Dr. Ndriçim Mehmeti
Një nga shprehjet më banale, krejt të rëndomta e pa shijë është premtimi se “po kryejmë reforma evropianizuese në arsim, po impletmetojmë modelin britanik si modelin më të mirë të arsimit evropian, po përafrojmë standardet e arsimit shqiptar me atë evropian, shkollat tona do të bëhen njësoj si ato të fëmijëve dhe nxënësve në vendet më të zhvilluara të Evropës, etj.” Por nëse fjalët janë të mëdha, realiteti që jetojmë përgënjeshtron gjithçka.
Cilat janë arsyet themelore që e bëjnë sistemin tonë arsimor anormal
Në vitet e fundit, arsimi është trajtuar si një mundësi e mirë për të bërë eksperimente të panjohura në asnjë vend të botës. Nuk mund të gjesh asnjë rast të vetëm, në vendet e zhvilluara dhe ato pak të zhvilluara, që një qeveri të përgjegjshme ende pa përfunduar dhe pa dhënë frytet e veta një reformë, të hidhet në tokë e gjitha dhe në një terren të shkretuar të ngresh “themelet e një reforme të suksesshme”. Kjo u pretendua me të madhe nga qeveria socialiste në 2013 dhe dështoi po me bujën me të cilën filloi.
Shkolla Qendër Komunitare. Shkolla u kthye në vatër të molepsëse me veset më të këqija, me një bullizëm në rritje, me një interes gjithnjë e më të pakët për mësimin dhe më shumë për seksin, drogën, qejfin dhe ziafetin.
Projekti COMBI e të tilla si këto janë lanë vendit projekte, që ngjajnë si gjethet që ngrihen në rërën e plazhit, që zhduken ende pa u valëvitur në ajër: Edukim i shëndoshë qytetar dhe fetar. Mësim të fesë për të bërë më të mirë të rinj dhe më të edukuar, që nuk ja pa hairin njeri. U nis në letër e nuk u bitis asnjëherë. Na u shit si një arritje dhe përfundoi në një dështim pa e mbajtur askush përgjegjësinë. Një shkollë një ministër; mësim digjital me tableta të dala jashtë përdorimit; mësojmë në shkollë detyrat e shtëpisë dhe në shkollë nuk ka as kushte, as ushqim e as mësues kompetent, që të mbikëqyrin fëmijët dhe ti ndihmojnë ata q kanë vështirësi në kryerjen e tyre.
Ndërtojmë kapacitete më të mira njerëzore në arsim. Dhe u ndërtuan vërtetë. U thirrën nën armë për të drejtuar arsimin në nivel lokal, institucione shkollore dhe atë qendror, shitës syzesh, aktorë të emisioneve humoristike, shpërndarës të ndihmës ekonomike, magazinierë të DRSH, ShS, policë elektrikë “vizionar” të arsimit, të vetëquajtur gjeneral të arsimit, që kurrë nuk morën gradën rreshter sa ishin në sistem, e gjithë farë soj e sorollop i këtij lloji. Përfundimi? Një reformë kaotike pa fillim e pa fund, korrupsion i qartë në dritën e diellit me qëllim rritjen në maksimum të të ardhurave personale, perversiteti në zyrat e shtetit, shkatërrimi i atyre pak vlerave pozitive të mbetura në arsim, degradim të profesionit të mësuesit në pikën më të ulët të historisë së shtetit shqiptar.
Arsimi profesional prioritet vetëm në deklarim. Shtegtoi ministri më ministri dhe askush nuk di se ku gjendet, çfarë bëhet, cila është mënyra e organizimit, diplomat me të cilën do të pajisen nxënësit, trajnimi i mësuesve, si do të rriten kapacitete për t’ju përgjigjur sfidave të kohës, etj.?
“Bashkimi” i kombit shqiptar në arsim, mbeti një ëndërr në sirtar. Një demagogji e hapur e pa frena, e lëshuar nga një tufë sharlatanësh/esh, pa ide, mendim e vizion për arsimin. Si rezultat nuk arritën dot të blejnë 5 libra për diasporën, duke detyruar Ministrin e Diasporës së Kosovës të kërkonte falje, se “qeveritë të dy vendeve për fat të keq nuk kishin mundur të siguronin financat e nevojshme, duke mos e mbajtur premtimin”. Por historia filloi pak më herët se deklarimi në Gjakovë në vitin 2018, i ministrit të Kosovës. Në vitin 2013, qeveria dhe MAS zhdukën si të panevojshëm, Sektorin e Diasporës, ndonëse televizion më televizion, male, fusha e kodra shëtitën pamjet e lotëve për arritjen e “marrëveshjeve të mëdha” me qëllim krijimin e arsimit të unifikuar kombëtar. Lotët u thanë më shpejt se boja në firmën e marrëveshjeve, tekstet e përbashkëta, programet, kurrikula, kualifikimi i punonjësve arsimor, nuk u bënë asnjëherë. Natyrisht që pati takime të shumta, dreka e darka pune, po gjë nuk u qullos. Secili eci sypatrembur në rrugën e vet, duke kërkuar shtigje të reja. Ministria e rihapi Sektorin e Diasporës, e rimbylli sapo Pandi mori në dorë Ministrinë e Diasporës. Plotfuqishmëria për gjithçka ju kalua Pandit dhe Ministria e Arsimit hoqi qafe, të bezdisurit e Diasporës, Komandanti organizoi Samitin “më të madh” të Diasporës dhe gjithçka u zgjidh vetë, si me dorën e Zotit. U përpoqëm për shumë gjëra në arsim, përfshi dhe rithemelimin e një identitetit kombëtar, por në fund si gjithnjë dështuam me sukses, duke krijuar një model të përçudnuar, të arnuar dhe të pa provuar askund si të suksesshëm.
Identiteti i munguar dhe investimi politik për zhbërjen e traditës dhe përvojave më të mira të arsimit shqiptar.
Ne u përpoqëm shumë të bëhemi pak si Kanadaja, pak si Greqia, pak si Finlanda, më shumë si Anglia, por nuk arritëm dot të jemi as vetvetja. Mbetëm përsëri në retorikën e të bërit reforma, duke shkatërruar me një investim politik të detajuar mirë e deri në qelizën e fundit sistemin arsimor. Filluam të ndryshojmë nen për nen ligjin e arsimit parauniversitar të votuar me 128 vota nga 140 deputetë të parlamentit. Pastaj nuk na pëlqenin tekstet shkollore dhe i vumë kazmën, vetëm me një vizitë “studimore” (shëtitje), 4 ditore në Londër. Pastaj filluam sërish programet nga e para, pa provuar, pa studiuar, pa marrë as pikën e mundimit për të bërë një analizë për reformën që ishte në vijim. U derdhën sërish lekë, u futën në sistem “konkurrimi” tekstet e reja që bëheshin në një kohë rekord, më shpejt se një simite në furrën e bukës. Për 1-2 muaj bëhej shpallja e konkursit, konkurrimi, dorëzimi i tekstit dhe dilte fituesi. Kaq pak kohë duhet për një tekst shkollor. Më pak se një semestër shkollor, për të bërë një tekst me të cilin do të punojnë nxënësit gjatë një viti shkollor.
Të gjithë kategorinë e përmendur më lart të drejtuesve dikur menaxherë të dyqaneve, aktor humori apo edhe të dënuar për bixhoz, falsifikim dokumentesh etj., i certifikuan nga Shkolla e Drejtorëve, si drejtues të përjetshëm dhe të papërsëritshëm të institucioneve arsimore. Së shpejti në arsim do të rekrutohen persona që nuk vijnë nga fusha e arsimit, por që “u qan” zemra për arsimin. Me kurse të përshpejtuar, agronom, zooteknik, veteriner e shumë të tjerë do të bëhen mësues të “talentuar”. Edhe këta të fundit do të ligjërohen përmes marrjes së licencës, në kushte plotësisht antiligjore, por përmes ndryshimeve ligjore.
Puna me nxënësit është “rritur ndjeshëm”. Bullizmi, përdorimi i narkotikëve, mungesa e interesit, motivimit nga na e fëmijëve ka kapur nivelet më të larta. Puna ka shkuar deri aty, sa “për të sjell në din” të rinjtë, na duhet nga një polic në shkollë që të uli “gjakrat” e ndezura të adoleshencës. Ndërkaq numri i klasave kolektive po rritet. Si shembull dhe model për të ndjekur për këtë fenomen kemi dy vende: Zimbabve dhe Zambia.
Identiteti kombëtar i arsimi, ka humbur përfundimisht dhe sektorin më jetik të një kombi nuk e shpëton dot integrimi në Evropë, sa kohë nuk kemi integruar dot fëmijët shqiptar në sistemin tonë të edukimit dhe nuk kemi arritur dhe nuk do arrijmë për shumë kohë, të sigurojmë një sistem arsimor cilësor, të besueshëm dhe konkurrues me rajonin dhe Evropën. Deri atëherë kemi rrugë shumë të gjatë për të bërë.