Kanë dalë në dritë detaje të reja pas krimit të rëndë në Milot ku gruaja egzekutoi në tregun e Milotit me tre plumba bashkëshortin e saj.
Pak çaste para se Violeta Donaj 35 vjeçarja nga Miloti të ekzekutonte bashkëshortin më 17 qershor ajo i ka telefonuar duke i kërkuar të shkonte në treg aty ku çifti kishte vendin e punës.
Eja te tregu’, ishte ky komunikimi telefonik i fundit mes bashkëshortëve Dona, para se Violeta Donaj të ekzekutonte me pistoletë Kujtim Donajn më 17 qershor 2018. Report Tv ka siguruar dosjen e prokurorisë së krimeve të rënda e cila ka hetuar këtë krim dhe një ditë më parë ka kërkuar nga gjykata ta lërë Violetën në qeli me akuzën e vrasjes për shkak të mardhënieve familjare.
Nga hetimet rezulton se fillimisht ka qenë gruaja e cila ka mbërritur në treg me automjetin e saj SMART, ngjyrë e kuqe e errët, me targa AA389LR. Pas këtij momenti ajo ka telefonuar bashkëshortit të saj që të vinte te kioska ku ata tregonin, për të sistemuar mallin.
Në momentin që Kujtim Donaj, 42-vjeç, ka mbërritur pranë vendit të punës, ai është qëlluar me tre plumba pistolete TT, pas shpine nga bashkëshortja e tij. 42-vjeçari ka humbur jetën në vend.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja. Sipas materialeve të mbledhura nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, Violeta Donaj pas krimit ka hedhur armën e zjarrit një pistoletë TT mbi mallin e një tregtari tjetër aty pranë dhe është larguar në drejtim të autostradës e ndjekur nga kunata e saj.
Në dosjen e akuzës rezulton se 35-vjeçarja ka ecur në këmbë përgjatë autostradës, e shoqëruar nga kunata e saj, bashkëshortja e vëllait.
Dëshmitari në vendin e ngjarjes, Preng Marku, tregtar, ka rrëfyer detaje në vendin e ngjarjes. Ai ka thënë se në kohën kur po përgatiste mallin në tezgë, ka dëgjuar tre të shtëna arme dhe është kthyer direkt nga krahu nga ka ardhur zhurma dhe ka parë Violetën me një armë zjarri pistoletë TT ngjyrë e zezë të cilën e ka hedhur te malli i tij në tokë.
Në këtë situatë, shpjegon ai, i ka thënë Violetës, “ik mos më ngatërro çfarë dreqin je ti”.
Ajo ka lënë armën dhe ka ikur në drejtim të rrugës së tregut në drejtim të autostradës.Para hetuesve Violeta Donaj ka pretenduar se dhunohej sistematikisht nga bashkëshorti, Kujtim Donaj, ku edhe nga këqyrja asaj i është konstatuar një dëmtim në krahun e majtë, ndërsa po sipas saj, ai luante edhe bixhoz.
Në vijim të hetimeve, janë marrë në pyetje edhe prindërit e shtetases Violeta Donaj, Gjin Pali dhe Dila Pali, të cilët janë shprehur se vajza e tyre Violeta nuk u ka treguar për ndonjë konflikt që ka pasur me bashkëshortin e saj Kujtimin, nuk i kanë parë armë me vete gjatë kohës që ajo ka qenë në shtëpinë e tyre. Gjykata e Krimeve të Rënda e ka lënë në arrest me burg.