Të jetosh për vetveten, jo për të tjerët”.
Këtë ka kuptuar Ermelinda nga Kuçova pas dy martesave të dështuara ndër vite. Në të dy rastet familja ka qenë “shkesi” i martesave të saj. Megjithse kjo është thjesht një rastësi e fatit, babai i saj ndihet në faj. Vajza kishte ardhur tek “E diela shqiptare” në TV Klan për t’u dhënë një mesazh prindërve që të lirohen nga kjo barrë dhe se pavarësisht gjithçkaje ajo ndihet e lumtur.
Prej tre vitesh ajo jeton në Zvicër, vend i cili i ka ofruar mundësi të reja për të punuar e për ta parë jetën në një tjetër këndvështrim. Duke qenë mësues me profesion, babai i saj Aliu nuk e ka patur të lehtë të pranojë faktin që vajza nuk vazhdoi studimet e larta dhe se bashkëjetesa i qëlloi dy herë me personat e gabuar. Përtej dëshirës së prindit për ta parë fëmijën të jetë i lumtur e të ecë përpara është edhe opinioni i zonës ku jetojnë ai që i vret vazhdimisht.
Pasi mbaroi gjimnazin, 12 vite më parë, Ermelinda nuk dëshironte të vazhdonte shkollën e lartë megjithse babai i saj i lutej sepse dontë të vazhdonte në gjurmët e tij. Në moshën 19 vjeçare u fejua me shkuesi me një person që i’a sugjeruan prindërit. Pas një bisede jo më shumë se 30 minuta dy të rinjtë i dhanë fjalën njëri – tjetrit dhe këtu nisi bashkëjetesa e tyre. Ajo shkoi të jetonte tek familja e të fejuarit dhe vetëm dy ditë më pas fillojnë sherret me vjehrrën.
“Një nuse duhet të ngrihet në mëngjes e ti bëjë kafen vjehrrit dhe vjehrrës. Një nuse duhet të lajë, të shplajë, të pastrojë e të kujdeset për shtëpinë”, kanë qenë fjalët tipike të vjehrrës së Ermelindës, si pikënisje për grindjet e vazhdueshme. Megjithse bashkëshorti i kishte thënë që të mos u jepte rëndësi fjalëve të nënës së tij, ai u largua drejt Greqisë si emigrant dhe nuses së re i duhej të përballej çdo ditë me “tekat” e vjehrrës që i shtonte sulmet nga dita në ditë.
Ermelinda tregon se ajo bënte çdo përpjekje për t’a ulur, ofenduar dhe dekurajuar që të vazhdonte martesën. Gjërat arritën deri aty se vjehrra i thoshte “vizitohu sepse duhet të jesh e sëmurë me leuçemi që je kaq e dobët”. Rezultatet e analizave duhej t’ia jepte vjehrrës për të provuar të kundërtën që nuk kishte asnjë problem shëndetësor. Ajo kontrollonte telefonatat që Ermelinda bënte me bashkëshortin në Greqi, kontrollonte paratë që ai i dërgonte dhe duke parë se çifti i ri e mbante konstante lidhjen pavarësisht sulmeve, ndoqi taktikën tjetër.
Filloi t’i fliste keq të birit për nusen dhe ai fatkeqësisht besoi të ëmën. Rralloi telefonatat deri në heshtjen e plotë. Kështu u prish martesa e parë, pa i shijuar asgjë të bukur por vetëm grindje e intriga. Normalisht që prindërit e Ermelindës e përjetuan shumë keq këtë që i ndodhi vajzës së tyre por dy vite më vonë i sugjerojnë një tjetër person për të lidhur jetën. Me keqardhje Ermelinda kujton se u përsërit e njëjta histori.
“E meta e tij ishte sepse ai pinte alkool dhe luante bixhoz dhe kur e kam marrë vesh këtë më ka rënë si bombë”. Të gjitha problemet dhe sfidat që u ishin dashur të përballonin ajo i ka hequr vetë dhe me ndihmën e familjes pasi bashkëshorti i dytë nuk kontribuonte në asgjë. Pas 8 vitesh martesë duke provuar fatin sa në Shqipëri dhe jashtë saj, Ermelinda vendosi t’i thotë “stop” vuajtjeve. Ajo kishte filluar ta donte atë person me gjithë të metat e tij por duke e parë se ai nuk kishte dëshirë të ndryshonte mori vendimin që të mos vuajë më as ajo e as familja e saj. E ndërkohë që Ermelinda e ka kaluar tashmë këtë kapitull të errët në jetën e saj, ata të cilët ndihen në faj dhe ende nuk e mbledhin veten, janë prindërit e saj. Prindërit ndihen në faj që nuk kanë këmbëngulur që vajza të vazhdojë studimet e larta dhe mbi të gjitha që i kanë sugjeruar dy persona të cilët jo vetëm që nuk arritën të krijojnë një familje të shëndoshë por i morën disa nga vitet e rinisë vajzës së tyre.
“Unë vërtetë nuk vazhdova shkollën e lartë por kam vazhduar shkollën e jetës që ndonjëherë është akoma më e vlefshme. Më ka bërë kjo që unë jam sot. Nuk dua të shoh më lot në sytë tuaj sepse dhe në sytë e mi kanë mbaruar tashmë lotët. Unë e kam gjetur lumturinë e shpirtit tim dhe nuk dua të merakoseni për mua e të ndiheni fajtorë apo të dëgjoni opininonin publik. Ky ishte fati im. Unë prej një viti kam parë vetëm gjëra të bukura”, u ka thënë Ermelinda prindërve.Betejën më të madhe çdo njeri e ka me vetveten për të kuptuar rrugën që të çon drejt lirisë personale, pa cënuar atë të tjetrit. Ermelinda ka krijuar “imunitet” ndaj opinionit të të tjerëve dhe këtë gjë kërkon që ta kenë dhe prindërit e saj. Në fund të fundit, si i thonë? Çfarë nuk të vret, të bën më të fortë!