Në ditën ndërkombëtare të fëmijëve ka reaguar në facebook deputetja e LSI Kejdi Mehmetaj, duke e cilësuar si një ditë të vaktë, pak festa, pak brohoritje, pak dhurata, fare pak nga hareja me të cilën jemi mësuar të jetojmë 1 qershorin në vite.
Postimi i plotë:
1 qershori – Nga festa e fëmijëve tek mundimi i varfërisë!
Në të gjithë Shqipërinë sot atmosfera ishte e vakët, pak festa, pak brohoritje, pak dhurata, fare pak nga hareja me të cilën jemi mësuar të jetojmë 1 qershorin në vite.
Prindërit e patën të vështirë të gëzonin si u do zemra me fëmijët e tyre, sepse varfëria është ulur këmbëkryq. Të ardhurat nuk mjaftojnë, mundësitë po shterohen. Po ashtu po shterohet edhe shpresa për një të ardhme të ndritur. E vetmja zgjidhje po mbetet largimi dhe këtë e pohojnë edhe vet fëmijët kur pyeten.
Në këtë ditë reflektimi, “Save the Children” u kujdes të na sillte në vëmendje të dhëna që duhet të na bëjnë të reagojmë, jo urtë e butë, por me zhurmë e forcë.
Shqipëria është vendi me vdekshmërinë më të lartë foshnjore në rajon.
Shqipëria është vendi me nivelin më të lartë të vonesës në rritje të fëmijëve në rajon.
Fëmijëve shqiptarë u grabitet e ardhmja për shkak të kequshqyerjes, martesës së hershme të detyruar,, shtatzënisë së hershme apo punës së detyruar.
Fëmijët shqiptarë nuk kanë akses në çerdhe, kopshte e shkolla. Edhe kur ky shërbim u ofrohet cilësia është aq e dobët sa e bën të pamundur për ta të konkurojnë denjësisht në tregun e punës.
Cfarë të dhënash na duhen më shumë se kaq për të kuptuar se asgjë nuk po shkon si duhet në vendin tonë.
Për të kuptuar se mosveprimet dhe keqveprimet e një qeverie të degraduar po vrasin gradualisht edhe të ardhmen e Shqipërisë.
Ku ishin sot Kryeministri, Ministrja e Arsimit, Ministrja e Shëndetësisë, Ministri i Punës? Në vend se të kishin gati një plan aksionesh emergjente për daljen nga kjo situatë e rëndë, tepsixhinjtë vazhduan teatrin e tyre grotesk rrugëve të Shqipërisë.
Në vend se të flitej sot gjerësisht për problemet e fëmijëve, sërish kryefjalë e punës së tyre ishin korrupsioni, trafiku e si tu marrin paratë shqiptarëve nga xhepat.
Jemi kthyer pas në kohën kur Fan Noli shkruante:
“Ku e lam’ e ku na mbeti,
vaj-vatani e mjer mileti,
anës detit i palarë,
anës dritës i paparë,
pranë sofrës i pangrënë,
pranë dijes i panxënë”
E prandaj si thotë Noli, tani duhet të ngrihemi, e të mos lejojmë më që vendi të drejtohet nga të paudhë, që nuk mendojnë as pak për fëmijët e familjet shqiptare