Kullat te Teatri Kombëtar/ Inxhinieri tregon përfitimet kolosale të Ramës…

0
636

Pas debateve të shumta dhe të tensionuara për projektin e teatrit Kombëtar ka reaguar edhe deputeti demokrat. Hekuran Hoxhalli i cili  ka analizuar nga këndvështrimi teknik ndërtimin e 6 kullave te Teatri Kombëtar.

Nga Hekuran Hoxhalli

Ka disa javë që Tirana zien nga sherri për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar. Beteja po bëhet midis Edi Ramës personalisht dhe Lali Erit personalisht nga njera anë dhe kolektivit të aktorëve, me yjet më të ndritur të fushës në ballë, nga ana tjetër.

Artistët e Kombit po zihen me qeverinë për kulturën dhe monumentet e saj, por dhe qeveria “u fryn borive” të kulturës sa i mbajnë bulçitë. Çështja është se kjo nuk është betejë “për jetë a vdekje” për kulturën, nuk zhvillohet midis dashamirëve të artit dhe armiqve të tij, por është betejë për jetë a vdekje për shtetin ligjor dhe kundër korrupsionit, e cila duhet të zhvillohet mids shqiptarëve dhe udhëheqësve të korruptuar, në qeveri dhe në bashki.

Që të mos më thoni se unë tani po i “fryj borive” të opozitarizmit, dua t’iu ftoj në këtë “udhëtim” në shtigjet e këtij korrupsioni emblematik dhe domethënës, sepse kjo detyrë më takon jo vetëm si politikan, por edhe si specialist në fushën e ndërtimit.

Afera korruptive me “teatrin” shpërtheu këto ditë, kur artistët kuptuan se po i nxirrnin në mes të rrugës dhe këtë gjëmë po ua bënin për të “mirën” e tyre!!! Por fara e korrupsionit ka qenë hedhur herët, atëhere kur askush nuk e kish mendjen dhe askush nuk e dallonte dot.

Ndërtimet në Tiranë bëhen në bazë të Planit të Përgjithshëm Vendor (PPV) dhe rregullores së tij. Ai përcakton me rreptësi kush ka të drejtë të ndërtojë, çfarë ndërtimi lejohet të kryejë, sa për qind të pronës së vet mund të zhvillojë, kur mund të bëjë marrëveshje zhvillimi me bashkinë, çfarë duhet t’i japë bashkisë dhe çfarë mund të kërkojë si përfitim në këmbim etj. Ajo që mund të them me kompetencë është se këto rregulla janë të rrepta, nuk lënë hapësirë për të lëvizur. Bashkia të “plas buzën” e të “merr shpirtin” po të lëvizësh një centimetër prej tyre. Me një përjashtim….me përjashtim të zonës ku Lali Edi (jo Lali Eri) ka ndarë mendjen të na bëjë “dhuratë” teatrin (tek ky projekt Lali Edi i thotë Lali Erit: ty t’ka Lala çun!).

Për të kuptuar ndalesën e parë në shtegun e korrupsionit duhet të lexojmë PPV. PPV ka pasaportën për çdo njësi, ku përcaktohen rreptësisht kushtet për ndërtimin në Tiranë. Njësia ku Lali Edi do na “dhurojë” teatrin ka emërtimin TR/1.

Nëse njësitë e tjera e kanë sipërfaqen totale të ndërtimeve të lejuara të përcaktuar me metra katrorë, TR/1 e ka sipërfaqen totale “përcaktohet në PDV” (për ata që nuk e kuptojnë shqipen teknike d.m.th se këtë e ndan Lali Edi). Nëse njësitë e tjera e kanë intensitetin e ndërtimit të përcaktuar 2, 2.5 ose 3, TR/1 e ka intesitetin e ndërtimit “përcaktohet në PDV” (e kuptoni? Edhe këtë e ndan Lali Edi). Nëse njësitë e tjera e kanë koeficientin e shfrytëzimit të truallit jo më të lartë se 45 për qind, TR/1 e ka koeficientin e shfrytëzimit “përcaktohet në PDV” (E ndan Lali Edi). Nëse njësitë e tjera e kanë numrin e kateve si rregull jo më shumë se 9 kate mbi tokë, TR/1 e ka numrin e kateve “përcaktohet në PDV” (Përsëri Lali Edi). E njejta gjë vlen për lartësinë e strukturave, kapacitetin mbajtës të popullsisë, raportin gjelbërim për banorë apo parkimin për banorë. Tek TR/1 të gjitha këto i ndan lali Edi. Në të gjitha njësitë e tjera i ndan, siç i takon në shtetin ligjor, rregullorja e PPV.

Kur Lali Edi miratoi PPV e Tiranës, e kishte ndarë mendjen që do na bënte me “teatër”, me teatër dhe gjashtë kulla në zemër të Tiranës, të gjitha në truall publik, atje ku ligji nuk e lejon të ndërtojë.

Nëse nuk më besoni, atëherë zbrisni dhe ju në ndalesën e parë të korrupsionit dhe lexoni, duke krahasuar, faqen e parë të pasaportës së PPV më poshtë. Binduni vetë.

Ndalesa e dytë në shtegun e aferës korruptive ka lidhje me raportet e pronësisë në njësinë TR/1. Pronësia në njësinë TR/1 është në shumicën dërrmuese të saj pronësi shtetërore (vetëkuptohet kur shumicën e zë Sheshi “Skënderbej”, ai shesh që Lali Edi e pagëzoi Sheshi Amë…që ditën kur vendosi t’i bëhej “baba”). Në pjesën ku Lali Edi ka ndarë mendjen të na “dhurojë” një teatër dhe gjashtë kulla, ka vetëm një parcelë me 1200 m2 në pronësi private, pjesa tjetër, 4500 m2 truall është pronë shtetërore. Të paktën 5 nga 6 kullat nuk ndërtohen dot edhe sikur Lali Edi të bëhet vetë “murator”, sepse ligji nuk lejon zhvillimin e projekteve private mbi truall publik. Prandaj Lali Edi e ka të domosdoshme të na e “shesë” ndërtimin e kullave si interes publik. Prandaj i duhet “dhurata” me teatër. Sipas ligjit shqiptar penal autoriteti publik që, duke shfrytëzuar postin, i shërben qëllimeve përfituese të privatit, kryen shpërdorim detyre. Prandaj projekti për ndërtimin në truall publik të kullave të oligarkëve, nuk mund të jetë gjë tjetër veçse “teatër”, jo kombëtar, por korruptiv.

Ndalesa e tretë në shtegun e korrupsionit është tek roli i oligarkut. Unë nuk e di emrin e tij, as nëse ai është një apo më shumë se një, as nëse ai është një me Lali Edin, apo është i ndarë prej tij. Unë di me siguri se pronari privat i 1200 m2 truall në Tiranë, nëse do kërkojë të zhvillojë pronën e tij sipas PPV dhe rregullores, ai do jetë i detyruar të ndërtojë një kullë me koeficient shfrytëzimi 45 për qind, dmth një kullë me gjurmë 570 m2. Po të jem bujar me të dhe t’i llogaris 10 kate mbi tokë, atëherë i bie që të ndërtojë gjithsej 5700 m2 ndërtim. po t’ia shumëzoj me çmimin më të lartë sot në Tiranë 2500 Euro/m2, dhe t’i zbres koston e ndërtimit 500 Euro/m2, atëherë më takon t’i njoh një përfitim bruto (pa taksa) në masën 11 milion e 400 mijë Euro. Tek kjo shifër mbaron bujaria publike. Çdo Euro që përfiton oligarku përtej kësaj shifre është vjedhje e hapur, ashiqare e pasurisë dhe interesit publik.

Që vjedhjes t’i japim një vlerë është shumë e thjeshtë. Le ta shumëzojmë përfitimin prej 11 milion e 400 mijë Euro me gjashtë kulla 10 katëshe dhe do na dalë shifra 68 milion e 400 mijë Euro përfitim për 6 kulla dhjetë katëshe. Po t’i bëjmë kullat jo 10, por 30 katëshe, aq sa i ka qejf oligarku, a e dini sa na del përfitimi? Del 205 milion e 200 mije Euro. Kjo shifër e frikshme është MINIMALE, sepse projekti i Lali Edit mbahet ende rreptësisht sekret. Lali Edi e ka PDV në kokë dhe nuk ia tregon njeriu. E rëndësishme është që gjithshka të bëhet “sipas përcaktimeve në PDV” (kujtoni dhe një herë ndalesën e parë në shtegun e kësaj afere korruptive).

Ndalesa e katërt në shtegun e korrupsionit ka lidhje me procedurën ligjore që po ndiqet. Lali Eri (që e ka Lala çun) e shpalli projektin e “teatrit” si projekt zhvillimi me kushte (zhvillimi me kushte është kategori ndërtimesh e njohur nga rregullorja e PPV). Zhvillimi me kushte është, me pak fjalë, ndërtim duke tejkaluar në intensitet dhe sipërfaqe ndërtimi kufijtë e lejuar nga PPV-ja. Që të tejkalohen këta kufij, duhet që privati të vejë në dispozicion të bashkisë pjesë nga trualli i tij, ose të investojë në infrastrukturë publike paratë e tij. Në asnjë rrethanë rregullorja e PPV nuk lejon që bashkia t’i japë privatit truall shtetëror për zhvillimin e ndërtimeve private. Prandaj Lali Eri nuk ia kalon dot 4200 m2 oligarkut, se hap derën e burgut për vete. Të thotë sa të dojë “po i jap për teatër”. Nuk ka asnjë mundësi. Pikë.

Ligji njeh privatizimin e pasurive shtetërore, kur ato nuk i shërbejnë më interesit publik (ka nevojë të shpjegoj se s’ka zot që pranon se trualli në zemër të Shqipërisë, nuk mund të hiqet KURRË nga interesi publik?!). Por edhe privatizimi bëhet me procedurë ligjore. Ligji thotë: VETËM ME ANKAND! Oligarku e ka frikë ankandin dhe konkurrencën dhe nuk e pranon dot. Prandaj është oligark. Kështu që Lali Edi u detyrua t’i thotë Lali Erit: “Shtyu pak, se t’ka lala çun! Tani do i dal vetë zot sheshit Amë, se puna e teatrit nuk pret. Populli po pret në rradhë për shfaqe dhe po na i mbyt njerëzit azbesti”.

Kjo ishte me pak fjalë fabula e “teatrit” të Edi Ramës me teatrin kombëtar. Ka ngelur pa zhvilluar vetëm akti i fundit. Ai i teatrit parlamentar. Zoti u dhëntë mend e forcë deputetëve socialistë dhe ua kursejnë shqiptarëve këtë “teatër”!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here