Një histori e trishtë është ajo e Flutura Temes nga Shijaku. Pas njohjes me shkesi dhe martesës me Afrimin nga Burreli, erdhën në jetë 2 fëmijë, një vajzë dhe një djalë. Në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, ajo tregon se që nga momenti që u bë nënë familja e bashkëshortit filloi ta sulmonte, e fyenin dhe e akuzonin për gjithçka ndodhte në shtëpi.
E detyruar në kushte të tilla, ajo u largua nga banesa së bashku me fëmijët e mitur. Por pas lutjes së vjehrrit ajo u rikthye në shtëpi pas 1 viti, dhe rifilloi jetesën me ta. Megjithatë asgjë nuk kishte ndryshuar, vazhdonin po njësoj dhuna, fyerjet, akuzat, derisa e pa që ishte e pamundur.
Ata u divorcuan për herë të dytë në Gjykatë dhe për shkak të kushteve më të mira financiare fëmijët në kujdestari ju lanë babait.
Por në fakt, gjatë rrëfimit të saj, Flutura thotë se kishte denoncuar disa herë në policinë e Burrelit prindërit e burrit të saj, të cilët sipas saj, ushtronin dhunë psikologjike.
Nisur nga këto reagime, vjehrri i saj, dhe një polic, e kanë dërguar atë në spitalin psikiatrit të Shkodrës, ku ajo mori mjekim për dy javë.
Me sa duket, ky fakt është përdorur në Gjykatë, duke bërë që fëmijët t’i liheshin në kujdestari bashkëshortit, i cili ka probleme me shikimin. Ndaj për fëmijët kujdesën gjyshërit dhe hallat e tyre.
Por ndonëse në vendimin e Gjykatës, Flutura kishte të drejtë të takonte çdo muaj fëmijët e saj.
Megjithatë një gjë e tillë nuk ka ndodhur, pasi Flutura thotë se ka 6 vite pa i parë ata. Sipas saj, të gjitha përpjekjet kanë qenë të kota pasi vjehrra nuk e lejon t’i shohë. Sot ajo ka një apel të drejtpërdrejtë dhe kërkon ndihmë që vogëlushët të shkojnë pranë saj.