Nga Roland Qafoku.
Nga një ministër në majë të vlerësimeve, papritur, ndaj tij është ngritur një furtunë kundër. Nga një ministër i cilësuar korrekt dhe rigoroz në zbatimin e ligjit, befas, për opozitën, ai është një ministër i lidhur me krimin, abuzues me detyrën dhe falsifikator. Nga një ministër gjetje, por dhe i vetmi që i tregoi vendin kryeministrit Rama, në një ministër me pozitën më të lëkundur në detyrë. Por çfarë po ndodh në të vërtetë me Fatmir Xhafajn? A është sulmi ndaj tij një aksion rutinë i opozitës, apo më shumë se kaq?
Janë 10 prova të forta që konvergojnë në atë pikë, që të lënë të kuptosh se, gjithçka ndaj ministrit të 62-të të Brendshëm në historinë e shtetit shqiptar, është një komplot për ta larguar nga detyra. Një komplot që përforcon rregullin e pashkruar se, të jesh ministër i Brendshëm në Shqipëri, vërtetë do të thotë se, je njeri që ua di të gjithëve gjithçka, por njëkohësisht je në shënjestrën e snajperëve të politikës.
Këto 10 fakte të forta që të bëjnë të dyshosh se ka një koordinim fluid majtas dhe djathtas në politikë, për ta goditur rëndë Xhafajn dhe për ta larguar atë nga detyra e ministrit të Brendshëm. A do të jetë Xhafaj, kurbani i dytë në krye të ministrisë së Brendshme dhe a do jetë ai në listën e ndryshimeve në qeveri, në muajin shtator? Këtë, tani, nuk mund ta themi me siguri. E rëndësishme është që, aktualisht, ai është nën një trysni të madhe dhe pothuajse të gjitha krahët po harxhojnë bateritë e karikuara maksimalisht, që atë ta largojnë.
1.Gjatë 9 muajve në detyrën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj nuk u ka lënë fare hapësirë njerëzve të krimit, duke e shndërruar veten në pengesë të fortë. Goditja e një sërë grupesh kriminale, arrestime të shumta të trafikantëve, si dhe kapja e 613 kilogramëve kokainë në vlerën 130 milionë eurove në Durrës, u bënë jo vetëm fortesa, por edhe shenja se, grupet kriminale tashmë kishin një armik të përveçëm: Ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Pak ditë më parë, vetë Xhafaj, lajmëroi se ka urdhëruar hetimin e atyre biznesmenëve që abuzojnë me ushqimet dhe rrezikojnë shëndetin e njerëzve. Natyrisht si përgjigje, Xhafaj nuk mund të merrte fletë lavdërimi nga krimi i organizuar. Duket se të gjitha segmentet kriminale, janë bërë bashkë për ta luftuar atë që po i lufton më shumë.
2.Beteja ndaj policëve të inkriminuar, duhet t’i ketë sjellë shumë andralla ministrit Xhafaj. Procesi i vettingut që tashmë ka marrë udhë, është ekskluzivitet i ministrit Xhafaj. Ai e ideoi, po e vë në zbatim dhe ky proces, ka nxjerrë nga radhët e policisë 500 punonjës me dorëheqje, ndërkohë që priten deri më mijëra të largohen nga vetë procesi. Ndërkohë, pritet të largohen nga radhët e policisë shumë oficerë dhe drejtues të lidhur me krimin, me grupet kriminale, duke i dhënë rëndësi po aq sa edhe vettingut në drejtësi. Ky pritet të jetë çmontimi më i madh i strukturave të policisë, që nga vitit 1990 në Shqipëri. Natyrisht, ky proces ka sjellë pasoja të tilla që, të gjithë ata drejtues policie të cilët e ndjejnë se do largohen, të kenë një shënjestër: Ministrin, Fatmir Xhafaj.
3.Raporti me ndërkombëtarët i ministrit Fatmir Xhafaj, ishte në një nivel të lartë, sa zgjoi pa fund, jo thjesht xhelozinë, por edhe frikën e vetë kryeministrit Edi Rama dhe të gjithë klasës politike shqiptare. Vizita e Xhafajt në SHBA më 22 mars të këtij viti, takimet që ai bëri me drejtues të FBI-t dhe DEA-s, ishin një sukses dhe mbështetje e lartë për të, personalisht. Ajo ishte për Xhafajn si një dekoratë për luftën që ai po bën ndaj krimit, veçanërisht atij të organizuar. Por, nga ana tjetër, ishte një sinjal për Ramën, se Fatmir Xhafaj është shumë i pushtetshëm. Kur Xhafaj u kthye në Tiranë, shumë politikanë pyesnin: Kë peshk të madh do arrestojë policia tani?
4.Fatmir Xhafaj mund të jetë i vetmi ministër në qeverinë Rama, që ka kundërshtuar kryeministrin dhe kjo doemos nuk duhet ta ketë lumturuar shefin e qeverisë. Nuk janë të pakta rastet që, edhe media, i ka raportuar që Xhafaj t’i ketë vendosur Ramës kufirin se, ku duhet dhe ku nuk duhet të ndërhyjë. Fraza e famshme, kur kishte vetëm pak javë që kishte marrë detyrën në mars 2017, se, “unë nuk jam Saimir Tahiri”, është bërë virale dhe historike në marrëdhëniet mes tij dhe Kryeministrin Rama. Para pak javësh kur e pyeta Fatmir Xhafën, a ka ndonjë gjë që ndan ndryshe me Ramën, ai u shpreh: “Patjetër që ka gjëra që ndaj ndryshe, sepse unë jam ministër i Brendshëm. Mund të ketë shpesh herë nevojë të diskutoj me të, informacione për shembull; unë marrë informacione që lidhen me krimin e organizuar, me drogën, terrorizmin në mënyrë të veçantë. Duhet ta informoj atë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Kam për detyrë ta informoj dhe e bëj rregullisht këtë gjë, kur ka çështje që janë të rëndësishme”. Kurse pyetjes, a ka patur ndonjëherë përplasje me kryeministrin Rama, i dha këtë përgjigje: “Përplasje, jo. Në punë mund të kesh diskutime, mund të kesh debate dhe unë nuk jam, siç ka thënë edhe ai vetë, unë i bëj gjërat në mënyrën time. Nuk jam tip i lehtë, mbase”.
Ky rrëfim bën të kuptosh jo vetëm se Xhafaj nuk është tip i lehtë dhe që i bën gjërat sipas mënyrës së vet, porse “i pabinduri” i një kryeministri, të gjithë ministrat e të cilit i qëndrojnë në rresht, nuk mund të ketë një funksionim normal. Në rastin më të parë, ai kthehet në të larguarin më të parë”.
5.Rivaliteti i Xhafajt për të zëvendësuar Ramën në detyrën e kryeministrit, u bë mëse evident kur partnerët e huaj nisën kontaktet e shpeshta me të. Nuk ishin të pakta rastet kur në media është aluduar se, në një moment mosbesimi ndaj Edi Ramës, Fatmir Xhafaj mund të bëhet kryeministër. Është e vërtetë që, Fatmir Xhafaj nuk e ka aspiruar as postin e ministrit të Brendshëm dhe as atë të kryeministrit. Por në rast të një krize dhe raporti aspak pozitiv të ndërkombëtarëve me Ramën, emrin i Xhafajt ishte më i lakuari për ta zëvendësuar. Dhe natyrisht, ky lakim nuk duhet ta ketë gëzuar Edi Ramën, një lider që jo vetëm funksionon për çdo gjë i pari, por pas tij ka shumë vende bosh.
6.Konflikti mes Fatmir Xhafajt dhe paraardhësit të tij, Saimir Tahiri, është një nga arsyet që Xhafaj ndodhet në këtë pozicion. Për hir të së vërtetës, me ardhjen e Xhafajt si ministër, u çmontuan shumë struktura të inkriminuara, por më e rëndësishme është se, gjatë kësaj kohe, u çrrënjos kultivimi edhe i kanabisit. Kjo solli reagimin, në fillim, me heshtje dhe më pas në fjalë të Saimir Tahirit. Në fjalimin e tij, ditën ku dorëzoi mandatin e deputetit, Tahiri hodhi akuza të forta ndaj Xhafajt, duke thënë pse nuk foli për sasinë e kapur të drogës dhe pse kishte kritikuar policinë si të inkriminuar. Atëherë, si ka mundësi që, menjëherë pas kësaj deklarate, ndaj Xhafajt nisi furtuna? Dyshimet janë se është zbatuar rregulli “i mbyturi të mbyt”, duke bërë një kompromis që, bashkë me Tahirin të ikë edhe Xhafaj.
7.Sulmi i opozitës ndaj Xhafaj, me anë të vëllait të tij, është disi i pakuptimtë. Historia që nis më 2012, befas doli në 10 maj 2018 si një rrufe në qiell të hapur. Atëherë, përse doli tani mbi ujë kjo çështje? Kush e inicioi dhe kush e mbështeti? Nëse opozita ka të drejtë, a ka të drejtë opinioni publik t’i drejtojë disa pyetje dyshuese opozitës, që kanë lidhje me kohën kur ligji që ata bëjnë fjalë, është miratuar, por vetëm tani e zbuluan? Për më tepër, pala italiane nuk ka asnjë kërkesë ekstradimi ndaj shtetit shqiptar, atëherë përse sipas opozitës, Xhafaj duhet të vepronte me të vëllanë e vet? Për të mos hedhur në tavolinë gafën e opozitës në mars të vitit të kaluar, kur Rama e emëroi Xhafajn, për herë të parë, ministër dhe kryetari Basha u betua se opozita nuk do ta lejonte të futej në zyrë, por ditën që Xhafaj po futej në zyrë, Bashës dhe opozitës i doli një punë dhe betimi u harrua.
8.Krimi dhe sidomos përfaqësuesit e drejtësisë, kanë një njeri në shënjestër: ai është Fatmir Xhafaj, si kryetar i Komisionit parlamentar të reformës në Drejtësi. Autoriteti i tij u rrit ndjeshëm, pikërisht, me hartimin e ligjit për reformën. Shumë gjykatës, prokurorë, por edhe pjesë të organizatave kriminale, nuk e falin këtë “kontribut”. Deri sot, janë të paktën 30 përfaqësues që janë larguar nga sistemi i drejtësisë dhe duket se lista do bëhet shumë e gjatë. Afërmendsh që, të gjithë të ikurit, e shikojnë Xhafajn si hartuesin numër 1 të kësaj reforme, por edhe armikun numër 1 të tyre.
9.Sulmi i opozitës duket i bashkërenduar me atë të Ramës. Në pamje të parë, duket absurde, por nëse faktet lidhen, duket si në një poker spiunësh që, në fakt, i shkon për shtat edhe natyrës së metodave që përdor policia në punën e saj. Dhe këtu, sërish, del historia e betimit të opozitës, se nuk do lejonte Xhafajn të futej në zyrën e ministrin të Brendshëm dhe që u kthye në një flluskë sapuni.
10.Ndërkombëtarët duket se janë vetëm ata, që kanë në dorë fatin e Fatmir Xhafajt. Mbrojtja që Rama i bëri duke thënë se, “nëse do ishte e vërtetë, do fliste ambasadori Lu”, ndonëse tregoi konfidencë, nuk rezultoi të ishte shumë elegante. Përgjigjja e ambasadorit amerikan, ishte sfiduese për Ramën, duke thënë se nuk mund të fliste në emër të tyre. “SHBA po bën verifikimet” që, më shumë do të thotë, nëse ambasada do deklarojë se Xhafaj është në rregull me këtë histori, atëherë ai do jetë jo vetëm ende ministër, por pozitat e tij do forcohen. Nëse SHBA-ja do hedhë dyshime, ka shumë gjasa që, në shtator, Fatmir Xhafaj të mos jetë më ministër. Në të dyja rastet, komploti ndaj Xhafajt do jetë konsumuar. Presim të mësojmë, jo vetëm kush ka të drejtë, por edhe kush do jetë fitues!