Në stadiume tashmë do të shihet vetëm futboll. Jo se nuk është parë futboll deri tani, por bukuroshet që ndjekin kombëtaret e tyre kanë tërhequr vëmendjen shumë më shpesh se ç’duhet. Tifozet sexy, duke filluar nga tifozet shqiptare, që mrekulluan Francën e deri tek bukuroshet e Botërorit Rusi 2018, do të mbeten imazhe në kujtesë, sepse vendimi i FIFA-s është për t’i dhënë fund tifozeve sexy në ekranet televizive.
FIFA do t’i kërkojë emitentëve televizivë dhe trupave televizive të FIFA-s të shmangin pamjet e tifozeve joshëse gjatë ndeshjeve, për sa kohe mund të konsiderohen të karakterit seksist. Deklarata ka ardhur nga shefi i departamentit për përgjegjësinë sociale të FIFA-s, Federico Addiechi.
Sinjalizimi i Addiechi ka ardhur, për shkak se gjatë Botërorit në Rusi, çështjet e seksizmit janë bërë edhe më frekuentë se ato të racizmit. Në veçanti, janë verifikuar raste të ndryshme të ngacmimeve seksuale të tifozëve kundrejt gazetareve.
Funksionari i FIFA-s ka bërë të ditur se vendimi është një “evolucion normal”, duke kujtuar se FIFA kishte ndërhyrë më parë në punën e emitentëve televizive vetëm në “raste individuale dhe për më tepër të dukshme”.