Gëzim Tushi
Ngjarjet e kohëve të fundit të jetës politike ne Shqipëri duket se i kanë dhënë një dimension të ri pjesëmarrjes më aktive të qytetarëve në jetën sociale dhe problematikën politike që zhvillohet me intensitet të lartë në shoqërinë e kohës tone. Megjithatë për të qënë realist dhe adekuat me të vërtetën, nuk mund të themi se është plotësuar ky standart fundamental i demokracisë. Sepse megjithë përpjekjet për të ngritur një kulturë të re politike, ende nuk është kuptuar vlera e pjesëmarrjes së qytetarëve në zhvillimet politike, si kusht për “funksionimin e demokracisë” por as mënyra e reagimit politik nuk është bërë “ndërgjegje e dytë” qytetare, që të realizohet sipas standarteve të shoqërisë moderne. Nuk është rastësi që në politologjinë moderne ky handicap konsiderohet si rrezik imminent për demokracisë. Në të vërtetë reagimi politik qytetar në shoqërinë tonë nuk është i strukturuar dhe kompakt, por është përgjithësisht i parcelizuar ose i personalizuar. Më së shumti i pa lidhur me interesat e përgjithshme sociale dhe qytetare, por i lidhur me interesat personale.
Nuk mund të kënaqemi me “lugë të zbrazët”, as të krijojmë vetes iluzione për nivelin dhe cilësinë e demokracisë tone, për raportet e saj të determinuara, lidhur me sasinë dhe cilësinë e sensibilitetit politik, nivelin e përfshirjes demokratike dhe pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në proceset madhore të ndërtimit të demokracisë, konsolidimit të shoqërisë civile dhe qeverisjen e vendit. Në kohën tonë për këtë tregues, për vlerësimin e performancës së sensiblitetit politik dhe pjesëmarrjes qytetare, ka standarteve që mund të vlerësohen. Në sociologjinë politike, duke vlerësuar këtë korrelacion të demokracisë me qytetarin, autorë të tillë si Patric Canivez janë të mendimit se “Një shtet është demokratik për aq sa qytetarët, të cilët participojnë në debat, shikojnë përmes fakteve, përmes të shprehurit në shtyp, sindikata, parti etj, gjykojnë nga pikëvështrimi i atij që qeveris, i mendojnë problemet në të gjithë komplerksitetin e vet në pajtim me interesin e përgjithshëm” . (Patric Canivez, “Të edukohet qytetari”, faqe 144)
Treguesi i parë i nivelit të përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin demokratik, është mundësia e pjesëmarrjes dhe e angazhimit të qytetarit në “debatet publike” të jetës politike. Ajo më qartë mund të matet me sasinë dhe cilësinë e angazhimit të qytetarit dhe në mundësitë dhe aftësitë e tyre në të “folurin” dhe marrjen pjesë në në debatin politik”. Padyshim që në realitetin tonë politik, në nivelin dhe performancën e angazhimit të qytetarëve në debatet politike, ka tregues të qartë që tregojnë për përmirësimin e situatës së participimit politik të qytetarëve tanë në cështjet politike. Por pa qënë euforik dhe të vetkënaqur nga ajo që është arritur, duhet të pranojmë se sasia, cilësia, performanca e angazhimit qytetar dhe e shfaqjes së gjykimeve politike të pjekura qytetare, ende nuk është në nivelin që kërkon demokracia funksionuese. Po çfarë duhet bërë dhe kush duhet të bëjë që të përmirësohen treguesit të angazhimit qytetar në debatin politik?
Kohët e fundit në jetën politike e shoqërore ka patur disa ngjarje politike dhe zhvillime shoqërore që e kanë nxitur debatin publik por dhe angazhimin publik të qytetarëve. Por edhe pse me masiv dhe më intensive duket se opinioni qytetar dhe pjesëmarrja e tyre në debatet publike është i kufizuar, sporadik, spontan dhe rrallë është shfaqur si opinion që të përfaqësojë shumicën e qytetarëve. Në shoqërinë shqiptare për shumë shkaqe historike dhe aktuale, etnopsikologjike dhe sociale, nuk funksionon si duhet mekanizmi që ndërton dhe vë në funksionin “ndjeshmërinë politike” të qytetarit, qoftë në formën e sensibilitetit apo të opinionit politik. Kur dëgjon gjykimet e shfaqura për politikën nga qytetarët tanë, kupton menjëherë sistemin e deformuar të formimit të tyre mbi bazë inati personal, militantizmi dikotomik të deformuar, apo ballafaqohesh me ide të thëna pa shumë qytetari, me shumë agresivitet, tone imponuese, pa tolerancë reciproke.
Këto gjëra e dëmtojnë pjesëmarrjen dhe ekulibrin e opinionit publik të qytetarëve tanë. Ajo që më duket se është karakteristike në këtë fazë të zhvillimit të demokracisë shqiptare, është fakti se pjesëmarrja në debatet politike dhe angazhimi politik i qytetarëve tanë është proces i vecuar, kaotik, spontan, i zhvilluar në vende që nuk kanë vlerë dhe që nuk përbëjnë opinion publik të organizuar, i përqëndruar kryesisht dhe i lidhur ekskluzivisht jo me shqetësime të përbashkëta qytetare, por më shumë me halle e nevoja personale të paplotësuara, që nuk kanë shumë lidhje me organizimin e përgjithshëm të shoqërisë shqiptare, me mungesat dhe nevojat e saj. Akoma pjesëmarrja, sensibilitetet politike nuk janë cilësisht të organizuara, të lidhura me nevojën e përmirësimit dhe mire organizimit të jetës sociale dhe performancës politike të shoqërisë tonë në tërësi. Ky është një difekt i madh që tregon nivelin dhe cilësinë e formimit të shoqërisë civile, aftësitë e munguara të saj për të organizuar opinionin e qytetarëve, dhe drejtuar atë në çështjet e mëdha që kanë interes publik dhe qytetar, që shfaqen si interesa të përbashkëta të qytetarëve tanë për organizimin më të mirë të shoqërisë dhe cilësisë së qeverisjes së vendit. Shoqërinë civile, intelektualët por edhe qeverinë duhet t’i shqetësojë kjo situatë, sidomos për faktin që në shoqërinë tonë nuk ka mekanizma të organizuar të angazhimit politik të qytetarëve, të krijimit të kushteve që ata të shfaqin (jo vetëm individualisht dhe spontanisht) aprovimin apo mosaprovimin e vet për cilësinë e qeverisjes apo mënyra e organizimit të jetës sociale në shoqërinë tonë.
Ne duhet të na shqetësojë e vërteta se edhe ai opinion qytetar që tashmë ekziston, nuk e ka omnipotencën ndikuese mbi qeverisjen dhe mënyrat e organizimit të shoqërisë, sepse sensibilitetet politike të qytetarëve tanë për shkaqe që tashmë dihen herë janë spontane, pastaj të përcipta, sensililitet janë më shumë individuale dhe fare pak të organizuara në nivel social, të pakornizuara në çështje thelbësore dhe “flu” nga formatimi dhe esenca që është jo aq shumë e lidhur me “kornizat specifike” të shqetësimeve të përgjithshme të vendit, të organizimit të shoqërisë apo cilësisë së qeverisjes së vendit. Sensibiliteti politik i qytetarëve tanë nuk është në nivelin e “vizionit të përgjithshëm qytetar” dhe ky është një nga difektet e rënda të demokracisë sonë në këtë fazë.
Natyrisht ne jemi shoqëri me qytetarë që kanë nivele të diversifikuara të kulturës, që kanë ndikime të ndryshme nga trashëgimia e tyre dhe që kanë edhe statura qytetare të ndryshme. Sociologjikisht niveli i pjesëmarrjes dhe sensibiliteti i qytetarëve tanë, nuk është një mekanizëm teorik që vihet në punë nga jashtë, sepse vetëveprimi i tij është i kondicionuar edhe nga niveli i zhvillimit të demikracisë tone. Ajo varet nga prejardhja sociale e individit dhe kushtet konkrete të jetës së tij. Ndaj niveli i përfshirjes dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në debatet politike, është e ndryshme në fshat apo në qytet, ka ndryshim kur ai bëhet nga një qytetar me verb civil të formuar apo nga një qytetar minor, indiferent apo konformist. Kushtet konkrete të jetës së qytetarëve tanë kanë lënë gjurmë të thella në aftësitë e tyre qytetare pjesëmarrjes politike dhe sensibilitetit qytetar.
Në sociologjinë politike me shumë të drejtë, kur studiohen këto aspekte të demokracisë, që kanë të bëjnë me lidhjen korrelacionale të nivelit demokratik të qeverisjes dhe organizmit social të shoqërisë me përshirjen, pjesëmarrjen dhe involvimit politik të qytetarit në debatet e jetës politike dhe publike, shikohet dhe vlerësohet situata sociale që ka të bëjë me ndikimin e fortë të kushteve të jetës së qytetarit, me traditën familjare prej nga vjen, me profesionin që ushtron, me pjesëmarrjken në ndonjë grup interesi apo në formacione të tjera të shoqërisë civile, me angazhimin militant në partitë politike, etj. Këto kushte në një farë mënyrë determinojnë nivelin aktual të përfshirjes së qytetarëve tanë në debatet e jetës politike, por dhe përcaktojnë cilësinë e qeverisjes së vendit, administrimin e problemeve të komplikuara të jetës publike.
Ajo që kërkohet është që difektet e konstatuara dhe problemet që duhen korrigjuar, ne na duhet në të njëjtën kohë të mendojmë edhe për të ardhmen e këtij komponenti. Sepse nuk thuhet kot që “sensibilitetet politike” trashëgohen, dhe bëhen tregues të rëndësishëm të staturës qytetare, jo vetëm të individit, por dhe të familjes në gjirin e të cilës lindin dhe kultivohen ato. Në këtë kontekst koha kërkon që në familjet tona të ndërtojmë pak “didaktikë politike” me pjesëtarët e saj, sidomos me fëmijët për të mësuar mekanizmin që ndihmon për të kultivuar sensibiletet politike qytetare, për të mësuar të rinjve ndjenjën e përgjegjësisë dhe mekanizmin e pjesëmarrjes dhe angazhimit në debatet e jetës politike, publike, qytetare.
Edukimi i ndjenjës qytetare të përfshirjes, pjesëmarrjes dhe angazhimit politik të qytetarëve në debatet e jetës politike shqiptare, mënyrat dhe problemet e shumta të organizimit demokratik të shoqërisë nuk realizohen në mënyrë dogmatike, me metoda shkolareske. Sepse sensibiliteti politik duhet të bëhet veti permanente e përgjegjësisë qytetare, jo vetëm për “fatin e tij”, por edhe për “fatin e të tjerëve”, të organizimit dhe cilësisë së përgjithshme të jetës qytetare në vendin tonë. Koha demokratike është dinamike, e vrullshme dhe ndryshimet janë eruptive, të shpejta, të shpeshta dhe nganjëherë edhe të pakontrolluara. Në këtë kontekst sensibiliteti i qytetarit është një aftësi që pastaj nga përdorimi me mjeshtëri bëhet “armë qytetare”, që e bën atë të aftë të gjykojë, të reagojë,, të marrë pjesë dhe të shfaqë mendimin e vet publikisht, individualisht apo në mënyrë të organizuar. Aftësia qytetare kërkon që reagimi të jetë adekuat në të gjithë situatat. Intuita, mendimi, sensi dhe sensibiliteti qytetar, janë pjesë organike e të menduarit të çdo njeriu që e ndjen veten qytetar të këtij vendi të përbashkët…