Partia Demokratike ka denoncuar me argumenta të reja, mbrojtjen që Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj po i bën vëllait të tij Agron Xhafa,të dënuar nga drejtësia italiane, duke bashkëpunuar me kryeministrin Rama dhe deputetë të mazhorancës.
Në deklaratën e Enkelejd Alibeajt dhe Gazmend Bardhit nga selia blu thuhej:
“Fatmir Xhafaj kërkoi prova që i vëllai i tij është i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe Partia Demokratike shpalosi përpara çdo shqiptari vendimin e dënimit të vëllait në Itali, me 7 vjet e 2 muaj. Pas këtij fakti tronditës, Fatmir Xhafaj u detyrua ta pranonte ekzistencën e dënimit, por u përpoq të shfaqësohej se ai nuk e ka ndihmuar dhe nuk po e ndihmon të vëllain që t’i shpëtojë drejtësisë.
Dje Partia Demokratike, provoi me fakte dhe prova, me dokumente zyrtare të shtetit shqiptar, sesi personalisht Fatmir Xhafaj, ka falsifikuar dokumentet zyrtare për të mundësuar që i vëllai t’i shpëtojë përfundimisht drejtësisë dhe të mos bëjë asnjë ditë burg, pavarësisht se gjykatat italiane e kanë dënuar me 7 vjet e 2 muaj burgim.
Fatmir Xhafaj përfitoi nga pozicioni i tij publik si Kryetar i Komisionit të Ligjeve, që të kontrabandonte dhe impononte në parlament, një dispozitë ligjore: 1. për të pamundësuar ekstradimin e vëllait të tij Agron Xhafaj të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nga Gjykata Italiane e Kasacionit.
2. Po ashtu, për të mundësuar njohjen e vendimit nga drejtësia shqiptare në mënyrë që vëllai i tij Agron Xhafaj të mos bëj asnjë ditë burg as në Shqipëri nga dënimi i tij nga drejtësia italiane për trafik droge.
Fatmir Xhafaj hesht. Ashtu siç heshti për pyetjet që i kemi bërë prej ditësh:
Pse nuk e zbaton vendimin e drejtësisë italiane për vëllain e tij të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Pse nuk vepron Operacioni “Forca e Ligjit” për vëllain e Fatmir Xhafajt?
Edhe pse kanë kaluar 24 orë nga publikimi i dokumenteve zyrtare që provojnë në mënyrë të pakundërshtueshme, falsifikimin që Fatmir Xhafaj i bëri versionit të ligjit të miratuar nga Komisioni i Ligjeve, duke ndryshuar nenin që jep imunitet ligjor dhe liri të përjetshme vëllait të tij, Fatmir Xhafaj nuk ka folur asnjë fjalë.
Fatmir Xhafaj ka shkelur ligjin, dhe ka falsifikuar aktet parlamentare. Këto vepra të rënda penale I ka ndërmarrë për një shërbim të vëllait të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.
Dy kolegët e tij Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, mashtruan sot në mënyrë të pacipë, për t’i ardhur në ndihmë Fatmir Xhafajt, të kapur në flagrancë duke falsifikuar ligjet e Reformës në Drejtësi për të shpëtuar të villain e dënuar për trafik droge. Vasilika Hysi dhe Ulsi Manja, dhe cdo kamikaz i Xhafës dhe Ramës nuk mund të fshehin të vërtetën kriminale: Faktet dhe dokumentet zyrtare të publikuara dje e tregojnë qartë. Ndryshimi u kontrabandua nga Fatmir Xhafaj, me një qëllim të vetëm: I vëllai t’i shpëtojë drejtësisë.
Ky është një krim i dënueshëm nga ligji shqiptar. Në përpjekjen të dëshpëruar për të mbuluar këtë krim, Xhafa dhe kamikazët e tij kanë shpallur se shpëtimi nga vuajtja e dënimit për Agron Xhafaj, të dënuar si trafikant ndërkombëtar droge është standart europian. Se Agron Xhafaj duhet t’i shpëtojë drejtësisë, për shkak se kështu thotë Konventa Europiane e Ekstradimi???
Nuk ka shqiptar që beson këtë gënjeshtër të trashë. Nuk ka shqiptar që beson se në Europë kur dënohesh me 7 vjet e dy muaj burgim për trafik droge nuk bën asnjë ditë burg. Jo, ky nuk është standart Europian, ky është standarti mafioz Xhafaj, ku njëri vëlla merret me drogë dhe dënohet, vëllai tjetër përdor pushtetin politik si Ministër dhe si kryetar i komisionit të ligjeve për ta shpëtuar nga dënimi.”