Sabjani ka rënë pre e talljeve nga shokët e shkollës për shkak të natyrës së tij të ndrojtur, që nuk kthen të keqen me të keqe, e nuk përdor fjalë të pista për të qenë në “modë”.
Sabjani tregoi se mësuesit e kanë vënë re sjelljen e shokëve ndaj tij, por që janë treguar indiferentë. 15-vjeçari ka provuar të shoqërohet me një vajzë, por të gjitha sekretet e tij ajo ja ka treguar shkollës.
Të gjithë këtë energji negative kanë bërë që Sabjani t’ja shkarkojë të ëmës në shtëpi duke u rebeluar e ngritur zërin.
“Në shkollë ndihem paksa ndryshe nga të tjerët. Ato kanë tipin të thonë llafe të pahijshme. Kjo më ka bërë mua më të tërhequr. Kur ata më thonin diçka mua, unë nuk kam dashur që t’u kthej përgjigje. Ndoshta nuk mund t’ua ktheja dot atyre fjalën dhe i’a ktheja më shumë mamit në shtëpi në vend që t’ua ktheja personave që e meritonin. Për këtë gjë më vjen pak keq sepse nuk e kam treguar veten si në shtëpi edhe në shkollë. Kam dashuri disa herë t’i hapem mamit por s’e kam patur guximin sepse kam patur frikë se mami do thoshte pse nuk e ngre dhe ti zërin si të tjerët. Me mësime nuk shkoj mirë. Deri në klasën e pestë kam qenë nxënës shumë i mirë ndërsa këto tre vitet e fundit jo”, është shprehur Sabjani i cili e kishte thirrur mamanë për t’i kërkuar falje.
“Ti e di që kam shumë gjëra për të të thënë por ngaqë kam emocione po i bie pak shkurt. Të falenderoj për gjithë sakrificat që ke bërë për gjithë ne fëmijët sepse të gjitha problemet ti i ke kaluar me një buzëqeshje. E mbaj mend qëkur isha fëmijë që ti më thoje mua që çfarëdo që të të thonë njerëzit ti duhet t’ua kthesh me buzëqeshje, duhet të rrish gjithmonë pozitiv. Dua të të premtoj që do të të ndihmoj me punët në fshat sepse e di që aty ka shumë punë dhe nuk do të ngre më zërin. Dua të të kërkoj falje për ato gjëra që kam bërë e që ty të kanë mërzitur”, i tha Sabjani të ëmës e cila e pranoi ndjesën, por u ndje edhe pak në faj që nuk i ka kushtuar vëmendje këtij problemi që po kalon djali i saj