Nga Dr. Albano ZHAPAJ
Provimet e Maturës Shtetërore përveç se një proces burokratik i arsimit të mesëm të lartë (shkollat e mesme dhe gjimnazet) është më tepër një proces jetësor për të rinjtë 18 vjeçarë, të cilët lënë pas një fazë shumë të rëndësishme të jetës së tyre dhe hyjnë në një fazë të re, si të jetës ashtu edhe të dijes. Janë plot 12 vjet punë e sakrifica, të fëmijëve por edhe të familjeve të tyre, janë netë pa gjumë, studime të vazhdueshme, kurse jashtë shkollorë, konsultime, përsëritje dhe ripërsëritje të teksteve, për katër ditë provime.
Imagjinoni tensionin e përditshëm të maturantëve dhe ankthin e pritjes për datën e provimit, tension dhe ankth që nuk është vetëm i tyre por edhe i prindërve. Dita e provimit përfytyrohet si dita që do t`u japë vlerësimin e një bote (jete) të kaluar dhe do t`u hapë rrugën përfundimisht në një botë tjetër. Fjalën “imagjinoni” natyrisht e heqim për ata prindër që kanë fëmijët në prag provimesh të Maturës Shtetërore, sepse fjalët nuk mund ta shprehin dot në detaje atë çka këta prindër përjetojnë realisht.
Çdo të thotë të jesh maturant sot?
Të jesh një i ri 18 vjeçar sot (ashtu si edhe dje) do të thotë të jesh i mbushur me ëndrra të mëdha. Shumë të rinj hyjnë në provime me shumë shpresa, me kurajo, por edhe me pak mosbesim (lexo edhe frikë) për faktin se çdo të bëjnë më pas. Të sjellim në mend filmin e famshëm të Giovani Veronesi “Çfarë do të bëhet me ne”, ku personazhi kryesor, djaloshi Silvio, gjatë një dialogu me dy shokët e tij shprehet: “Unë do të doja të zgjohesha nesër dhe të isha tridhjetë vjeç, për të parë se çfarë do të bëhet me ne”.
Filmi flet për tre 18 vjeçarë që pasi mbarojnë shkollën e mesme, nisen për në kërkim të vetvetes. Dhe kjo është ajo që ndodh me shumë të rinj sot; në qoftë se ata nuk e fillojnë jetën me vetveten u lind nevoja për t`u larguar nga vendi, nevoja për të shkuar më tej, në një botë më të mirë, ku mund të gjejnë më mirë se këtu vetveten.
Dhe në qoftë se nga njëra anë të rinjtë mbas provimeve e (duan ta) konsiderojnë veten të rritur, nga ana tjetër ka nga ata që mendojnë të largohen nga vendi, ka të tjerë që shkojnë në kërkim të një punësimi të shpejtë, dhe ka nga ata që kanë mundësi dhe fat të mirë për të vazhduar më tej studimet e tyre. Kështu që disa ditë përpara Provimeve të Maturës, me rritjen e akthit të maturantëve u lindin edhe pyetje të tilla si “Çfarë do të bëj unë pas provimeve?”, “A do ta fitoj dot degën që dua?”, “Po shoku/shoqja ime a do tja dalë dot?”, e të tjera si këto.
Maturanti e shikon provimin si një vlerësim për të dhe punën e tij.
Të gjitha “ankthet dhe tensionet” e të rinjve në prag të provimeve të maturës, përveç konotacionit negativ që mbartin në vetvete si terminologji, kanë anët e tyre pozitive, pasi maturojnë të rinjtë dhe i pregatisin për faza të reja edhe më të vështira të jetës. Gjithsesi mbetet fakti që vlerësimi objektiv për një të ri dhe shokët/shoqet e tij, është baza e fillimit të udhëtimit të mëtejshëm drejt dijes, punës dhe jetës, i mbështetur tek vetvetja, pra tek fakti se sa vlejnë ata realisht. Pa këtë njohje të vetvetes rruga e mëtejshme bëhet më e vështirë e më e komplikuar.
Po si mund t`i sigurojmë një të riu apo të reje maturant/e që të gjejë rrugën e tij të jetës, të gjejë vetveten në shoqëri, të njohë vlerat dhe njohuritë objektive që ai zotëron, në qoftë se nuk i ofrojmë një sistem të drejtë, korrekt dhe objektiv të provimeve të Maturës Shtetërore.
Filozofi i lashtë Sokrat, shumë kohë më parë, thoshte urtësisht se “Kush njeh veten, njeh universin dhe Zotat”, urtësi kjo sa e lashtë, aq e vlefshme edhe sot, e cila na nxit për të gjetur të vërtetën brenda nesh dhe jo t`i besojmë aparencës. Vetëm duke njohur vetveten, duke njohur limitet tona e duke mos dëshiruar të pamundurën, çdo i ri do të mund të gjejë atë “të ardhme të ndryshme” profesionale dhe shoqërore që ka ëndërruar.
Është më se normale që një i ri gjithmonë të ketë ëndrra, duhet të ketë lirinë për të zgjedhur një jetë të tij, natyrisht jo të paketuar, dhe të punojë për të zhvilluar e çuar më tej aftësinë për të arritur në profesionin dhe ëndrrën e tij fillestare.
Zhgënjimi i maturantit në provimin e shtetit.
Me sytë disi të lodhur, por krenarë e shpresëplotë nga netët pa gjumë, përsëritjet dhe ripërsëritjet e lëndës në prag të hyrjes në provim në datën e caktuar, maturantët fillojnë e hyjnë me radhë nëpër vendet e caktuara. Me shishet e ujit në duar, lapsin dhe stilolapsat ndër xhepa, si dhe ëndrrat në mendje, ulen e presin me padurim t`u shpërndahet testi personal i provimit. Rregulloren e kanë lexuar, por nuk është se e kujtojnë dot në detaje, pasi ata besojnë tek mësuesit, besojnë tek shkolla e besojnë tek shteti. Janë të rinj të brymosur me vlerat më të mira edukative e shoqërore.
Mbasi fillon provimi nisin e vërejnë disa veprime e lëvizje të çuditshme, të papritura, të pakuptueshme për ta. Mësuesi që administron provimin, ndonjë përgjegjës kati, ndonjë punonjës i Drejtorisë Arsimore, apo ndonjë figurë e panjohur për ta afrohet dhe ndihmon ndonjë nga shokët apo shoqet e tij; dikujt i çojnë një celular, dikujt tjetër i japin një fletë me zgjidhjen e problemit, dikush tjetër kopjon haptazi duke folur në celular, kurse ndonjë mësues tjetër shkon e merr fletën e zgjidhur nga nxënësi ekselent dhe jua jep ta kopjojnë edhe disa maturantëve të tjerë.
Kur ka arritur në gjysmën e provimit, maturantit fillon dhe i ndryshon komplet struktura e mendimeve në kokë; “ O Zot,- thotë me vete,- këta janë shokët e mi të klasës që s`kanë shkëlqyer dhe që po i bëjnë të gjitha, pa u lodhur, pa u sforcuar. Unë kam tre vjet që mësoj dhe do dal më keq se këta”.
Që këtu fillon zhgënjimi i maturantit, ato mësime që kishte në kokë fillojnë ti ç`organizohen, tensioni dhe ankthi shtohen, ndërsa minutat për përfundimin e provimit zvogëlohen. Në tension e sipër ndonjë përgjigje me alternativë nuk e gjen të saktë, ndonjë fjali nuk e plotëson siç duhet dhe ndonjë gabim ortografik natyrshëm që edhe i shpëton. Rrjedhimisht, rezultati dihet, notën 8 ose 9 e merr ekselenti dhe notën 10 e merr ai maturant që për tre vjet ka qenë nën mesataren. Kur përfundon provimi, maturanti i zhgënjyer gjatë procesit merr vesh se në rrjetet sociale testi i provimit ka dalë qysh para provimit, është zgjidhur dhe u është ofruar një pjese të shokëve apo shoqeve të tij, duke thelluar kështu zhgënjimin fillestar. Këtë analizë të përgjithshme e bëjmë për maturantët në shkollat shtetërore, se në ato private ka ende për të thënë.
Testet e provimit nuk dalin vetë, ato i shet Ministria e Arsimit me bekimin e Qeverisë.
Kemi 28 vjet që duam të shkojmë në Evropë, që duam të ndërtojmë një shoqëri të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane, por që vrasim ëndrrën dhe shpresën e të rinjve ende pa nisur mirë rrugën e tyre të jetës. Testet e provimeve të Maturës Shtetërore që administrohen nga Ministria e Arsimit, në vend që të ishin teste të vlerësimit të dijes dhe aftësive të të rinjve, në vend që të ishin shpagim i punës dhe sakrificave të maturantëve dhe familjeve të tyre, janë kthyer në mall që i shitet kujtdo që e paguan.
Nuk është një problem i veçuar, është fenomen korruptiv, i lindur, pranuar dhe mbështetur nga Titullari i Ministrisë së Arsimit me bekimin e Qeverisë. Mundësia që testi i provimit të dalë nga vartësit pa dijeninë dhe aprovimin e titullarit të Ministrisë së Arsimit është pothuaj e njëjta me mundësinë e dhënies dikujt të një tenderi apo koncesioni miliona eurosh nga ndonjë ministër i qeverisë, pa dijeninë dhe aprovimin e Kryeministrit.
Çdo justifikim apo argument i kundërt është thjesht demagogji dhe mashtrim. Qeveria ka gjithë pushtetin që i duhet pë ta kontrolluar siç duhet procesin, ka plot pesë vjet që e ka këtë pushtet. Në Ministrinë e Arsimit ka një armatë të tërë militantësh të bindur, që as “djersët” nuk do të fshinin pa lejen e eprorit; në çdo rreth Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore kanë drejtorët dhe stafin që vet ky pushtet ka zgjedhur; çdo shkollë e arsimit parauniversitar drejtohet nga njerëzit që vet ky pushtet i ka vënë; janë po këta njerëz që dalin si ushtarë të bindur në rresht për një, kur qeveria dhe ky pushtet i thërret në fushatë elektorale.
Nuk ekziston asnjë mundësi reale që një inspektor ministrie, një drejtor arsimi, një drejtor shkolle apo një mësues të nxjerrin me iniciativë personale një test provimi mature jashtë mureve të shkollës, pa pasur një orientim dhe mbështetje nga “lart”. Edhe sot në provimin e letërsisë dalja e testit të provimit jashtë ambjenteve të shkollave ndodhi, dhe jo vetëm në një shkollë, jo vetëm në një qytet, por në shumë shkolla e në shumë qytete.
Nuk ekziston asnjë mundësi reale që një inspektor ministrie, një drejtor arsimi, një drejtor shkolle apo një mësues, të lejojnë maturantët të përdorin celularët haptazi dhe pa frikë, të lejojnë mos funksionimin e aparaturave që bllokojnë valët e celularëve, shkëputjen e qëllimshme të energjisë elektrike aty ku ka kamera, apo edhe të vetë ofrohen për zgjidhjen e testit të provimit, pa pasur një orientim dhe mbështetje nga “lart”. Qarkullojnë informacione mes maturantësh e mësuesish se disa shkolla private në disa qytete të vendit çdo vit e blejnë testin e provimeve të maturës me shuma të majme që përpara se të shpërndahet, dhe në provim ua ofrojnë maturantëve të tyre klientë.
Kjo ushtri “profesionistësh mizerabël”, të kurruptuarish, bashkëfajtorësh e bashkëpunëtorësh të shitjes së testit të provimeve të maturës që bëhet nga “lart” me në krye të korruptuarit dhe korruptuesit që janë ulur në poltronat qeveritare, duhet të kuptojnë njëherë e mirë se po vrasin shpirtin e të rinjve, po vrasin ëndrrat e tyre, po vrasin të ardhmen e tyre evropiane. Ndaloni sa nuk është vonë, se po nuk e bëtë vetë … Zoti do ta bëjë për ju.