Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Medias dhe Edukimit, Albana Vokshi u shpreh pasdite në “News 24” se Partia Demokratike do të padisë ministret e Shëndetësisë dhe Arsimit si dhe kryeministrin Rama për vjedhjen e të dhënave personale. Vokshi tha se marrja e paligjshme e të dhënave personale të prindërve dhe pacientëve bëhen për arsye elektorale.
“Kemi marrë shumë denoncime nga prindër të cilëve u është kërkuar që të depozitojnë të gjitha të dhënat personale, të cilat ato ruhen me ligj sepse janë konfindenciale. Të dhënat e kërkuara që nga numri i kartës, e çdo gjë tjetër, si emër, mbiemër, numër telefoni etj, janë të dhëna që ruhen me ligj dhe nuk mund të merren e të përdoren. Po shkelet neni 35 i Kushtetutës dhe ligji për mbrojtjen e të dhënave personale. Falë presionit tonë kanë hequr dorë nga numri i kartës së identitetit. Por PD do të depozitojë nga nesër padi penale për këtë që po ndodh me këto të dhënave. Kush e shpjegon se pse këto të dhëna duhet të shkojnë në kabinetin e kryeministrit? Kjo ka vetëm qëllimin për arsye zgjedhore. Pra Kryeministri ka vendosur të ngrejë një bazë për zgjedhësit që ti përdorë ato për qëllime elektorale. Padia jonë do nisë me kryeministrin Rama si dhe me dy ministrat por edhe për çdo drejtues institucioni që guxon të administrojë të dhëna personale”, tha Vokshi.