Lirimi i ish-ministrit Saimir Tahiri. Presion apo ryshfet?

0
194

sh-ministri po shkon drejt pafajsisë, pasi gjasat duken se vendimi për ta shpallur të tillë është marrë nga politika e mazhorancës, pse jo edhe nga kulisat e grupëve kriminale, të cilat  janë të fuqishme sepse kanë blerë vota për mazhorancën.

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi dje lirimin e ish-ministrit, Saimir Tahiri nga masa e “arrestit në shtëpi”. Apeli rrëzoi vendimin  e Shkallës së Parë, e cila dy javë më parë dha vendimin mbi bazën e provave të prokurorisë për dy akuza; “Trafikim të narkotikëve, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal” dhe “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”. Nga dje, ish-ministri do të hetohet në gjendje të lirë. Vendimi më shumë se këdo tjetër në Shqipëri që e ka ndjekur nga afër këtë proces duhet të ketë surprizuar Ambasadën Amerikane në Tiranë. Një ditë para se të jepej vendimi, të dielën, Ambasadori Donald Lu parashikoi një zhvillim të tillë të ngjarjeve dhe bëri një paralajmërim që ngjante si një sinjal për gjyqtarët dhe jo vetëm. “Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”,- deklaroi Ambasadori Donald Lu. 24 orë më pas gjykata la të lirë ish-ministrin duke mos i mbajtur as pasaportën. Pas dhënies së vendimit, Ambasada konfirmoi për mediat se i qëndronte deklaratës se një ditë më parë për kërcënime dhe ryshfet. Deklarata e Ambasadorit Lu është ndër të rrallat ku në mënyrë direkte flitet për korrupsion në gjykatë, pak orë para se të merret vendimi. Donald Lu është ndër diplomatët më të drejtpërdrejtë dhe asnjëherë nuk ka bërë akuza mbi aludime. Mesazhi që dërgoi në media të dielën ambasadori ishte prova e qartë se SHBA kishte fakte për ndërhyrjen në procesin gjyqësor. Deklarata ishte një denoncim publik që bëhej nga kreu i ambasadës më të rëndësishme në Tiranë dhe kaq mjaftonte që gjërat të ishin vënë në lëvizje. Por çuditërisht, as Prokuroria nuk ka hapur ndonjë hetim për këto akuza dhe as institucionet përgjegjëse minimalisht nuk kanë reaguar. Fakti që Donald Lu u detyrua të bënte një denoncim të fortë publik tregon se kanalet e tjera të drejtësisë, pushtetit, politikës dhe qeverisë e kanë marrë disa ditë më parë këtë mesazh dhe nuk kanë reaguar, tregon se sa fortë ka qenë ndërhyja në këtë çështje ndaj ish-ministrit. “Përgjigja” ndaj shqetësimit të SHBA-ve erdhi dje me vendimin për të lënë të lirë, Saimir Tahirin. Vendimi i djeshëm i gjykatës duhet të ketë qenë përgjigja më e hidhur që diplomati ka marrë nga institucionet e drejtësisë dhe politika shqiptare, pas 4 vitesh investime direkte që diplomati Lu dhe SHBA kanë bërë në drejtësinë shqiptare. Si rregull kur drejtësia jep një vendim të tjerët sheshin. Edhe kryeministri Edi Rama, dy javë më parë kur Saimir Tahirit iu dha masa “arrest shtëpie” tha se “vendimi nuk komentohet”.  Problemi është se tani nuk po e komentojnë palët që kanë interesa politike, por vetë Ambasada e SHBA-ve. Këtë herë kemi një akuzë konkrete që bëhet nga diplomati më i rëndësishëm në Shqipëri dhe ku nuk është rasti kur një vendim gjykate nuk duhet komentuar.

Pyetjet që rëndojnë tani mbi vetë gjyqtarët që dhanë vendimin, Prokurorinë dhe madje dhe qeverinë janë ato që ka bërë Donald Lu. Ai tha se në këtë proces ka kërcënime dhe ryshfete. Ndaj institucionet duhet të gjejnë dhe mbajnë përgjegjësi, nëse vendimi i djeshëm u dha nën kërcënimin e Vettingut apo formave të tjera të presioneve për gjyqtarët, apo në këmbim të shumave të majme të parave? Është një pyetje që përgjigjen duhet t’ua japin institucione dhe ata njerëz që këto vite garantuan se me reformën e votuar një drejtësi e re do të lindte në Shqipëri.

Në këtë histori me shumë aktorë dhe faktorë ka peshën e saj dhe opozita që dje pas vendimit të gjykatës u hodh në sulm kundër qeverisë duke e akuzuar se ka futur duart të gjykata. Pa i hequr asnjë përgjegjësi Edi Ramës për interesin që ai ka që çështja “Tahiri” të mbyllet me pafajësi, ku ishte këto 15 ditë opozita dhe PD? Duke u marrë me Fatmir Xhafën dhe historinë e stërpërsitur të vëllait të tij, pa dashje e hoqi vëmendjen e opinionit nga çështja “Tahiri”.

Ish-ministri po shkon drejt pafajsisë, pasi gjasat duken se vendimi për ta shpallur të tillë është marrë nga politika e mazhorancës.

Ambasada amerikane paralajmëroi, por askush nuk e dëgjoi./Kohajone/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here