Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i pranishëm sot në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News24, foli për situatën politike në vend.
Përsa i përket denoncimit të PD, në lidhje me vëllain e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, Ndoka tha se çdo ditë e më shumë po vërtetohet se sa palë me krimin është bërë qeveria Rama.
“Kemi një kryeministër që nuk reagon ndaj këtij realiteti politik, dhe kjo është kosto e madhe për qytetarët, kosto ekonomike për çdo njeri që jeton në këtë vend.
Kjo mazhorancë është e mbushur me skandale. Dështimi i këtij kryeministri është spektakolar. Kryeministri jonë legjendar i ka fyer dhe ndërkombëtarët, ai duhet ta kuptojë batakun ku është futur,” tha Ndoka.
Çfarë synon opozita?
Është në të drejtën e vet kushtetuese, është në mbrojtje të qytetarëve. Po demaskon kryeministrin, këtë qeveri dhe po i jep goditje çdo ditë e më tepër. Duhet të largohet kryeministri, ai është problemi kryesor, është ai hallka që i mban të bllokuara të gjitha proceset në Shqipëri. Jemi në një pikë kulminante.
Nuk janë sajime të opozitës, disa gjëra ishin vështirë të faktoheshin, ishte e vështirë të kapje ministrin e Brendshëm me prova. Por bëmat e tij ishin aq të mëdha, saqë sot e kemi në akuzë shumë të besueshme. Kemi skandalet e tjera, dhe lidhjet e kryeministrit me to. Lufta tashmë është e qartë, nuk janë shpikje këto. Janë fakte që dalin çdo ditë e më tepër që e zhysin këtë mazhorancë.
A duhet të hetohet nga prokuroria ministri Xhafaj?
Ne flasim për një fenomen të rrezikshëm. Është normale të ketë një hetim për ngjarjen. Tashmë është luftë frontale. Ata nuk e kanë problem që Tahiri të burgoset, po kanë frikë se mos ai nxjerr emra e flet. Lidhja e tyre është aq e madhe.
Cila do të jetë marrëdhënia e opozitës me kuvend?
Është e kushtëzuar, dihen qëndrimet e opozitës. Ne i kemi treguar axhendën tonë, e kemi bërë publike dhe pritet reflektimi i kryeministrit. Ndërsa ky i fundit po tregon që nuk merakoset fare, por thjesht do që të qeverisë me metodat e tij.