Presidenti Meta merr pjesë si i ftuar nderi në Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit 15 qershor 2018 Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta mori pjesë si i ftuar nderi i Bundestagut gjerman në Takimin e 23-të Ndërkombëtar të Berlinit, gjatë të cilit mbajti fjalën e rastit. Kreu i Shtetit vuri theksoi në fjalën e tij se, sot paqja dhe stabiliteti janë të pranishme në rajonin tonë dhe kemi mundësinë historike për ta bërë atë të pakthyeshme. Presidenti Meta theksoi gjithashtu se, në këtë frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi të ndërsjellë, ne u lutëm bashkarisht që çështja e emrit të Maqedonisë të zgjidhej sa më parë dhe falënderojmë Zotin për progresin historik të ditëve të fundit dhe finalizimin e saj. Po kështu u lutëm që dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të përparojë drejt një zgjidhjeje përfundimtare të pranueshme për të dyja vendet, nënvizoi Presidenti. Duke iu referuar temës së Takimit, Presidenti Meta nënvizoi se pavarësisht izolimit të gjatë komunist, uria e shqiptarëve për dashurinë dhe përkushtimin ndaj Zotit ishte tejet e madhe. Përpjekje satanike u bënë gjatë regjimit diktatorial për të reduktuar interesin e shqiptarëve vetëm tek “buka e përditshme” dhe zbrazur shpirtin e tyre nga besimi dhe dashuria në Zot. Nuk do të gjeja shprehje më të bukur se ajo e Nënë Terezës që thotë se: Uria për dashurinë është më e vështirë të largohet se sa uria për bukë. Presidenti Meta nënvizoi gjithashtu edhe progresin e bërë nga Shqipëria nën drejtim të procesit të integrimit evropian dhe theksoi se, vetëm dy javë na ndajnë nga vendimi i rëndësishëm që pritet të merret nga Këshilli Evropian për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne lutemi që ky vendim të jetë pozitiv si për ne, ashtu edhe për fqinjin tonë Maqedoninë. Brenda kësaj lutjeje qëndron dhe vetëdija e plotë për punën akoma më të madhe që duhet të bëjmë për të rritur cilësinë dhe standardet në të gjitha fushat e politikbërjes. Çelja e negociatave do të ishte një shtysë inkurajuese për adresimin edhe më të fort të prioriteteve kyçe – theksoi Presidenti Meta.