Pecetat e lagura, zakonisht të përdorura për të fshirë gishtat pasi janë bërë pis me ndonjë lëndë ngjitëse, apo heqjen e “make up”-it të syve, sikurse edhe për pjesë të tjera të trupit veçanërisht te bebat e vegjël, ndoshta do të duhet të zhduken edhe vet nga qarkullimi në dy dekadat e ardhshme.
Qeveria britanike ka njoftuar planet e saj për eliminimin e mbetjeve plastike, që përfshijnë edhe produktet njëpërdorimshme si pecetat e lagura. Sipas argumenteve të saj, këto letra përmbajnë plastikë të padekompozueshme.
Në këtë mënyrë, prodhuesit ose do të duhet të prodhojnë peceta pa plastikë në përbërje, ose konsumatorët do të duhet të bëjnë pa to.
Pecetat e lagura rezultojnë shkaktare të 93 për qind të bllokimeve të kanalizimeve në Britani, një element kyç i pengesave gjigante famëkeqe të njohura si “fatbergs”, apo grumbuj të mëdhenj të ngurtësuar që bllokojnë kanalizimet, sipas organizmit “Water UK” që përfaqëson të gjitha kompanitë e ujësjellësit dhe kanalizimeve në ishull.
Kjo ka detyruar qeverinë dhe industrinë të fokusohen në fushatat bindëse ndaj konsumatorëve për të mos i hedhur ato në sistemin e ujërave të ndotur.
“Jemi duke punuar me prodhuesit dhe shitësit me pakicë të letrave të lagura, që të sigurojnë se etiketimet në paketim të jenë të qarta dhe njerëzit të dinë qartësisht sesi t’i përdorin ato më së miri”, tha një zëdhënës i Departamentit të Mjedisit (DEFRA).
Kryeministrja Theresa May u zotua gjatë janarit të zhdukte “të gjitha mbetjet e shmangshme të plastikës” deri në vitin 2042. Qeveria ka thënë gjithashtu se do të konsultohet mbi faktin nëse duhet apo jo t’i ndalojnë paketimet plastike të shumë produkteve./tch