Luleshtrydhet që shijoi në Frakull të Fierit ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, janë ndër të paktat prodhime të zonës që i mbijetuan përmbytjeve të Vjosës.
Shijen e tyre do ta mbajë mend gjatë sepse atje ku priste festë, ministri gjeti protestë. Shumë fermerë e bojkotuan festën, por disa shkuan t’i uronin mirëseardhjen me ankesa. Një prej tyre është Kosta Troka, nga fshati Kafaraj.
“Këtu vetëm 1% e fermerëve të luleshtrydhes kanë ardhur. Këtu është festë, por këta nuk e kanë festë sot. Jemi përmbytur 2-3 herë, kemi protestuar dhe asnjeri nuk ka ardhur te ne”, tha fermeri, përpara se ministri të thërriste zv/ministrin, i cili u akuzua se nuk kishte ardhur kurrë për të dëgjuar hallet e fermerëve.
Mikel Isaraj kaloi dy përmbytje nga lumi Vjosë këtë vit dhe dëmi i shkon në miliona lekë. Ndaj, për të, sot nuk ka festë. Ai ka ardhur për të kërkuar dëmshpërblim: “Nuk është marrë asnjë masë për atë çfarë ka ndodhur. Këtu kanë ardhur 13 fermerë nga pothuajse 400”.
Zv/ministri i Bujqësisë, Dhimo Kote u shpreh: “Unë do të vij në fund të korrikut këtu për të bërë platformën përsa i përket problemit të luleshtrydheve”.
Sipas vetë fermerëve, 70% e atyre që kultivojnë luleshtrydhe në këtë zonë nuk morën pjesë në panairin e kthyer tashmë në traditë në Frakull.