Dy regjisorët Kastriot Çipi dhe Robert Budina kanë folur sot për Fax News për kauzën që ende vijon të Teatrit Kombëtar.
Të dy ata u shprehën se janë besimplotë që presidenti Meta nuk do ta dekretojë ligjin që kaloi në Kuvend rreth një javë më parë, dhe ju kanë bërë thirrje për të reaguar dhe ambasadorëve të vendeve të BE-së.
‘’Do ti kërkojmë presidentit Meta që të kthejë ligjin, pasi ne e kemi thënë që në fillim që është në shkelje me Kushtetutën.
Misioni ynë është që ne të ndalojmë funksionimin e këtij ligji. Kjo që po ndodh është një grabitje e pastër e pronës publike, që do shitet si një zhvillim i ri për qytetin. Ne kemi bërë një proces të thellë demokratik me qëndresën tonë.
Sa më shumë të protestojmë aq më shumë do ti vëmë këta njerëz përballë një pasqyre shumë të fortë. Deri në çfarë pike do të shkojnë këta njerëz.
Ne do të jemi qëndrestarë, përditë ka njerëz që janë të angazhuar, këtyre politikanëve duhet t’iu qëndrosh te turiri, sepse në të kundërt mund të të marrin çapën e bukës, mund të të grisin.
Ne jemi të mobilizuar, dhe njerëz që do ta qepin edhe ligjërisht këtë çështje, që do na bëjë të triumfojmë në çdo shkallë të drejtësisë, qoftë edhe europiane”, u shpeh Budina.
Ndërkohë Çipi u shpreh më tej se numri i qytetarëve që janë në mbrojtje të çështjes së Teatrit është shumë i madh, dhe kjo nuk është fshehur dot as në një sondazh të kryer nga dikush afër qeverisë Rama.
‘’Unë besoj se sot për sot numrat i kemi ne, 50% e të pyeturve në Tiranë, sipas një sondazhi që është kryer nga një person që është pranë qeverisë, thuhet se qytetarët e Tiranës nuk e duan prishjen e Teatrit”, u shpreh Çipi.