Kristiano Ronaldo me shumë mundësi do të largohet nga Reali i Madridit gjatë kësaj vere, por ai duhet të mendohet mirë për destinacionin e tij të ardhshëm. Nuk ka shumë klube, që mund të ndërmarrin nënshkrimin e tij nga këndvështrimi ekonomik. Duke marrë në konsideratë edhe moshën e yllit portugez, shtohen edhe më shumë pikëpyetjet për të ardhmen e tij.
Destinacioni i parë për të është Mançester Junajtid, klubi ku ai e shenjtëroi veten si yll botëror, ku fitoi Championsin dhe “Topin e Artë” të parë në karrierë. Nga pikëpamja ekonomike, operacioni do të jetë i zbatueshëm. Por, asgjë nuk do të bindë Murinjon, i cili nuk duket i gatshëm për të ndryshuar një skuadër të projektuar pa një “lokomotivë” të vetme, ndërkohë që Ronaldo është një lojtar, që në mënyrë të pashmangshme e detyron të luajë për të. Për të mos përmendur që Junajtid i tanishëm është larg potencialit sportiv të ekipeve më të mira në Europë.
Duke mos u larguar nga Anglia, një tjetër opsion për të ardhmen e tij mund të jetë edhe Mançester Siti, i cili i garanton një ekip konkurrues në Angli dhe Europë. Por, duket e vështirë për të bindur Guardiolën, që të vërë punën dhe emrin e tij në duart e një “atleti” si Ronaldo, një lojtar i cili, përtej marrëdhënieve të tij me golin, nuk shton shumë në zhvillimin e lojës. Jashtë Anglisë, vetëm një klub ka para të mjaftueshme për të paguar Kristiano Ronaldon. Jo vetëm transferimin e tij, por edhe pagën e kërkuar nga lojtari, i cili synon të mos jetë mbrapa Mesit dhe Nejmarit në aspektin e përfitimeve ekonomike. Ky klub është PSG, me të cilin portugezi ka pasur një “dremitje” edhe në të kaluarën.
Në Paris ka para dhe ambicie, por edhe një problem. Dhe jo problem i vogël. Emri i tij është Nejmar. Braziliani dhe portugezi nuk mund të bashkëjetojnë në të njëjtën “gardërobë”. Rregullat e “fair play financiar” nuk do ta lejonin këtë. Klubi francez tashmë është në kufi me Nejmar dhe Mbape. Ardhja e CR7 do të nënkuptonte largimin e njërit nga të dy. Në fakt, Real Madridi e ka ende ish-sulmuesin e Barçës si një objektiv primar.
Një tjetër alternativë mund të jetë edhe Juventusi, që i ka mundësitë financiare për të synuar Ligën e Kampionëve, por nuk mund t’i plotësojë kërkesën e tij për ta bërë futbollistin më të paguar në botë. Jashtë Europës, alternativa është Kina. Nëse Kristiano Ronaldo dëshiron të fitojë para, kjo pistë predominon, natyrisht. Në MLS paguajnë shumë më pak, edhe pse mjedisi është më tërheqës për portugezin. Por, të dyja këto opsione nuk i mundësojnë Ronaldos që të luftojë për trofetë më të rëndësishëm individual.