Ministria e Mjedisit ka propozuar taksën e re për makinat. Kjo taksë pritet të paguhet në doganë për qytetarët që i blejnë automjetet nga jashtë ose tek koncesionarët, kur makina blihet brenda vendit.
“Me rëndësi është vendosja e një tarife për importin dhe prodhimin e automjeteve për të mbuluar koston e tyre të asgjësimit,” thuhet në projektligjin e përgatitur nga Ministria e Mjedisit.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, kjo taksë nevojitet për të ndryshuar situatën e rëndëuar, ku një pjesë e madhe e automjeteve që dalin jashtë përdorimit përfundojnë në varreza duke ndotur ambientin.. Edhe pse është ende në fazën e propozimit, drafti pritet që shumë shpejt të miratohet nga qeveria dhe më pas të kalojë për votim final në Parlament.
Vendosja e taksës së re do e bëjë edhe më të vështirë blerjen e një makine nga qytetarët që nuk janë të pasur, pasi ajo do të rrisë kostot e saj.
Automjetet e përdorura
Shqipëria është një nga vendet me moshën më të vjetër të automjeteve në Europë. Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht mosha mesatare e automjeteve në Shqipëri është 20 vjet ose dy herë më e madhe se sa mesatarja e Bashkimit Europian.
Ministria e Mjedisit thotë se 30 për qind e automjeteve që qarkullojnë aktualisht në Shqipëri janë kontigjent për të përfunduar në varreza.
” Fundi i vitit 2016 shënoi 563,106 mjete të regjistruara në vend, ku vetëm 401,499 prej tyre kanë kryer kontrollin teknik dhe pagesën e taksave. Bazuar në këto dy shifra, mund të themi se rreth 161,607 automjete mund të jenë kontingjent për t’u kthyer në automjete në fund të jetës,” thuhet në dokumentin e Ministrisë së Mjedisit.