Pas vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, ku i dha lirinë ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri ka reaguar Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha, ku e ka cilësuar si mbyllje të paktit mafioz Rama-Tahiri. Duke shtuar si vendim të paralajmëruar dhe aspak surprizë.
Lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë”, shkruan Basha në një postim në rrjet.
Komenti i Lulzim Bashës
Rama-Tahiri: loja drejt fundit
U mbyll sipas paktit mafioz Rama-Tahiri, farsa e paralajmëruar e “arrestit” dhe “dorëzimit” të kontrolluar të Tahirit tek “drejtësia”.
Lirimi i Saimir Tahirit është triumfi i krimit dhe trafikantëve të drogës dhe goditje e rëndë për integrimin europian të Shqipërisë dhe drejtësinë e vërtetë.
Ky akt rikonfirmoi se Edi Rama dhe Saimir Tahiri kanë qenë, janë dhe do të jenë një dhe të pandarë. Ata së bashku përdorën krimin dhe drogën për para dhe pushtet dhe tani po përdorin pushtetin për të garantuar pandëshkueshmërinë e Tahirit, Habiljave dhe trafikantëve të tjerë të drogës.
Lirimi i Tahirit tregon se Edi Rama ka zgjedhur përfundimisht anën e krimit në dëm të Shqipërisë. Kjo është goditje direkte për mundësinë e hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Nxjerrja e Saimir Tahirit para drejtësisë është kërkesë specifike për hapjen e negociatave për disa qeveri Europiane të cilat e kanë informuar qartë dhe direkt Edi Ramën për këtë gjë.
Lirimi i Tahirit tregon se drejtësia është tashmë nën kontrollin e plotë të Edi Ramës dhe kriminelëve të lidhur me të. Kapja totale e Prokurorisë, shkrirja e Gjykatës Kushtetuese dhe paralizimi i Gjykatës së Lartë janë garancia më e madhe që Edi Rama ofron për të gjithë kriminelët dhe pushtetarët e lidhur me krimin.