Astrit Patozi, ish-deputet i PD-së, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me dorëzimin e mandatit të deputetit nga Sajmir Tahiri.
“Nëse Saimir Tahiri paska qenë një peshk i vogël, siç po thuhet, atëherë rrugë të mbarë gjuetisë së “peshkaqenëve”, pavarësisht krahut që kanë zgjedhur për të qëndruar në oqeanin e zullumit! Nuk ka fare rëndësi, nëse janë shefa apo kundërshtarë të tij”, shkruan Patozi në komentin e postuar.
Postimi i Astrit Patozit
SHPIRTRAT QË MUND TË KETË TRAZUAR DORËZIMI i SAIMIR TAHIRIT
Nëse Saimir Tahiri paska qenë një peshk i vogël, siç po thuhet, atëherë rrugë të mbarë gjuetisë së “peshkaqenëve”, pavarësisht krahut që kanë zgjedhur për të qëndruar në oqeanin e zullumit! Nuk ka fare rëndësi, nëse janë shefa apo kundërshtarë të tij.
Cilado qoftë arsyeja e dorëzimit të tij tek drejtësia, ata që bëjnë prej kohësh gjumë të trazuar, për shkak se e dinë ç’kanë bërë, kanë një arsye më shumë të shikojnë ëndrra të keqija.
Të paktën nuk qëndron më alibia se mbrojtja e ish-ministrit me imunitet ishte një barrikadë e fortë për pandëshkueshmërinë.
Dhe kjo nuk ka të bëjë shumë me atë që mund të thotë apo tregojë vetë Tahiri gjatë hetimit të tij.
Më tepër se kaq, është djegia e një etape tjetër në një proces me sa duket të pakthyeshëm, dhe me shumë gjasë ky është shkaku se pse po përvëlon kaq shumë.
Është ai momenti, kur e ndjen se po të ngrihet niveli i ujit dhe ti e di që nuk mund të notosh, ngaqë t’i kanë lidhur duart.