Dy ndryshimet në ligjin e magjistratit, mashtrime të mazhorancës

0
164

Nga Gazmend Bardhi.

Partia Socialiste ka propozuar dy ndryshime në ligjin për statusin e magjistratit (i cili po kërkohet të ndryshohet ende pa nisur zbatimin e tij!), duke na e servirur si zgjidhje të problemeve të mëdha që po kalon sistemi i drejtësisë, si pasojë e mosfillimit të zbatimit të ligjeve të miratuara në kuadër të Reformës në Drejtësi.

Mashtrim!

Ndryshimi ligjor i propozuar, është i panevojshëm, sepse situata është zgjidhur nga Gjykata Kushtetuese. Ndryshimi i propozuar në thelb injoron vendimin nr. 34/2017 të Gjykatës Kushtetuese dhe për rrjedhojë bie ndesh me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe vetë nenin 179 të Kushtetutës.

Nga ana tjetër, për pranimet e reja në Shkollën e Magjistraturës, situatë ka zgjidhje dhe nuk paraqet asnjë urgjencë, për shkak se në 2019 kur të jetë ngritur KLGJ/KLP (nëse PS lejon ngritjen e tyre në 2019), nëse sistemi ka nevojë, mund të caktohet që në atë vit akademik të pranohen 100 magjistratë apo edhe më shumë, sipas nevojave dhe një studimi objektiv që do të bëjnë vetë organet e reja të drejtësisë. Për pasojë, mosmiratimi i ndryshimit të propozuar nga PS nuk sjell asnjë pasojë për funksionimin normal të sistemit.

Problemi themelor i sistemit të drejtësisë sot dhe që përbën emergjencë është zgjatja e periudhës tranzitore për më shumë se 2 vjet, dhe mos ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke penguar në këtë mënyrë fillimin e funksionimit dhe zgjedhjen e SPAK, BKH, Gjykatave Antikorrupsion dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Ngritja e këtyre strukturave është vendosur si kusht për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në Qershor 2019. Gjithashtu, emergjente është zgjidhja e ngërçit të krijuar me mbylljen e Gjykatës Kushtetuese dhe futjen në krizë të thellë të Gjykatës së Lartë.

Mirëpo, Partia Socialiste nuk propozon asnjë zgjidhje sesi mund të arrihet kjo dhe refuzon që të marrë masa ligjore për të siguruar fillimin sa më të shpejtë të funksionimit të organeve të reja të sistemit të drejtësisë, dhe bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese.

Nuk i intereson as fakti që sot në ligj nuk ka parashikime për shkeljet disiplinore të magjistratëve, të cilët nëse kryejnë shkelje gjatë detyrës, nuk mund të ndëshkohen, sepse mungon ligji! Për këtë opozita ka propozuar në Kuvend ndryshimet e nevojshme ligjore prej disa muajsh, por që mbahen të bllokuara nga Partia Socialiste.

E thjeshtë fare! Nuk i intereson që drejtësia e reformuar të fillojë të funksionojë sa më parë. I intereson zgjatja e periudhës tranzitore, si dhe zgjatja e agonisë dhe mbajtja në punë e institucioneve të vjetra të drejtësisë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here