Grabitja e postës sekrete të Prokurorisë. Dyshime për “lidhje” me ‘financierin’ e Habilaj…

0
267

Posta sekrete e Prokurorisë së Durrësit, në të cilën dyshohet se kishte dokumente të klasifikuara, është grabitur paraditen e djeshme në mes të qytetit.

Dy persona ende të paidentifikuar sulmuan korrierin e Prokurorisë para se të dorë- zonte pranë këtij institucioni materialet që kishte tërhequr nga posta. Ai po lëvizte në këmbë nga posta qendrore, që ndodhet në qendër të qytetit drejt Prokurorisë së Durrësit në kohën kur është sulmuar. Sipas dëshmisë së tij, sapo ka dalë nga posta është përballur me dy djem të rinj që mbanin kapele dhe syze, të cilët i kanë marrë me forcë çantën ku ndodheshin materialet.

Më pas ata janë larguar me shpejtësi në këmbë, duke humbur gjurmë rrugicave. Nuk dihet se çfarë konkretisht kishte në çantën e postierit, pasi edhe vetë Prokuroria ishte hermetike në dhënien e detajeve duke qenë se ishte i përfshirë vetë institucionalisht në këtë ngjarje. Gjithsesi, nuk përjashtohet dyshimi se personat që vepruan në mes të ditës dhe në mes të qytetit, kanë qenë të interesuar për zhdukjen e ndonjë dokumenti a dosje.

Një ndër dosjet që pak muaj më parë i ka kaluar për kompetencë Prokurorisë së Durrësit dhe mbetet ende në hetim dhe me shkëmbim informacioni zyrtar nëpërmjet postës, është edhe ajo e Nezar Seitit, i cili u arrestua në Shqipëri për llogari të dosjes “Habilaj”. Tashmë Prokuroria e Durrësit po heton në lidhje me procedurën e ndjekur për ekstradimin e tij në Itali, teksa ishte në hetim dhe i arrestuar për tjetër dosje penale në vendin tonë.

Burime të gazetës thanë se në praktikën zyrtare në prokuroritë e rretheve, posta sekrete përmban disa lloj dokumentesh të rëndësishme. Përgjithësisht, materialet sekrete prokurorive u shkojnë me postë, si e vetmja mënyrë për t’u protokolluar zyrtarisht dhe mund të përmbajnë edhe dokumente të klasifikuara apo transkripte të përgjimeve që sjell Prokuroria e Përgjithshme.

Dyshohet që autorët kanë pasur informacion për ndonjë dokument të rëndësishëm, që po transportohej drejt Prokurorisë dhe për arsye e rrethana ende të paqarta ata nuk kanë lejuar që të përfundojnë në Prokurorinë e Durrësit.

Organi i Akuzës e konfirmoi dje grabitjen. Por sipas saj, nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka pasur materiale të cilat klasifikohen si “sekret shtetëror”.

“Lidhur me rastin ju informojmë që kjo ngjarje ka ndodhur sot (dje) rreth orës 10:30, ku punonjësi i postës së Prokurorisë Durrës ka qenë objekt i sulmit nga persona të pa identifikuar. Po kryhen veprimet hetimore me përparësi për verifikimet e rastit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë të Qarkut Durrës. Duam të theksojmë se nga përmbajtja e akteve të marra nuk cenohet hetimi për ndonjë nga çështjet dhe nuk ka pasur materiale, të cilat klasifikohen si sekret shtetëror. Për momentin, në mirëkuptimin tuaj për shkak të hetimit që po kryhet dhe sekretit të tij, nuk mund të japim më shumë të dhëna”, mbyllet reagimi i Prokurorisë.

Fillimisht ngjarja u tentua të mbahej e fshehtë, por më pas edhe Policia e Durrësit e konfirmoi atë nëpërmjet një deklarate të shkurtër për shtyp. Gjatë dëshmisë së dhënë në Polici, punonjësi i Prokurorisë ka deponuar se nuk kishte dijeni se çfarë materialesh përmbanin zarfet e tërhequra në postë./ PANORAMA

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here