Tre muaj pas vdekjes së 21-vjeçares në Fier, pezullohet mjekja e spitalit të këtij qyteti. Ina Rruzhdija, mjeke e Urgjencës, nuk do të lejohet të ushtrojë më profesionin nëse një vendim i tillë do të ngelet në fuqi.
Mjekja 28-vjeçare dyshohet si përgjegjëse për “Mjekim të pakujdesshëm”, tre muaj pas vdekjes së Xhuljeta Gjekës. Në dëshminë e tyre, familjarët shprehen se e kanë dërguar vajzën disa herë në urgjencën e spitalit, pasi sipas tyre ajo ka pasur shqetësime serioze dhe temperaturë, ndërsa mjekja Rruzhdija e ka përcjellë për në shtëpi, pa e marrë rastin seriozisht.
Gjyshi dhe babai i vajzës, Pilo dhe Altin Gjeka, lëshuan akuza për mjekim të pakujdesshëm që ditën e ngjarjes më 12 shkurt, ndërsa nga ana e saj, Policia tha se vajza ka vdekur për shkaqe natyrale.
Ndërkohë, dje pas daljes së rezultatit të ekspertizës, Gjykata e Shkallës së Parë Fier ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Fierit duke caktuar masën e sigurimit personal ndaluese, “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për mjeken Ina Ruzhdija, me detyrë mjeke urgjence në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Mjekimit të pakujdesshëm”, me pasojë vdekjen e Xhuljeta Gjekës, e moshës 21 vjeç, banuese në fshatin Mujalli, Fier.
Nga hetimet rezulton se, më 12 shkurt mjekja roje e urgjencës, Ina Ruzhdija, nuk ka vizituar, shtruar dhe mjekuar pacienten Xhuljeta Gjeka, e cila është dërguar nga familjarët e saj në gjendje të rëndë shëndetësore në Repartin e Urgjencës së Spitalit Rajonal Fier. Pavarësisht insistimit të familjarëve për mjekimin e Xhuljetës pasi ajo kishte temperaturë të ulët, mjekja nuk i ka dhënë ndihmë mjekësore pacientes, duke u thënë familjarëve që ta merrnin në shtëpi pasi gjendja e saj ishte gripale.
Pasi është dërguar në banesë, gjendja shëndetësore e vajzës është përkeqësuar brenda pak orësh, fakt që i ka detyruar familjarët e saj ta dërgonin përsëri në spital, ku ajo ka humbur jetën sapo ka mbërritur në oborrin e tij. Nga ana e Prokurorisë vazhdojnë hetimet në lidhje me përgjegjësisë penale edhe të stafit mjekësor pranë Spitalit Rajonal Fier.