Një grua, nënë e dy fëmijëve, ka rrëfyer se për pak do të ishte verbuar pasi kishte 25 vjet që nuk e pastronte si duhej rimelin në sy.
Theresa Lynch, 50 vjeç, nga Sydney, kërkoi ndihmën e mjekes pasi kishte acarime dhe një ndjesi e pakëndshme nën qepallat e syve.
Gruaja me origjinë nga Maryland në SHBA, që tani jeton në Australi, u trondit kur mjekët zbuluan se nën qepallat e saj ishin krijuar disa gunga nga papastërtia.
Ato përbënin një rrezik serioz për shikimin e saj dhe u desh një anestezi e përgjithshme dhe një procedurë 90 minutëshe për t’i larguar.
Theresa dhe doktoresha e saj Dana Robaei kanë publikuar imazhet e tmerrshme, për të treguar rreziqet që mund të keni nëse nuk e pastroni fytyrën nga makijazhi para se të flini.
“Kur Dr Robaei hapi qepallën time, ajo tha:” Oh Zot … Në gjithë karrierën time nuk kam parë ndonjë gjë të tillë”.
Ajo tha se rasti i paprecedentë ishte i duhuri për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet e fshehura në produktet të përditshme të bukurisë.