Tragjeditë në minierat e Bulqizës nuk kanë fund. Një 31 vjeçar ka humbur jetën në galeritë e nëntokës, por ngjarja është tentuar të mbahet e fshehur.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth 3 javë më parë, ku i riu Artur Mjeshtri, ishte duke punuar në një nga minierat e Bulqizës, por i pasiguruar nga kompania që e shfrytëzon. Madje, burimet për Tpz.al, bëjnë me dije se edhe kompania punon pa leje koncesionare në këtë galeri.
Në atë moment, një masiv dheu është shkëputur, dhe për pasojë ka rënë mbi Artur Mjeshtrin. 31 vjeçari është dërguar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ai është mjekuar prej 3 javësh në spital, por për shkak të plagëve të marra, ditën e djeshme ka ndërruar jetë. Ndërkohë sot është përcjellë për në banesën e fundit.
Ngjarja e rëndë mund të ishte parandaluar nëse në muajin shkurt të këtij viti do të miratohej në parlament ligji i statusit të minatorëve. Sepse ligji i minatorëve, rregullon situatën financiare të minatorëve dhe për pasojë shmang punësimin në “të zezë”.
Skandali thellohet edhe më tej, pasi kjo ngjarje mbahet e fshehur nga Policia e Shtetit, prokuroria dhe institucionet ligjzbatuese.
Vdekja e Mjeshtrit, bashkë me dhjetra minatorë të tjerë, e ka kthyer këtë situatë në dramatike, ku përgjegjësia bie direkt mbi qeverinë e cila prej muajsh mban në sirtar ligjin e statusit të minatorëve.