Ish-kryeministri Sali Berisha ka dënuar sërish vdekjen e 27-vjeçarit rom në policinë e Korçës Enea Ftoi. Në një status në “Facebook”, Berisha shkruan se torturimi i tij është një vrasje raciste shtetërore.
Sipas tij, autorët e krimit monstruoz janë të lirë dhe vazhdojnë punën. Berisha i bën thirrje komunitetit rom dhe qytetarëve të Korçës të ngrihen kundër këtij akti.
“Torturimi me pasojë vdekjen e 27-vjeçarit rom Enea Ftoi, është vrasje shtetërore raciste!
Të dashur miq, para tre ditësh kriminelë me uniformë në komisariatin e Korçës i morën jetën me tortura çnjerëzore të riut rom, 27-vjeçarit Enea Ftoi. Sot pas tre ditësh autorët e këtij krimi monstruoz racist, xhelatët e Eneas janë të lirë dhe vazhdojnë me qetësi punën.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim kriminal të narkoshtetit, i cili fakton në mënyrë përfundimtare se kemi të bëjmë me një vrasje të mirëfilltë raciste shtetërore, u bëj thirrje komunitetit rom dhe mbarë qytetarëve të Korçës që të ngrihen kundër këtij akti çnjerëzor të autoriteteve shtetërore, Edi Ramës dhe klikës së tij raciste në pushtet!”, shkruan Berisha.