Për 715 mijë Euro u shit Lamborgini i bardhë në pronësi të Papa Françeskut, gjatë ankandit të organizuar të shtunën në Monte Karlo nga shtëpia e ankandeve Sotheby’s.
Autovetura luksoze iu dhurua Nëntorin e kaluar Atit të Shenjtë nga shtëpia prestigjoze italiane e prodhimit të automobilave Lamborgini. Se kush është blerësi, kjo ende nuk është zbuluar. Por paratë e shitjes së Lamborghini Hurakanit, që shquhet për shpejtësinë e rrufeshme, kreu i Kishës Katolike do t’i japë për bamirësi.
Fondet do të përdoren ndër të tjera për rindërtimin e shtëpive dhe objekteve të vjetra të kultit të komunitetit të krishterë në luginën Ninive në Irak, të larguar 4 vite më parë pasi zona ra nën kontrollin e xhihadistëve të Shtetit Islamik.
Paratë do të shkojnë gjithashtu për ndihmë ndaj vajzave që kanë rënë pre e abuzimeve seksuale të priftërinjve katolikë por edhe në ndihmë të të varfërve në Afrikë.