Call Center pa licencë dhe rreziku i pastrimit të parave

0
194

Të kamufluara si call center, sot askush nuk mund të na thotë saktë sa është numri i operatorëve në forex që operojnë pa licencë n% vend. Alarmi se shumica prej tyre mund të shërbejnë për pastrim parash apo si skema mashtrimi është dhënë tashmë.
Një grup institucionesh, duke përfshirë AMF-në, Krimin Ekonomik, Pastrimin e Parasë dhe Tatimet, kanë nisur hetimet, kontrollet dhe verifikimet në terren. “Call center-kambistë” rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë një njollë të zezë në Europë

B.O. nisi studimet për informatikë në vitin 2013. Në atë kohë, për të përballuar shpenzimet e jetës studentore, ajo pa si variantin më të mirë punësimin në një call center. Mirëpo gjërat filluan që të vështirësoheshin, pasi qeveria italiane më se një vit më parë vështirësoi rregullat për operatorët që funksiononin jashtë Italisë, me synim ruajtjen e vendeve të punës në Itali. Për kompanitë call center që kishin lulëzuar në Shqipëri 10 vitet e fundit, duke shfrytëzuar krahun e lirë të fuqisë punëtore (duke i larguar vendet e punës nga Italia) nuk ishte më aspak e lehtë që të siguroje kontrata nga shteti italian për fushata telemarketingu për drita dhe gaz.

E gjendur para vështirësive, “call center” ku B. nisi të punojë po shikonte mundësinë për të operuar në disa fushata të reja, ku do të bëhej marketing për produkte financiare. Sipas B., pas përfshirjes në këtë treg, vështirësitë financiare të “call center” ku ajo punonte përfunduan. Nuk kishte më vonesa në pagesa. Shumë shpejt zyrat e tyre do të transferoheshin në një nga zonat më të mira të Tiranës. Mjediset e brendshme i kanë arreduar këndshëm, muret i kanë lyer me ngjyra, e gjithë hapësira është e rrethuar me vetrata të larta prej xhami nga ku mund të shohësh kryqëzimin e Komunës së Parisit. Sigurisht që punonjësit duhet me patjetër të motivohen, për këtë edhe pagat i kanë shumë të kënaqshme, më të larta se mesatarja në vend. Kafenetë dhe restorantet pranë kësaj qendre telefonike qëndrojnë plot. Puna aty ka nxitur dhe konsumin.

Nuk është e vështirë që nëpërmjet faqes së call center në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram, të shikosh që në mënyrë të vazhdueshme promovojnë punonjësit, bëjnë festa të shpeshta, por edhe trajnime. Ndërsa drejtuesit kanë marrë edhe trajnime në Qipro, parajsën e platformave Forex. Ata shkruajnë se kompania operon si outsourcing dhe offshoring.
Ashtu sikurse ky call center janë me dhjetëra kompani që vitin e fundit po operojnë të kamufluara si Call Center në Tiranë dhe jo vetëm.

Të dhënat e sakta mungojnë, por burime të ndryshme duke përfshirë edhe vetë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, bien dakord se fenomeni i personave që kanë ngritur aktivitete që operojnë si agjentë për të ofruar shërbime investimi (kryesisht forex dhe kontrata CFD ) është evident. Vlerësohet se janë rreth 50 operatorë fantazmë që veprojnë nën petkun e call center apo edhe pa asnjë regjistrim në Shqipëri (nga ambientet e shtëpive të kthyera në zyra), duke iu shmangur jo vetëm licencimit, por edhe detyrimeve fiskale dhe respektimit të detyrimeve kontraktuale me punëmarrësit.

Nis gjuetia e tyre

Pas një periudhe kaosi në këtë sektor, falë edhe denoncimeve të autoriteteve ligjzbatuese fqinje, AMF dërgoi muajin e fundit një sërë sinjalizimesh pranë prokurorisë dhe Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) me qëllim bllokimin e aktivitetit të këtyre firmave të palicencuara. Kreu i AMF, z. Ervin Koçi, e pranoi gjatë raportimit të tij pranë Komisionit Parlamentar të Ekonomisë se do të jenë këto autoritete ligjzbatuese që duhet të hetojnë më tej mbi të gjitha dyshimet e ngritura mbi aktivitetin e këtyre firmave në pastrimin e parave apo edhe mashtrimin e klientëve të tyre. Njëkohësisht, AMF dhe Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave (DPPPP) kanë nisur një seri kontrollesh në terren pranë të gjitha kompanive që veprojnë në sektorin e call center.

Përtej gropës që po krijojnë për sistemin fiskal duke punuar në informalitet, këta operatorë piratë rrezikojnë që të shkatërrojnë reputacionin e vendit tonë si një partner i besueshëm për operatorët e rregullt në këtë sektor, sipas Roberto Caparrotta, përfaqësues i CONFIMI Albania, që ka pasur aktivitet në call center.

Operatorët e licencuar paralajmërojnë se shumë shpejt, mund të gjendemi përballë bllokimit të kontratave të rregullta duke hedhur në rrugë mijëra punonjës, që janë sot të punësuar në kompanitë e licencuara. Njëkohësisht, reputacioni i një vendi ku mbizotëron informaliteti dhe skemat mashtruese mund të reflektohet në dëmtimin e besueshmërinë e sistemit financiar dhe vetë investimet e huaja në vendin tonë, paralajmërojnë institucionet shqiptarë të kontaktuara nga “Monitor”.

Rreziku! Të bëhemi njolla e zezë e Europës

Rreziku më i madh që i kanoset Shqipërisë, përveçse përdorimit të këtyre kompanive si instrument për pastrimin e parave është edhe kthimi i Shqipërisë në një njollë të zezë për sa u përket tregjeve financiare.

Sipas burimeve nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, janë marrë sinjale që këto shoqëri mund të funksionojnë si instrument për pastrimin e parave ose si skema mashtrimi. Rastet kanë qenë në rritje sipas burimeve të “Monitor” në DPPPP. Kjo njësi e Inteligjencës Financiare mbledh të dhëna mbi transaksionet që kryhen nga shumë burime (bankat, pikat e këmbimit valutor, etj.) dhe me anë të analizave shkencore, marrin sinjale në rast se diçka nuk shkon.

Si funksionojnë në përgjithësi? Kompanitë (kryesisht me bazë në Qipro ose Maltë) lidhen me kompanitë shqiptare, të cilat janë të palicencuara nga autoritetet mbikëqyrëse për shërbime financiare. Kompanitë shqiptare operojnë si ndërmjetësuese dhe marrin përqindje për transaksionet e kryera nëpërmjet individëve në shtetet europiane dhe kompanisë mëmë (transaksioni përgjithësisht nuk kryhet në Shqipëri, po këtu vijnë vetëm komisionet). Kompanitë mëma, iu sigurojnë bazën e parë, listën me kontakte dhe tregun.

Këto kompani gjetën një strukturë gati, për shkak se aktiviteti call center kishte filluar të tkurrej, duke qenë se kompanitë nuk po siguronin më kontrata me jashtë. Ishte shumë e lehtë që ato të fillonin që të operonin në këtë fushë, teksa infrastruktura ishte thuajse gati. Një tjetër avantazh ishte kosto e lirë e fuqisë punëtore dhe njohja e gjuhëve të huaja.

Sipas burimeve nga DPPPP, rreziku qëndron në faktin se në rast se një nga kompanitë e huaja të brokerimit është një skemë Ponzi (piramidë) dhe në një moment qytetarët e BE-së përballen me humbjen e kursimeve të tyre, Shqipëria do të shënohej si njollë e zezë dhe pasojat do të ishin të rënda.
Rasti më i rrezikshëm është dhe ai i ngritjes së firmave fantazmë pa partneritetin e platformave ndërkombëtare të licencuar në BE, që po ndodh në Shqipëri.

Ky është edhe rasti më flagrant i operimit në këtë sektor, sepse kapitalet e klientëve janë të pasiguruara nga fonde garancie, ashtu siç kërkohet nga rregullatorët, dhe pothuaj në çdo rast, klientët e tyre mund të kthehen në subjekt mashtrimi, sipas burimeve nga DPPPP.
Mënyra më e mirë për t’u kontrolluar do të ishte licencimi i këtyre kompanive, rekomandojnë aktorët e tregut. Duke qenë të licencuara, do të ishin gjatë gjithë kohës në monitorin dhe licencim.

Në vetvete, tregtimi i titujve në tregjet financiare nuk është një aktivitet i jashtëligjshëm. Duke qenë se është i një natyre pak më të veçantë dhe të ndjeshme është e nevojshme mbikëqyrja e tyre. Situata bëhet më e rrezikshme kur edhe kompania jashtë është e palicencuar.
Edhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në një prononcim zyrtar për “Monitor”, thekson se pavarësisht se disa kompani promovojnë produkte CFD Forex për klientë jashtë vendit, fakti që ato janë krijuar dhe veprojnë në territorin e RSH, veprimtaria e tyre pa licencë dhe e pakontrolluar nga autoritetet ndikon negativisht në imazhin e Shqipërisë.

AMF pohon se këto kompani apo të tjera të palicencuara mund të lidhen me kompani që krijohen në territorin e R.SH. me aktivitet “call center” duke marketuar produkte dhe shërbime financiare për klientë jashtë ose brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilat mund të rezultojnë në skema “Ponzi” ose “brokera fantazmë”, ku pasi marrin fondet e investitorëve, zhduken. AMF: Skemat Ponzi apo brokerat fantazmë në Shqipëri

Të luash me kartën e punësimit

Aktorët e tregut të call center nuk dinë të thonë nëse kriza e tyre nisi prej forex-it, duke qenë se po i rrëmbente operatorët, apo nëse forex-i lulëzoi duke qenë se call center ishte në krizë. Roberto Caparrotta, përfaqësues i CONFIMI Albania, që ka pasur aktivitet në call center, tha për “Monitor” se prania e kompanive forex është një nga arsyet kryesore të dëmtimit të punës së tyre. Shumë kompani punojnë në mënyrë informale. Është gabim nëse kanë deklaruar se duhet menduar edhe për punësimin. Sipas Caparrotta-s, ky është vetëm një justifikim. Në rast se këto kompani bëjnë pastrim parash, sikurse janë edhe dyshimet, atëherë nuk ka më një konkurrencë të ndershme, argumenton Caparrota, i cili e ka ngritur edhe rreth një vit më parë këtë shqetësim.

“Fajin e ka shteti, që nga momenti i parë që nuk ka reaguar, duke nisur që nga ligji për call center, ku bëhet fjalë për rreth 25 mijë vende pune. Pavarësisht se është numri i tyre, 50, 80 apo 100, ato iu prishin punë 450 call center të tjera. Një pjesë e tyre punojnë me dy platforma. Një platformë që nuk iu lejohet, pasi i marrin nga Qipro dhe Malta dhe një tjetër që është fantazmë, thjesht thithin fonde nga qytetarët europianë”, pohon ai.

Rreziku është se nga Shqipëria, ato mund të mashtrojnë qytetarë italianë apo gjermanë. Brokerat që ndihmojnë klientin të investojnë në bursa, janë brenda bankave dhe institucioneve serioze.
Sipas Caparrota-s, nëpërmjet hakerave marrin informacion për të dhënat e klientëve. Këto lista iu kushtojnë kompanive forex nga 10 deri në 50 mijë euro, shton Caparrotta duke qenë se gjejnë persona që merren me bixhoz. Forex-et hynë në Shqipëri, duke qenë se është një vend jashtë komunitetit europian dhe nuk kanë kontroll.

Problem kombëtar, nëse pastrojnë para

Call Center-at “kambiste” që fshehin pas vetes brokera fantazmë e veprojnë si skema mashtruese, mund të kthehen në një problem kombëtar. Gjatë raportimit në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, drejtori ekzekutiv i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Ervin Koçi, tha se nga institucioni që ai drejton janë nisur shkresa drejt një sërë institucioneve të rëndësishme në vend për të bashkërenduar një plan veprimi.

“Kemi pasur informacion që operojnë të tilla shoqëri, sidomos në tregjet e huaja, sa i përket shitjes së produkteve financiare. Nëse ata janë të licencuar nga broker të Bashkimit Europian, kjo është një gjë pozitive se të paktën janë të kontrolluar. Problemi qëndron nëse ata janë broker fantazmë dhe qytetarët mund të përfshihen.

“I kemi shkruar Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Shërbimit Informativ të Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kam bërë takime dypalëshe dhe kam kërkuar nga SHISH që të na japë emrat e kompanive. Duke qenë se institucioni ynë nuk kishte certifikatë sigurie për të marrë informacion të klasifikuar që jepet nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kemi kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare për të marrë informacion nga SHISH, por duhet të kemi një plan veprimi konkret me gjithë institucionet.

Problemi i këtyre shoqërive është që ata më shumë marrin shtetas të huaj dhe nesër mund të kthehet në një problem kombëtar, sepse mashtrohen qytetarë të huaj. Kjo mund të kthehet në problem edhe nga institucionet ndërkombëtare nëse shërbejnë për pastrim parash”, – tha Koçi.
Shqetësimi për operimin e Call Center-ave jotipikë që operojnë për shitje produktesh financiare ka të paktën dy vite që po lakohet gjerësisht.

Mediat e huaja: Shqipëria, inkubator në ofrimin e opsioneve binare dhe forex-it

Brokerat e parregulluar me ligj po shtohen me implementimin e rregullave të reja të Autoritetit rregullator Europian, ESMA.
Shqipëria është vendi i radhës në Europën Lindore që ka filluar të veprojë kundër call center, të cilët në përgjithësi janë në kërkim të klientëve nga Europa Perëndimore që të depozitojnë kursimet e tyre në produkte financiare me risk të lartë. Vendi është shndërruar në një inkubator të call center që ofrojnë opsione binare dhe forex në vitet e fundit, me objektiv kryesor tregun italian.

Rreth një muaj më parë, mediat kanë shkruar për një operacion të koordinuar policor në Ukrainë. Operatorët e këtyre call center në mënyrë të vazhdueshme janë zhvendosur në të gjithë Europën Lindore. Pasi qenë destinacione popullore për nënkontraktimin e këtyre shërbimeve që dhjetë vite më parë, në Rumani dhe Bullgari, kanë filluar që ta zhvendosin në vende si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë, Ukrainë, si dhe së fundmi në Shqipëri.
Sipas burimeve, në Rumani dhe Bullgari, kompanitë që operojnë në këtë fushë po përballen me vështirësi, kryesisht me brokerat që operojnë në tregun italian.

Shumë prej tyre po mbyllen dhe po transferojnë aktivitetin në vende si Serbia, Kosova dhe vende të tjera të rajonit.
Burime të tjera, të afërta me operatorët shqiptarë, thonë se konkurrenca midis institucioneve të ndryshme mund të ketë nxitur kontrollet e këtyre qendrave telefonike. Akuzat për përfshirje të autoritetit vendor tatimor janë të ngjashme me kontrollet dhe hetimet që kanë ndodhur në vendet e tjera të Europës Lindore.

Numri i brokerave të parregulluar me ligj janë rritur në numër në vitet e fundit. Ndryshimet e reja ligjore mund të përshpejtojnë këtë trend.
Call Center, të cilat operojnë në Forex dhe opsionet binare në mënyrë të vazhdueshme, kanë qenë objekt kontrolli i autoriteteve në mbarë botën.
Praktikat e ndalimit të shitjes së këtyre produkteve në Shtetet e Bashkuara apo dhe Bashkimin Europian, erdhën pasi humbjet tek investitorët arritën miliona.

Si i rregulloi me ligj Bashkimi Europian

I implementuar që në 2007-n, MiFID (Direktiva e Tregjeve të Instrumenteve Financiare) është ligji i cili ka për synim që të harmonizojë legjislacionin për shërbimin e këtyre investimeve në të gjithë shtetet anëtare të Bashkimit Europian, përfshirë dhe Islandën, Norvegjinë dhe Lihtenshtajnit. Kur ky ligj u zbatua për herë të parë (duke zëvendësuar Direktivën për Shërbimet në Investim) pritej që prej tij të rritej konkurrenca, si dhe mbrojtja e konsumatorit.

Ky ligj mundësoi që brokerat e licencuar të operonin në të gjithë zonën ekonomike europiane. MiFID synonte harmonizimin maksimal duke u përpjekur që të siguronte që secili shtet më vete të mos përfitonte me konkurrencë të pandershme. Megjithatë duhet të theksohet se regjime të ndryshme brenda MiFID ofrojnë nivele të ndryshme mbrojtje.

Rregullorja e MiFID ka një mbulim të gjerë, ku përfshihen të gjitha aktivitetet dhe shërbimet në investim. Nëse një kompani kryen shërbime apo aktivitete në fushën e investimeve është subjekt i rregullores së MiFID. Sapo një kompani merr autorizimin nga MiFID i jepet mundësi për të ofruar shërbime në të gjithë vendet e BE-së, ndërkohë që janë të rregulluar me ligj në vendin mëmë.

Si funksionon skema e pastrimit të parave

Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit dhe Parandalimit të Parave ka bërë publike një nga skemat e pastrimit të parave, duke përdorur “call center”.

Transferta, nga shoqëri të regjistruara në vende parajsa fiskale, në favor të shoqërive ‘call center’ dhe tërheqja e menjëhershme e fondeve Shoqëria A me objekt veprimtarie ‘call center’, në llogarinë e saj në një nga bankat që operojnë në vend që në fillimet e aktivitetit kishte përfituar disa transferta të dërguara nga vendet e BE, nga shoqëri të regjistruara në vende të parajsës fiskale (i ndryshëm nga vendi i dërgimit të transfertave).

Nga verifikimet e kryera rezultoi se:

Në të njëjtën adresë që ushtronte aktivitetin kompania A, kishin regjistruar selinë edhe disa biznese të vogla të tipit Person Fizik (rreth 11 PF) me të njëjtin objekt veprimtarie si të shoqërisë A dhe të regjistruara në të njëjtën datë në QKB. Këto biznese ishin regjistruar në emër të punonjësve të shoqërisë dhe kishin moshë tepër të re.

Nga analizimi i llogarive të bizneseve PF është vënë re se ka pasur transferta në hyrje që në momentin e regjistrimit të tyre nga të njëjtat shoqëri që më parë i kishin dërguar transferta edhe shoqërisë A. Fondet e mbërritura në llogaritë e bizneseve PF ishin pothuajse në të njëjtat vlera (10,000-15, 000 EUR për transfertë) dhe të gjitha këto fonde tërhiqeshin menjëherë nga shtetasi Z, i cili ishte person i autorizuar për kryerje transaksionesh në bizneset PF si dhe njëkohësisht i punësuar menaxher në shoqërinë A.
Gjatë analizimit të mëtejshëm të rastit është konstatuar se shoqëritë dërguese, jashtë vendit kanë qenë të lidhura me shoqëri të tjera në Shqipëri me veprimtari ‘call center’ të sapokrijuara dhe me ortak shtetas me moshë të re, raste për të cilat është dërguar informacion kohë më parë në organet ligjzbatuese për dyshime lidhur me aktivitetin që ato ushtrojnë.

Rreziqet e operimit pa kontroll

Disa prej skemave që kanë përdorur firmat fantazmë të investimeve online janë:

-Kryen aktivitet këshillimi financiar pa licencën përkatëse nga autoritetet shqiptare.

-Kryen aktivitet këshillimi financiar drejt klientëve të huaj për llogari të platformave fantazmë të huaja, të cilat nuk kanë të drejtë të ofrojnë këto shërbime në këto vende.

-Ushtrimi i kësaj veprimtarie pa lejet dhe kontrollet përkatëse është i qëllimshëm për të pasur mundësi (siç ndodh në të vërtetë) vjedhjen e parave të klientëve me anë të mashtrimit.

-Gjithashtu prejardhja e parave është krejtësisht e pakontrolluar duke mbartur rreziqe të mëdha riciklimi parash të pista.

-Mashtrojnë klientët duke i kërkuar që të investojnë para në website online dhe pastaj nuk u kthen më paratë mbrapsht duke mos u përgjigjur më në telefon dhe duke u ndërruar password-et e hyrjes në sistem.

-Kryejnë transaksione bankare me të dhënat e kartave të kreditit që arrijnë t’u marrin klientëve pa dijeninë e këtyre të fundit.

-U paguan punonjësve vetëm pagat minimale në bankë dhe pjesën kryesore në CASH pa e deklaruar duke shmangur taksat.

-Shpesh personi kryesor udhëton jashtë shtetit për të tërhequr paratë e realizuara me këtë skemë mashtrimi.

-Firma që ka krijuar nuk është në emrin e vet për t’iu shmangur përgjegjësive ligjore. Hapja e NIPT-eve në emër të punonjësve.

Këshillat e AMF në website për tregtimin “online”

Me zhvillimet e shpejta që kanë marrë tregjet telematike dhe informatika, po gjen gjithmonë e më shumë hapësirë investimi me anë të internetit apo të postës elektronike. Nuk ka ende në Shqipëri një sistem të ngritur të tregtimit në internet apo në postën elektronike dhe kuptohet as AMF nuk ka një strukturë mbrojtëse për këtë lloj investimi. Megjithatë është rasti të kujtojmë në këto raste investimi se:
– Të jetë plotësisht i verifikueshëm subjekti që ofron shërbimet e investimit, adresat e dhëna në internet (telefon, faks dhe vendndodhja) të korrespondojnë saktësisht me ato reale të
subjektit.
– Në bazë të karakteristikave teknike, interneti funksionon në nivel ndërkombëtar, pra investitorët që do të duan të investojnë në të duhet të gjejnë në fillim vendin e origjinës që
e ka licencuar subjektin për të kryer këtë aktivitet dhe më pas hollësitë e tjera. Një adresë ku janë të regjistruar pothuaj të gjitha autoritetet, e vendeve të ndryshme, që mbikëqyrin tregun (Komisionet e Letrave me Vlerë) nga të cilët mund të merret informacion i saktë është: www.iosco.org.

Si funksionojnë? Kurthi i bonuseve

Këto kompani operojnë bazuar në një sistem bonusesh, duke filluar që nga bonuset për hapje llogarie, bonuse për referimin, për garantimin e volumeve tregtare, bonuse depozite. Në fakt, këto bonuse shërbejnë si kurth, duke qenë se për t’i përfituar varet nga “volumi tregtar”. Në realitet, investitorët (klientët që hedhin para) mund t’i përfitojnë këto bonuse vetëm pasi kanë tregtuar një volum që është deri në 40 herë më i lartë se bonusi vetë.

Të gjendur në një spirale, investitorët (klientët) vazhdojnë të hedhin para me shpresën se do të arrijnë volumin e kërkuar për të tërhequr bonusin dhe përfundojnë duke humbur të gjitha paratë e investuara. Në një rast të evidentuar nga autoritetet franceze, në mënyrë që klienti të arrinte më shpejt (në rastin konkret 840 mijë euro), “këshilluesi financiar” rekomandonte që investitori (klienti) të ndryshonte pozicion për shuma deri në 10 mijë euro. Brenda një pasditeje, investitori humbi 50 mijë euro.

Për këtë, Autoriteti Rregullator Europian ESMA këshillon se një firmë që ofron bonuse të tilla, nuk ka gjasa që të jetë duke vepruar në mënyrë të ndershme dhe profesionale, duke marrë në konsideratë që për shkak të natyrës së këtyre produkteve nuk janë të përshtatshëm për pjesën më të madhe të klientëve.

[1] FOREX / Foreign Exchange: Këmbimi valutor: Ky term i referohet  aktivitetit dhe tregut të transaksioneve financiare nëpërmjet platformave elektronike online.

[2] CFD / Contract For Difference: Kontrata për ndryshimet në çmim: Ky term i referohet produkteve që përfshihen në transaksionet në FOREX. CFD-të janë strukturuar në mënyrë që të pasqyrojnë lëvizjen dhe ndryshimet në kohë reale të cmimeve të instrumentave të cilat këto CFD përfaqësojnë./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here