Braimllari: Rama është kthyer në rrezik kombëtar për vendin dhe për shqiptarë

0
235

 

Intervista e deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Endrit Braimllari, në “Oranews”

 

Prej katër javësh parlamenti nuk po zhvillon punime normale. Çfarë po ndodh, sipas jush?

Nuk është përgjegjësi e opozitës, që Parlamenti nuk po funksionon normalisht. Është përgjegjësi e Kryeministrit dhe e qeverisë, që e kanë futur Parlamentin në këtë situatë. Shkaku i vetëm është fakti që kemi një Kryeministër të papërgjegjshëm, jo serioz dhe është një Kryeministër, i cili nuk mbron aspak interesat e qytetarëve, që banojnë në këtë vend. Ky është një Kryeministër, i cili është i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike. Këtë po e vërtetojnë faktet. Ky është një Kryeministër, i cili mbron interesin e oligarkëve, të një grupi të caktuar njerëzish. Ai e ka varfëruar gjithmonë e më shumë Shqipërinë, po largon të rinjtë nga vendi. Dhe kjo është përgjegjësia kryesore e tij. Kuvendi nuk mund të vijojë normalisht me Edi Ramën në sallë. Të mos harrojmë provokimin që ai u bëri shqiptarëve një muaj më parë, duke i krahasuar shqiptarët me organin gjenital. U mblodh Byroja e Parlamentit dhe përjashtoi disa deputetë dhe nuk e përjashtoi Ramën për një fyerje të rëndë që ai i bëri popullit. Rama është totalisht i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike dhe jo vetëm Parlamentin, por ai e ka futur Shqipërinë në një situatë shumë të keqe, sepse sot vendi është lajmi kryesor në botë për lidhjen e ministrave të Brendshëm me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Ka pasur edhe akuza që ju nuk qëndruat për të diskutuar një rezolutë mbi raportin e Komisionit Evropian.

Unë e kuptoj që ky Kryeministër është bërë qesharak me shqiptarët, por edhe qesharak edhe me njerëzit e tij. Vetëm pak kohë më parë ishte periudha kur ky bllokonte Parlamentin, bënte protesta, digjte dhe shkatërronte institucione dhe hynte me dhunë në KQZ thjesht për të bllokuar proceset integruese të vendit. Pra, ky njeri nuk e do ecjen përpara drejt BE dhe nuk mund ai të bëjë moral për integrimin, sepse nuk ka dhënë asnjë kontribut në këtë proces. Ka bllokuar 3 ligje shumë të rëndësishme thjesht dhe vetëm për çështjen e Këshillit të Qarkut të Fierit. E dini shumë mirë se çfarë ndodhi më 21 janar. E dini shumë mirë se çfarë ka ndodhur më 2011-n, kur thjesht për pushtetin personal urdhëronte ata që sot dalin dhe bëjnë moral ata në Kuvend të hynin me dhunë në institucione.

LSI, që prej themelimit të saj ka dhënë kontribut maksimal në proceset integruese të vendit. Nëse LSI i ka vënë një kusht këtij njeriu në 2013 ka qenë që ky të vinte në Parlament dhe të votonte 3 ligjet për të vazhduar më tej me proceset integruese të vendit. Ne kemi dhënë kontribut maksimal për integrimin, por ne nuk mund të shkojmë normalisht në atë Parlament, ku kemi përballë një mazhorancë të kapur nga krimi i organizuar.

Dhe nuk mund të shkojmë aty për të dëgjuar karshillikun dhe papërgjegjshmërinë e këtij kryeministri me opozitën. Jo vetëm me opozitën, sepse nëpërmjet karshillikut të tij dhe papërgjegjshmërisë së tij, ai ofendon dhe i drejtohet shqiptarëve. Nëse kemi fjalën sot për rezolutën për integrimin evropian, është një rezolutë e njëanshme, është provokim i këtij Kryeministri për opozitën dhe shqiptarët. Nuk e kam dëgjuar unë asnjë rekomandim që proceset integruese të vendit janë të njëanshme, i bën vetëm mazhoranca, por në çdo rekomandim thuhet kërkohet një gjuhë jo konfliktuale të politikës, kërkohet një bashkëpunim i forcave politike, për të çuar përpara reformat në vend. Ky, atë provokim që u bëri shqiptarëve me zgjedhjen e Prokurores së Përgjithshme me 69 vota, atë provokim i bën sot dhe këtij parlamenti, duke sjellë një rezolutë të njëanshme, nuk e kalon në Këshillin e Integrimit Evropian, nuk e kalon në komisionin e integrimit, nuk e kalon në komisionin e Politikës së Jashtme, por e sjellë në mënyrë të njëanshme për të provokuar opozitën.

Sepse qëllimi i tij është ta çojë vendin në destabilitet. Pse? Sepse nuk i kërkon ky proceset integruese të vendit sepse ka frikë vetë nga integrimi. Lëre çfarë del dhe bën moral në emër të integrimit. Ky e ka treguar me prova dhe me fakte, që nuk është një njeri që kërkon të integrojë vendin në BE, sepse nëse do kërkonte të integronte vendin në BE, nuk do kishte një ish-ministër të Brendshëm të lidhur me trafikun e drogës, nuk do kishte krimin e organizuar të futur në Parlament, nuk do kishte bashkëpunëtorë të qeverisë, të cilët janë pjesë e trafikut të drogës, korrupsionit dhe që dalin dhe në përgjime jo vetëm të antimafias, por të gjithë shërbimeve. Pra, do të thotë dhe njëherë që ky njeri është shumë larg integrimit të vendit, ky njeri është shumë larg të qenit një Kryeministër evropian, sepse ky nuk e do Evropën. Ky është një njeri aty, i cili për fatin tonë të keq nuk ka as vizion, nuk jep as shpresë shqiptarëve, por është mbyllur në një rreth të tij të ngushtë dhe ka 8 muaj apo 10 muaj që nuk qeveris më Shqipërinë. Më thoni ju çfarë politike ka hartuar ky në shërbim të qytetarëve? Ka dhjetë muaj që nuk qeveris, ka dhjetë muaj që vjen në Parlament dhe bën batuta, ka dhjetë muaj që thotë fajin e kanë të tjerët. Ky është i vetëm në qeveri, e ka ky drejtimin e qeverisë. Pse nuk vazhdon përpara me reformat? Pse nuk i çon përpara proceset integruese? Përse nuk krijon mundësi punësimi për të rinjtë ky njeri? Përse nuk ul varfërinë në vend? Përse nuk hap vende të reja pune? Sepse ky nuk ka vizion për ta bërë këtë gjë. Sepse këtij nuk i intereson kjo politikë. Këtij i intereson politika e varfërisë. Të varfërojë çdo ditë e më shumë shqiptarët me qëllim që të përdorë atë skemë të pisët, që përdori në zgjedhjet e 25 qershorit, për të shkuar pastaj dhe për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Pra, kemi prova dhe fakte që ky njeri nuk e do procesin integrues të vendit. Nga ana tjetër, opozita, por dhe LSI, ka dhënë dhe do japë në maksimum energjitë e saj pozitive në shërbim të proceseve integruese të vendit.

Kujtoj këtu 21 korrikun kur u votua në Parlament me konsensus reforma në drejtësi. Ishte në atë kohë kryetari i LSI-së dhe kryetari i Parlamentit, z. Meta, i cili loboi maksimalisht që ajo të kalonte me konsensus. U arrit me konsensus dhe u prish më vonë. Pse u prish? Sepse ky Kryeministër vepron në mënyrë të njëanshme me qëllim për të prishur proceset integruese të vendit. Ka edhe një situatë shumë qesharake që po ndodh. Ju e shikoni që ky Kryeministër jo vetëm i ka futur në kolaps institucionet, por ka bërë pis gjithë institucionet e këtij vendit, madje edhe institucionet e pavarura. Sepse edhe për sa i përket Prokurorit të Përgjithshëm, të cilin e kaloi me 69 vota, ne s’kemi asnjë merak me emrin e zonjës në fjalë, por ky Kryeministër ka bërë pis vetë institucionin. Ju e shikoni se si vetë deputetët e tij dalin nëpër studio të ndryshme emisionesh dhe përdorin institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm si kamxhik për opozitën, në një kohë kur vetë ata deputetë janë objekt hetimi nga ky institucion. Pra është ky njeri që e ka futur vendin në këtë siklet dhe të jeni të bindur që protesta e ditës së shtunë do të jetë një protestë revolte ndaj këtij njeriu, i cili nuk po drejton më vendin siç duhet.

 

Sa të sinkronizuara janë LSI-a dhe Partia Demokratike në prag të protestës së të shtunës? Kemi parasysh faktin që në seancën e fundit parlamentare nuk ju pamë të bashkoheshit me deputetët e Partisë Demokratike në foltoren e Parlamentit…

Aty ishim, por ndoshta nuk kemi qenë live, pasi është bërë urdhër tashmë nga Kryetari i Kuvendit, madje nga vetë Kryeministri, i cili largon mediat nga Kuvendi, bllokon seancën parlamentare, shkel rregulloren. Por, një njeri që nuk respekton statutin e partisë së vet, nuk mund të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi. Ne jemi në sinkron me Partinë Demokratike dhe me të gjitha partitë e tjera të frontit opozitar, sepse kemi një qëllim të vetëm: çlirimin e Shqipërisë nga Edi Rama. Edi Rama është kthyer në rrezik kombëtar për vendin dhe për shqiptarët. Nga ky njeri, i cili jo vetëm ka uzurpuar institucionet, por i përdor ato si kamxhik kundër nesh.

 

Cili do të jetë formati i protestës? Citoj këtu një deklaratë të znj. Kryemadhi, e cila u shpreh se ‘zgjidhje është dalja në rrugë dhe përmbysja e këtij sistemi’. Çfarë do të thotë kjo?

Së pari, mendoj se kjo protestë nuk është më në dorë të partive politike. Kjo është një protestë qytetare. Janë qytetarët që e kanë marrë vetë në dorë fatin e tyre. Kujtojmë këtu protestën e 27 janarit, pjesëmarrja masive në atë protestë nuk ishte vetëm e opozitës, por ishte një revoltë qytetare dhe ishte mesazhi i parë që iu dha kësaj qeverie: Kujdes! Mos shkel Kushtetutën! Respekto ligjet, respekto institucionet dhe pavarësinë e tyre dhe fute vendin në shinat e Kushtetutës dhe vazhdo përpara me reformat integruese dhe ato që kanë të bëjnë me zhvillimin e ekonomik të vendit, sepse është varfëria ajo që i mbledh shqiptarët. Ajo që do të ndodhë nuk është më në dorë të opozitës, por në dorë të vetë qytetarëve, të cilët do t’i paraprinë protestës së të shtunës.

 

A është folur për një format të caktuar dhe përse nuk ka një orar për përfundimin e protestës?

Sigurisht që ka një format të caktuar. Do të jetë një format brenda rregullave demokratike të funksionimit të një proteste, por të jeni të bindur që është një protestë e qytetarëve. Për sa i përket çështjes së orarit, është një çështje teknike që e kanë bërë organizuesit e kësaj proteste. Nuk është kjo më e rëndësishme. E rëndësishme është arsyeja se pse shqiptarët do protestojnë ditën e shtunën. Shqiptarët do protestojnë ditën e shtunë se çdo ditë e më shumë vërtetohet se ky Kryeministër është i lidhur me trafikun e lëndëve narkotike, ky nuk shkëputet dot nga kjo botë e errët, po e fundos Shqipërinë. Gjithashtu vërtetohet që sot shqiptarët janë më të varfër se kurrë. Varfëria është ekstreme, të shkojë të shikojë se çfarë bëhet nëpër qarqe apo nëpër rrethe e Shqipërisë e mos të dalë të bëjë shou `bashkëqeverisje me qytetarët` se nuk ka më. Sipas tij, ky është term fushate, përdoret thjesht për kapital politik, sepse ky term apo filozofi ka rënë poshtë që në momentin e vendosjes së taksës së Rrugës së Kombit për kuksianët. Nëse do kishte një bashkëqeverisje me qytetarët, ai do kishte një komunikim me to, me banorët atje dhe mbi bazën e kërkesës së tyre do merreshin vendimet. Pra, nuk ka bashkëqeverisja me qytetarët, por është thjesht një mesazh i rremë, për të mbuluar imazhin e pisët të qeverisë së tij, ku bashkëqeverisja e tij është me krimin e organizuar, oligarkinë dhe me administratën e tij.

 

Ndërkohë burimet thonë se nuk përjashtohet as mundësia e hedhjes së sendeve të forta në drejtim të Kryeministrit. A mund ta konfirmojnë diçka të tillë?

Unë e thashë edhe në fillim të fjalës sime që protesta është qytetarë, do të jetë masive e me një pjesëmarrje te jashtëzakonshme sepse revolta qytetare ka shkuar aty ku nuk mban më. Kur Kryeministri i ofendon, përbuz dhe i trajton si qesharak shqiptarët, të jeni të bindur që populli do ta marrë vetë në dorë fatin e tyre për të çliruar veten dhe Shqipërinë vetëm nga 1 person, ky njeri, i cili mban peng çdo proces integrues dhe çdo proces zhvillimi të këtij vendi. Shqipëria është një vend i vogël dhe nuk ka nevojë për papërgjegjshmërinë e një Kryeministri, as të luksit qeveritar të ministrave dhe drejtorëve të tij, por ka nevojë për politika konkrete në shërbim të vendit, për hapeje të vendeve të punës, të rinj dhe të reja të cilët vijnë dhe investojnë në këtë vend dhe jo që largohen nga Shqipëria sepse ky e ka bërë jetën shumë më të vështirë. Shqipëria ka nevojë për një politikë konkrete në arsim, mos të shikojmë shou televiziv të ministres së Arsimit, apo drejtorëve, të cilët dhurojnë lule nxënësve, ku ndërkohë e ka bërë gjithnjë edhe më të vështirë ditën këtyre të rinjve për sa i përket sistem arsimor, por mbi të gjitha e ka rritur vlerën e tarifës së universiteteve. Pra, janë shumë gjëra dhe arsye, të cilat çojnë në protestë dhe shumë arsye që i japin të drejtë popullit që të marrë vetë fatin në duart e tyre.

 

Për arsye madhore, mbetet një kërkesë nga opozita për dorëheqjen e ministrit të Brendshëm. Çfarë do të ndodhë nëse ai nuk do të japë dorëheqjen? Mund të ketë përshkallëzim të protestave?

Opozita ka paralajmëruar protestë ditën e shtunë. Sigurisht, protesta do vazhdojë deri në realizimin e qëllimit të opozitës sepse ajo është në rrugën e saj legjitime të të bërit protestë. Të jeni të bindur që fajtori kryesor që e ka futur vendin në këtë krizë të thellë është Edi Rama. Është ai që drejton mekanizmin dhe është ai që e ka futur Shqipërinë në varfëri ekstreme, ku na ka bërë lajmin kryesor në Evropë për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here