kishte armën qëlloi Agimin.

Në atë moment marr thikën që kisha aty sipër dhe po u kërkoja të largoheshin ndërsa më qëlluan edhe mua në këmbë. Ishin të veshur me rroba të trasha e të gjera dhe në kokë kishin vënë kapuça të zinj që të mos njiheshin.

Në dyqan nuk kishim më shumë se 100 mijë lekë të vjetra. Po kërkoja ndihmën e komshinjve që të largonin djalin që aty”.

Në polici janë shoqëruar më shumë se 30 persona për t’u marrë në pyetje. 2 prej të shoqëruarve janë autorë të dyshuar.

Kontrolle janë kryer edhe në banesat e tyre për të verifikuar edhe rrobat që autorët mbanin të veshur ditën e ngjarjes. Ndërkohë që Merita Buci ndodhet akoma në Spitalin Ushtarak.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here