Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u paraqit sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda katër ditë pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’. I shoqëruar me policia, ai refuzoi të hynte nga dera kryesore e Gjykatës, për të qëndruar kështu larg fokusit të medias. Seanca e sotme për marrjen e masës së sigurisë është shoqëruar me replika, pyetje dhe ironi. Ish-ministri ironizoi masën e arrestit duke thënë. “Ju keni thënë për mua arrest shtëpiak po për mua është njësoj si arrest shtëpiak e si arrest me burg”.
Organi i akuzës këmbënguli duke thënë se Tahiri duhet të jetë nën ‘arrest me burg’, pasi mund të ndikojë dëshmitarët. Këtu prokurori Besim Hajdarmataj solli rastin e Orgest Liperit, pronarit të skafit me të cilin Tahiri kishte udhëtuar drejt Greqisë.
Në një moment të tillë ish-ministri është ngritur në këmbë duke ironizuar “Meqë qenkam kaq i rrezikshëm, fusni të gjitha grupet kriminale në burg dhe faturojani Saimir Tahirit. Më vendosi në arrest në burg, pasi masa që kemi vendosur është e papërshtatshme me akuzat’”.
Prokurori tha se Tahiri e ka takuar për ta intimiduar, duke treguar madje se ata kishin përgjuar takimin mes të dyve. Ata po ashtu ngulën këmbë se edhe ish zv.ministrja e Brendshme Elona Gjebrea nuk ka thënë të vërtetën. Por ministri nga ana e tij është shprehur se Liperin e ka takuar për t’i kërkuar ndjesë që u përfshi në të gjithë këtë histori.
“Nuk kam pasur qëllim ta intimidoj, i kam kërkuar falje që e përfshiva në këtë mesele. Bëra detyrën time qytetare. Nuk kisha mundësi të ndikoja tek qytetari. Takimi me të pak ditë pasi kishte dhënë dëshminë e tij, por thjesht i kërkova ndjesë”, – mësohet të ketë thënë në gjyq ish-ministri.
Prokurori i çështjes Besim Hajdarmataj, ka deklaruar sot se ka dyshime për ndërhyrje në sistemin TIMS, jo vetëm për lëvizjet e ish ministrit të Brendshëm, por edhe të personave të arretsuar në Itali, si është Moisi Habilaj.
“Do konfirmojmë që shumë të dhëna nuk rezultojnë fare në sistemin TIMS sikurse është rasti i Moisi Habilajt”, tha Hajdarmataj. Sipas tij, në TIMS, ka pasur ndërhyrje lidhur me hyrje-daljet jo vetëm të Tahirit, por edhe me personat e tjerë, si është rasti i Moisi Habilaj. Por për këtë do të jap shpjegime të mëvonshme dhe do të zbardhen në fund të hetimit”– tha ai.
Mësohet se këto ndërhyrje janë bërë në kohën që Tahiri ka qenë me skaf në Greqi dhe ai pësoi defekt, sipas prokurorit, Tahiri kërkoi ndihmën e një oficeri policie që erdhi së bashku me teknikun dhe Artan Habilajn, drejt Greqisë.
“Në kohën e kthimit, së bashku me skafin me defekt, nuk është regjistruar në portin e Sarandës që ka hyrë Artan Habilaj, me policin dhe mekanikun. Nga Saranda skafi është lënë në portin e Durresit.
Pas disa ditësh është paraqitur te moli, Moisi Habilaj, dhe të vetmit që i kanë bërë rezistencë kanë qenë punonjësit e molit, që i kanë thënë se nuk mund ta marrë pasi nuk ka dokument. Pavaresisht kesaj, Moisi Habilaj, e ka marrë skafin dhe ka shkuar në Brindizi për ta rregulluar” është shprehur prokurori.
Në fund Gjykata rrëzoi kërkesën e Saimir Tahirit për të dalë nga arresti i shtëpisë. Ish ministri që akuzohet për trafik narkotikësh dhe shpërdorim detyre u largua nga gjykata me makinën e policisë për t’u mbyllur sërish në shtëpi.
Avokati i tij Maks Haxhia tha se prokuroria nuk ka asnjë provë të re për të mbajtur në arrest shtëpie ish ministrin, ndërsa ironizoi deklaratën e prokurorit se Tahiri duhet arrestuar pasi ai e di një ditë para se kë do të marrë prokuroria në pyetje.
Të dyja palët do ta ankimojnë vendimin e gjykatës në apel, prokurori duke kërkuar futjen në burg të Tahirit, ndërsa avokati për ta liruar klientin e tij.