Titulli “Qytetar nderi” për Gafurr Mazrekun, reagon Rama: Propozim i turpshëm, ç’janë këta këshilltarë
Pas dhënies së titullit “Qytetar Nderi” i Hasit për Gafurr Mazrekun, i cili kreu atentatin brenda Parlamentit ndaj Azem Hajdarit, ka reaguar Kryeministri Rama.
Rama ka thënë se ky propozim është i turpshëm dhe se është bërë nga këshilltarët pa dijeninë e grupit të PS-së. Rama ka thënë se ky propozim s’duhet të ishte bërë kurrë.
S’duhet të ishte propozuar asnjëherë. Ç’janë këta këshilltarë që bëjnë këto propozime pa pyetur e nuk dimë gjë.
Ç’janë këta të zgjedhur vendor që bëkan edhe peticione kundër nesh.
Edi Rama, deklarata brenda mbledhjes së grupit të PS-së
Gafurr Mazreku është ish-deputet i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit. Në 18 shtator të vitit 1997, Mazreku i ka bërë një atentat brenda Parlamentit ish-deputetit të PD-së, Azem Hajdari, duke e lenë të plagosur me 5 plumba.
Mazreku u dënua me 12 vite burg, por u lirua pasi përfitoi amnisti në vitin 2001.