Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ishte i ftuar në studion e Fax News për të folur për çështjen kryesore të tre ditëve të fundit, atë të ndryshimit të nenin 491 të Kodit të Procedurës Penale nga qëveria dhe ministri Fatmir Xhafaj.
Opozita aludon se këtë gjë, ministri Xhafaj e ka bërë për të shmangur ekstradimin dhe vuajtjen e dënimit të vëllait të vet Agron Xhafaj, i cili është dënuar në mungesë në shtetin Italian.
Vasili u shpreh se kalimi i këtij neni në seancën plenare në Kuvend ku edhe është votuar, është futur tinëz pa kaluar në ndonjë komision parlamentar. Gjë e cila sipas Vasilit është çështje e rëndë shtetërore pasi Parlamenti ka bërë falsifikim dokumentash. Ai bëri thirrje për shfuqizim të nenit dhe hetim të Prokurorisë për të zbardhur si ka kaluar ky nen dhe kush do të mbajë përgjegjësi për këtë.
“Nëse ka një nen i cili siguron pandëshkueshmërinë, ky nen nuk mund të ekzistojë në Kodin e Procedurës Penale. Për një faj të caktuar do të dënohesh. Çdo të thotë kjo që të shmangësh dënimin për një vepër të kryer në një vend tjetër? Që ne nuk e njohim drejtësinë Evropiane? Si mund të mbrojmë ne pandëshkueshmërinë? Kushdo që i ka bërë shërbim një neni të tillë, është fajtor përpara shqiptarëve. Ky nen duhet të shfuqizohet dhe ekstradimi të kthehet.” – u shpreh deputeti i LSI.
Petrit Vasili është shprehur se këto ndryshime kanë kaluar vetëm me firmat e deputetëve socialistë.
“Unë nuk dua të flas përpara hetimit të hollësishëm. Përpara kemi një çështje konkrete. Asnjë nen i vetëm nuk mund të shkojë në sallën e Kuvendit pa u kaluar në komisionin parlamentar. Në asnjë rrugë tjetër nuk mund të shkojnë ndryshimet në Kuvend. Ato ndryshime ndoqën rrugë atipike, po të hetohet dalin përgjegjësit – kush e propozoi, kush e futi etj.
Ky nen ka kaluar në 21 mars 2017. Ministria e Drejtësisë nuk ka qenë propozuese e nenit. Na thanë s’keni asnjë punë sepse këtë e kanë marrë në dorë ekspertët, ata ekspertë që bënë Reformën në Drejtësi.” – tha Vasili.