Gjatë intervistave për “Monitor”, bankierët kanë shprehur, pa pranuar të identifikohen, disa nga shqetësimet kryesore të tyre, që lidhen me zhvillimet e fundit në sistemin bankar, apo dhe me ekonominë në përgjithësi.
Ata nuk e shohin me sy pozitiv riorientimin e ekonomisë drejt ndërtimit, përqendrimin e burimeve ekonomike në projektet e Partneritetit Publik-Privat, ndërsa janë skeptikë edhe për përpjekjet e bizneseve shqiptare pa përvojë financiare për t’u diversifikuar në sistemin bankar.
Orientimi i ekonomisë drejt ndërtimit dhe PPP-ve
Bankat nuk e shohin me shumë optimizëm rendjen e sipërmarrësve drejt ndërtimit dhe as nuk janë shumë aktive në financimin e këtij sektori, madje janë të frikësuara se kjo mund të kthehet në një bumerang në afatin e gjatë. Ata pohojnë se për këtë kanë diskutuar dhe me autoritetet shtetërore, duke i paralajmëruar se po shtrohet rruga drejt një flluske.
Kombinimi i parave të bankave me paratë që vijnë nga ekonomia informale dhe kanalizimi i tyre në ndërtim është një tjetër problem, sipas një bankieri tjetër.
“Së fundmi po dëgjojmë të flitet vetëm për kulla dhe PPP”, – pohon një tjetër bankier. “Do të preferoja më shumë të dëgjoja për hapjen e 10 SME-ve, sesa për këto projekte të mëdha”.
Kredia për ndërtim nuk po ndjek ritmin e sektorit, i cili i është rikthyer ciklit rritës. Sipas statistikave të fundit të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për sektorin e ndërtimit, në fund të muajit janar, arriti në 45.9 miliardë lekë, me një rënie prej 0.8% në raport me muajin e mëparshëm. Ky është muaji i dytë me tkurrje, pasi edhe në dhjetor, huaja ra me 2.7%.
Në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë (janar 2017), stoku i kredisë për ndërtim është gjithashtu në tkurrje, me -2.6%. Tendenca rënëse e stokut tregon se kredia e re që jepet është më e ulët se këstet që kthehen, ndërkohë që ka dhe fshirje të huave të pakthyera në afat. Ndërtimi ka qenë historikisht një sektor problematik dhe deri në fund të vitit 2015, huaja e pakthyer në afat e ndërtuesve ishte sa 38.1% e totalit, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse pesha e huave me probleme ka rënë për shkak të fshirjeve, kjo bën që bankat të jenë shumë të kujdesshme me huanë e re.
Në të kundërt të kësaj tendence, ndërtimi po përjeton një rigjallërim të dukshëm, e konstatuar dhe nga shtimi i lejeve të ndërtimit. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë.
Përqendrimi më i madh i lejeve ka qenë në kryeqytet. Sipas INSTAT, në Tiranë u dhanë për gjithë vitin 2017 gjithsej 231 leje, me një rritje prej 118% në krahasim me vitin e kaluar, ose 125 leje më shumë.
Në rritje ka qenë dhe sipërfaqja e lejeve të ndërtimit të dhënë në kryeqytet. Në vitin 2016 janë dhënë gjithsej 106 leje ndërtimi në Tiranë, për një sipërfaqe prej 209.3 mijë metra katrorë, ndërsa në 2017-n, numri i lejeve arriti në 231, për një sipërfaqe totale prej 522 mijë metra katrorë. Pra për sipërfaqe, rritja ishte 2.5 herë. Sipërfaqja e planifikuar për ndërtim në Tiranë, është sa 60% e totalit për gjithë Shqipërinë, gjë që flet për një përqendrim gjithmonë e më të madh të aktivitetit ekonomik në kryeqytet.
Bankierët kanë rezerva dhe për financimin e projekteve të Partneritetit Publik-Privat. Financimi i një projekti të tillë do të kërkonte një kredi sindikatë, pasi asnjë bankë nuk mund të japë hua të madhe (për shkak të kufizimeve mbi kapitalin për dhënien e një huaje të vetme). Në këtë mënyrë, sipërmarrjet do të ishin të ekspozuara në këtë proces, pasi mund të kenë hua të tjera që kanë marrë në një nga bankat që mund të bashkëpunojnë për kredinë sindikatë.
Largimi i bankave të njohura perëndimore dhe tentativat e bizneseve vendase aktive në fusha tregtare apo të ndërtimit, për t’i zëvendësuar duke hyrë në pronësinë e sistemit bankar
Pothuajse të gjithë bankierët kanë shprehur hapur keqardhjen për largimin e bankave me kapital perëndimor dhe mungesën e interesit të të tjerave për të hyrë në të. Nga ana tjetër, ata janë skeptikë për interesin e sipërmarrjeve vendase, pa përvojë në fushën financiare, që duan të diversifikohen në sektorin bankar, teksa bankat janë një sektor i vështirë, që kanë një kthim të vonë dhe të ulët nga kapitali.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka këshilluar që të tregohet shumë kujdes në përzgjedhjen e blerësve të rinj në këtë proces mjaft të rëndësishëm transformues. “Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg, kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar”.
Anita Tuladhar, shefja e misionit të FMN-së për Shqipërinë, ka pohuar që është tendencë e gjithë rajonit, që bankat me kapital europian po ulin ekspozimin e tyre në treg. Në Shqipëri, tashmë kanë dalë nga tregu Veneto dhe NBG, ndërsa priten më shumë konsolidime. “Pikëpyetja është kush po blen dhe duhet të sigurohemi që blerësi të përmbushë standardet ndërkombëtare”, tha ajo. “Janë paratë e publikut në lojë”.
Në deklaratën e fundit, FMN thekson se “Përmirësimi i mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit bankar, në përputhje me standardet e BE-së, do t’i vinte në dispozicion BSH-së mjetet për t’i menaxhuar më mirë risqet e bankave me rëndësi sistemike dhe të krijonte amortizues të kapitalit. Konsolidimi i tanishëm i bankave, me shitjen e aktiveve nga bankat me pronësi europiane, sjell risqe sa i takon drejtimit të brendshëm të tyre.
“Do të jetë me rëndësi kritike të sigurohet se pjesëmarrësit e rinj në treg kanë përvojë solide bankare dhe se i përmbushin kriteret e duhura për përshtatshmëri dhe aftësi për të ushtruar aktivitet në tregun bankar shqiptar. Monitorimi strikt i bankave me rëndësi sistemike do të duhet të fuqizohet më tej, për ta kufizuar riskun e huamarrësve të mëdhenj dhe për ta zbutur riskun e huadhënies mes palëve të lidhura”, ka rekomanduar FMN.
Monitor