Presidenti Ilir Meta foli edhe për paktin detar me Greqinë, gjatë konferencës për shtyp me homologen kroate Kolinda Grabar-Kitarović.
“Ky është një proces i cili duhet të bazohet në barazinë e palëve në raport me të drejtën ndërkombëtare dhe së dyti, edhe në respekt të Kushtetutës dhe legjislacionin përkatës. Nga ana ime si president, dua t’ju siguroj se do të bëj gjithçka për të përmbushur detyrimet e mia në mënyrën më konstruktive, por gjithmonë në respekt të Kushtetutës së vendit dhe të transparencës dhe bashkëpunimit si me qeverinë, ashtu edhe me Kuvendin e Shqipërisë, që kanë përgjegjësitë e tyre për këtë proces”, tha kreu i shtetit.
Gjykatat pa anëtarë/ Meta: Duhet bashkëpunim politik për të kaluar çdo moment të vështirë
Presidenti Ilir Meta tha se duhet bashkëpunim politik për të zgjidhur ngërçet që krijohen efektet e reformës në drejtësi, siç është plotësimi me anëtarë i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje gjatë konferencës së përbashkët me presidenten kroate, Meta tha:
“Reforma në drejtësi është shumë e thellë, madhore, komplekse. Duke shrpesuar mbështetjen për ecurinë e kësaj reforme dua tu siguroj për përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore që ka Presidenti për çështjet e drejtësisë në mënyrë më transparente. Ashtu siç kamë bërë më herët, dua të theksoj rëndësinë e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës për të kaluar çdo moment të vështirë që mund të vërë në vështirësi krijimin e institucioneve të drejtësisë”.