Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është përfolur në media si njeriu që do të zëvëndësojë Fatmir Xhafajn, nëse ky do të shkarkohet nga Rama. Por Rama thotë se ende nuk është bindur se ministri i tij mban përgjegjësi për vëllain e tij të dënuar për trafik droge në Itali.
Në kulmin e skandalit Taulant Balla ka folur nga Librazhdi. Gjatë turit për “Llogaridhënien me qytetarët”, Balla thotë se nëse gjithçka do të ishte e vërtetë, PS do të kishte reaguar ashpër, duke u shfaqur sigurisht si një politikan më parimor dhe që nuk i duron dot padrejtësi të tilla si ato që pretendon opozita, skafisti Albert Veliu dhe gazetari Jetmir Olldashi.
“Ne do të kishim marrë masa të ashpra ndaj kujtdo nëse një e një mija e kësaj historie me babalen do të ishte e vërtetë.
Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafës si ministër vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit të organizuar.
Dhe në këtë inskenim janë të pë rfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj, por janë të përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, të cilët duke qenë se Vettingu do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të mos lejuar vijimin e aksionit “Forca e Ligjit” dhe për të mos vijuar punën që kemi nisur”, deklaroi Balla.